E Shtunë, 31 Tetor 2026

3 milionë letërnjoftime elektronike - së shpejti zyra aplikimi edhe në SHBA

14-04-2012 / Gazeta 55

Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani i pranishëm në momentin e prodhimit të letërnjoftimit elektronik të tremiliontë  


Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani ishte i pranishëm dje në momentin e prodhimit të letërnjoftimit elektronik të tremiliontë në Qendrën e Personalizimit të Dokumenteve të Identitetit të kompanisë “Aleat”. Gjatë vizitës në këtë qendër, Ministri Nishani u shpreh se Shqipëria është ndër vendet e para në rajon për sa i takon ritmit të pajisjes së qytetarëve me dokumentet biometrikë të identitetit. “Që nga viti 2009 kur filloi të prodhohej karta e parë elektronike deri sot natyrisht nuk ka kaluar shumë kohë, por projekti ambicioz i qeverisë shqiptare, niveli i lartë dhe cilësia e ofruar nga kompania Aleat, bashkëpunimi dhe interesi i qytetarëve shqiptarë, bënë të mundur arritjen e një standardi të lakmueshëm në aspektin e identitetit të qytetarëve, por dhe vlerësimit më pas të marrjes dhe përfitimit të shërbimeve të ndryshme për të përdorur letërnjoftimin elektronik nga ana e qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Nishani. Ministri i Brendshëm vuri në dukje se megjithëse në fillim të projektit kishte mjaft skeptikë që shprehën mosbesim për realizimin e tij nga ana e qeverisë dhe për aftësitë e koncesionarit, u arrit që sot pas vetëm tre vjetësh të kemi letërnjoftimin e tremiliontë për qytetarët shqiptarë. Ministri Nishani bëri të ditur gjithashtu se së shpejti zyrat e aplikimit për letërnjoftime elektronike do të çelen edhe në SHBA. “Ministria e Brendshme në bashkëpunim me Ministrinë e Jashtme kanë nisur tashmë procedurën për hapjen e zyrës së aplikimit dhe pajisjes me letërnjoftimin elektronik dhe pasaportës biometrike edhe në SHBA, konkretisht në zyrën e saj në Nju Jork duke marrë parasysh dhe numrin më të madh të diasporës shqiptare në këtë shtet, ashtu siç nuk do të ndalemi për të vlerësuar mundësitë në bazë të kërkesave që na vijnë nga qytetarët shqiptarë për ta shtrirë edhe më tej ofrimin e këtij shërbimi”, tha ai. Duke vlerësuar mundësitë e shumta për përfitime e lehtësira të tjera të qytetarëve shqiptarë që zotërojnë dokumentet biometrikë të identitetit, Ministri Nishani shprehu vullnetin e qeverisë për ofruar dhe përfshirë në këto dokumente shërbime të tjera të sigurta e të shpejta në mënyrë të tillë që ajo që është thelbësore dhe jetike për të drejtat themelore të njeriut, përfitimi i shërbimit nga ana e qytetarëve shqiptarë, të jetë sa më i sigurt, të jetë sa më i shpejtë, e të jetë sa më qytetar. “Konkluzioni i këtij momenti është shumë domethënës, por besoj i rëndësishëm dhe i thjeshtë në realitet: Shërbim, shërbim dhe vetëm shërbim cilësor për qytetarët shqiptarë”, përfundoi fjalën e tij, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›