E Diel, 1 Nëntor 2026

Benedikti XVI: “Paqja nuk është utopi”

16-12-2012 / Gazeta 55

Mesazhi i Benediktit XVI për Ditën Botërore të Paqes 2013, u publikua dje, mbi temën “Lumë veprimtarët e paqes”. Mesazhi papnor për nga gjerësia e vështrimit, mund të quhet një enciklikë e vogël. Sfondi i tekstit papnor karakterizohet nga dy ngjarje të para një shekulli: fillimi i punimeve të Koncilit Kishtar të II të Vatikanit, hapur më 11 tetor 1962, e ‘Pacem in terris’, e 11 prillit të viti 1963, enciklika e fundit e Papës Gjoni XXIII që paraqiti e propozoi katër shtyllat themelore të bashkëjetesës paqësore: të vërtetën, lirinë, dashurinë dhe drejtësinë.
Konteksti botëror karakterizohet nga konfliktet dhe erërat e luftërave, shkaktuar e përforcuar nga fenomene shpesh të denoncuara, jo vetëm nga Selia e Shenjtë, e përsëri të numëruar në mesazh: nga kapitalizmi financiar i çrregulluar deri te terrorizmi, madje deri te fenomenet e fundamentalizmave e të fantazmave që e shpërfytyrojnë fytyrën e vërtetë të feve. Po nuk duhet të dorëzohemi para ashpërsisë së frymëzuar nga kriteret e pushtetit apo të përfitimit, ripohon edhe një herë Papa Benedikti XVI e propozon edhe më me fuqi një slogan të njohur të Palit VI, jashtëzakonisht të përshtatshëm për tweet: “Paqja nuk është një ëndërr, nuk është një utopi: është e mundshme”. “Për t’u bërë veprimtarë të vërtetë të paqes – shkruan Papa – është themelore vëmendja ndaj përmasës transhendentale dhe bashkëbiseda e përhershme me Zotin”. Sipas Atit të Shenjtë, “njeriu kështu mund të fitojë mbi atë farë të errësirës e të mohimit të paqes që është mëkat në të gjitha format e veta: egoizëm e dhunë, lakmi e vullnet për fuqi dhe dominim, intolerancë, urrejtje e struktura të padrejta”. Kohët tona, që karakterizohen nga globalizimi, me aspektet e veta pozitive e negative, si konfliktet e përgjakshme që akoma po zhvillohen në shumë vise e nga kërcënimi i luftërave, “kërkojnë prej nesh një angazhim të përforcuar dhe koral në kërkim të së mirës së përbashkët, në mbështetjen e zhvillimit të të gjithë njerëzve e të njeriut në tërësi”, vëren Papa, që mes tjerash na tërheq vëmendjen e rolit të vërtetë që duhet të kenë institucionet dhe Kisha në favorizimin e një “kulture të vërtetë të paqes”.
Komenti i Drejtorit të Radio Vatikanit, Atë Lombardi për mesazhin papnor të Ditës Botërore të Paqes/Të premten e kaluar, u paraqit në Vatikan, mesazhi i Benediktit XVI për Ditën Botërore të Paqes, e cila si zakonisht, festohet në ditën e Vitit të Ri, më 1 janar 2013. Ati i Shenjtë Ratcinger uron që bota të ndjekë një model të ri ekonomik e t’i japë fund diktaturës së relativizmit, e cila e ka bërë çdo veprim të justifikueshëm, pavarësisht nga pasojat që sjell. Ja edhe komenti i atë Federiko Lombardit: “Mesazhi i Papës për Ditën e ardhshme Botërore të Paqes, 1 janar 2013, titullohet “Lum veprimtarët e paqes”, pikërisht ashtu siç thuhet në lumnitë ungjillore. Ata, që ia besojnë vetveten Zotit dhe premtimeve të Tij, “duken shpesh në sytë e botës si naivë e larg realitetit”, por, pavarësisht nga kjo – thotë Papa Benedikti XVI – marrin pjesë “në përvojën e gëzueshme të një dhurate të jashtëzakonshme”. Mesazhi shkon kundër rrymës për shumë aspekte: pohon se “parakusht për paqen” është “çrrënjosja e diktaturës së relativizmit dhe e moralit krejtësisht autonom, i cili e përjashton njohjen e ligjit moral natyror të shkruar nga Zoti në ndërgjegjen e çdo njeriu”. Pastaj flet për mbrojtjen e jetës, për martesën, për lirinë fetare e për të drejtën e kundërshtimit për hir të ndërgjegjes. E jo vetëm kaq: në kontekstin aktual të krizës, Papa ngul këmbë në funksionin shoqëror të Shtetit, në të drejtën për punë, në faktin se kriza ushqimore është më e rëndë se ajo financiare, në nevojën e një modeli zhvillimi të bazuar jo mbi fitimin dhe egoizmin, por mbi të mirën e përbashkët, vëllazërimin, vlerën e dhurimit falas. Njerëzit edukohen për paqen me largpamësi, në familje, në shkollë e në bashkësinë fetare e civile; me pedagogji të vërtetë, të kujdesshme ndaj fjalëve, gjesteve, sjelljeve. 50 vjet më parë, Papa Gjoni XXIII botonte enciklikën e famshme “Pacem in terris” e thoshte se shtyllat me të cilat mbahet paqja janë e vërteta, liria, dashuria dhe drejtësia. Sepse paqja është një rend, që merr jetë e integrohet nga dashuria, e cila të bën t’i ndjesh si të tuat nevojat e tjetrit e ta lejosh atë të marrë pjesë në pasurinë tënde. Ndoshta, e gjithë kjo duket si naive, por e dimë të gjithë se është e drejtë. Le të përpiqemi pra, përsëri për këtë”.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›