E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama mbledh kryebashkiakët: Përmbytjet treguan papërgjegjshmëri qytetare, lemeri, nevojë për masa urgjente

Kryeministri Edi Rama vijon me takimet e radhës me kryebashkiakët e vendit. Këtë të shtunë, takimi u zhvillua në qytetin e Durrësit, ku u diskutuan çështjet kryesore për fillimin e vitit dhe sfidat me të cilat përballet administrimi lokal.

Rama theksoi rëndësinë e përballimit të emergjencave, veçanërisht pas situatave atmosferike të vështira që goditën territorin në ditët e para të vitit, për shkak të thatësirës, zjarreve dhe reshjeve të papritura si pasojë e ndryshimeve klimatike.

“Kemi parë se situata u ndërlikua edhe nga papërgjegjshmëria e qytetarëve që hedhin mbetjet plastike në rrugë, duke bllokuar rrjetet e kullimit dhe duke shkaktuar dëme të pariparueshme për jetesën e detit dhe cilësinë e ushqimeve tona,” u shpreh Rama.

Kryeministri njoftoi ngritjen e një taskforce të përbashkët mes qeverisë dhe pushtetit vendor për të konceptuar një plan në tre faza, nga sensibilizimi deri te veprimi konkret në shumë dimensione, për të parandaluar dhe menaxhuar situatat emergjente dhe papërgjegjshmërinë qytetare.

Rama:

Viti nisi me një situatë tejet të vështirë atmosferike që preku një pjesë jo të vogël të territorit të komuniteteve dhe që na përballi me sfidën e emergjencës, në kushtet që emergjencat po bëhen sistematike dhe po marrin një profil tjetër, si rezultat i ndryshimeve klimatike.
Kemi më shumë thatësirë dhe zjarre dhe kemi më shumë befasira në aspektin e atmosferës, ku krijohen vorbulla si ajo e ditëve të para të vitit. Të cilat, sipas ekspertëve, janë vorbulla që mund të trajtohen me gjuhën e përditshme si ngecje në qarkullimin e flukseve të ajrit dhe krijojnë përqëndrime dhe reshje shiu dhe bore të një intensiteti shumë të lartë.

Në këto kushte nuk ka shumë për të bërë në aspektin e përballimit dhe intensitetit të lartë të reshjeve, por ka elementë të kësaj situate që lidhen me njeriun.
Pamë se si kjo situatë u ndërlikua edhe nga papërgjegjshmëria rrënqethëse e shumë kujt ndër ne që, si qytetarë i kësaj republike apo si vizitor, kryesisht shqipfolës, hedhin mbetjet plastike të konsumit të tyre të përditshëm.

Edhe gjithë kjo sasi e madhe që hidhet rrugëve, ku këtu hyn edhe mungesa e një menaxhimi të mbetjeve të konsumit familjar në territoret rurale, mblidhet dhe, falë erës dhe falë ujërave të ngritur nga këto situata, bie dhe bllokon pika kyçe të rrjetit të kullimit, siç ndodhi në Shkozet, në Gjirokastër dhe në disa pika të tjera.

Duhet të angazhohemi ta vëmë në kontroll këtë faktor kaq të rrezikshëm dhe të dëmshëm. Ka dëme të pariparueshme për jetesën e detit, ka dëme të pa riparueshme për cilësinë e ushqimeve tona, etj., etj.
Duhet të bëjmë çmos për ta frenuar këtë lemeri papërgjegjshmërie qytetare të kujdoqoftë prej nesh. Ky është krim shqiptar. Nuk është një krim ku mund të vendosim gishtin për të gjetur bashkëfajtor te turistët e huaj. Për këtë duhet të marrim masa të shpejta.

I kam kërkuar ministrit të pushtetit vendor të ngrejë një task-forcë të përbashkët mes qeverisë dhe pushtetit vendor, për të konceptuar një plan me tre faza, që nga sensibilizimi te veprimi në shumë dimensione.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›