Rama mbledh për herë të parë qeverinë e re (FOTO)
Kryeministri në ardhje, Edi Rama, ka mbledhur për herë të parë gjatë ditës së djeshme në Vlorë, qeverinë e re.
Në kureshtjen dhe interesimin e madh të gazetarëve, por edhe të qytetarëve të Vlorës, ministrat e qeverisë së re janë mbledhur në një ambient privat pranë Ujit të Ftohtë.
Fillimisht janë paraqitur ministrat e propozuar nga LSI-ja, me të cilët Rama ka pirë një kafe më vete, si për të shuar kështu zërat se ka dy qeveri, një që drejtohet nga PS dhe një tjetër nga LSI.
Para nisjes së takimit, Rama njoftoi përmes profilit të tij në Twitter, Rama njoftoi se mbledhja do të zgjasë për dy ditë me radhë. Në postimin e shkurtër të tij, Rama ka premtuar reforma rrënjësore.
Vlorë. Takim dy ditor i qeverisë së re. Reforma rrënjësore, shpirt skuadre, qytetari europiane në komunikim. Kurajo, integritet, transparencë- shkruan Rama.
Mësohet se gjatë takimit në ditën e parë është diskutuar për programin qeverisës. Kanë qenë dy bashkëhartuesit e programit, Ilir Beqja nga PS dhe Edmond Haxhinasto nga LSI, ata të cilët kanë mbajtur një fjalim sqarues rreth pikave të programit të përbashkët PS-LSI.
Më pas ka qenë radha e ministrave, të cilët kanë paraqitur planet dhe idetë e tyre paraprake për ministritë që do të drejtojnë.
Në fund të takimit, Rama është shprehur i emocionuar, emocione të cilat i ka ndarë me fansat e tij në rrjetet sociale. Përveç emocioneve, ai ka ndarë me ta edhe një foto nga takimi me ministrat e qeverisë së re.
Shumë i mbresuar pozitivisht nga puna përgatitore, paraqitja e planeve të ministrave dhe diskutimi i ideve në grup, shprehet Rama./b.l
