Rama me të rinjtë: Ta harrojë ndonjë deputet apo ministër se do të çojë fëmijë a të afërm në ambasada
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë një takimi me studentë të ekselencës të Universitetit të Tiranës, ka bërë një zotim, që vjen pas lajmit se mes tij dhe djalit të Neritan Cekës ka pasur një incident në Vjenë.
Rama deklaroi se asnjë fëmijë deputetësh, ministrash apo të afërm të tyre, nuk do jetë në ambasada.
Është bërë një sqarim nga zyra e shtypit dhe sinqerisht është për të ardhur keq dhe mëshiruar këtë gjendje në të cilën ndodhet ky pushtet, kjo qeveri, ky Kryeministër, që angazhohen në një batërdi në mes të parlamentit për të ngritur një valë mbi hiçin, mbi diçka që duhet rregulluar dhe do ta rregullojmë patjetër pas 23 qershorit.
Unë zotohem se kush do jetë deputet apo ministër të harrojë se do çojë djalë, vajzë, teze, hallë, dajë e deri tek kushëriri i tretë, tek një ambasadë që përfaqëson Republikën e Shqipërisë, tha Rama.
I pyetur se çfarë ka ndodhur mes tij dhe djalit të Cekës, Rama ka bërë shaka duke thënë se Fevziu po ngulmon të dijë se çfarë ka ndodhur./ep