Rama me të rinjtë e PD-së: Bashkohemi te numri 5-së, fusim Shqipërinë në BE dhe pastaj shpërndahemi prapë

TIRANË, 23 mars/ATSH/- Kryeministri Edi Rama është takuar pak minuta para mesnate me një grup të rinjsh në qytetin e Vlorës.
“Kërkoj ndihmë. Jam peng i rinisë demokratike, FRPD-ja. Peng i një grupi terrorist. Terroristë nga Vlora”, shprehet Rama krahas videos të publikuar në rrjetet social ku shkruan: “deti fle, po as Vlora s’fle dhe as “armiqtë” më të bukur në botë nuk flenë”.
Rama shprehet se “qenka gjë e bukur të jesh peng. Ju falënderoj të gjithëve. Unë më të bukur se ju nuk kam parë ndonjëherë”, tha kryetari i PS-së duke iu drejtuar të rinjve.
Kreu i PS-së tha se nuk është e nevojshme që të rinjtë demokratë të bashkohen me Partinë Socialiste, por të votojnë numrin pesë në fletën e votimit për të anëtarësuar Shqipërinë në BE.
“me Partinë Socialiste s’ka nevojë të bashkoheni, por të bashkoheni te numri pesë, të fusim Shqipërinë në BE, thajmë kënetën dhe pastaj shpërndahemi prapë”, theksoi Rama.