Rama ndan fotoalbumin: Krenar për Forcat tona të Armatosura

TIRANË, 5 prill /ATSH/ Kryeministrit Edi Rama, vizitoi këtë të shtunë Komandën e Forcës Tokësore, në Zall-Herr, së bashku me Ministrin e Mbrojtjes Pirro Vengu dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FA-ve Gjenerallejtënant Arben Kingji.
Rama ndau në rrjetet sociale një fotoalbum nga vizita e sotme teksa u shpreh “krenar për Forcat tona të Armatosura”.
Kryeministri Rama u takua me ushtarakë, oficerë e nënoficerë, si dhe studentë dhe të rinj të interesuar për t’u rekrutuar në radhët e Forcave të Armatosura Shqiptare.
Gjatë vizitës, e cila përkon me 16-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, si dhe 76 vjetorin e krijimit të Aleancës, Kryeministri Rama ndoqi edhe një demonstrim nga Regjimenti i Operacioneve Speciale, të cilët stërviten me forcat amerikane, që ndodhen aty çdo ditë, që prej 1 viti.
Pjesë e demonstrimit ishte edhe ekspozita me kapacitetet logjistike, pajisje dhe mjete ushtarake të Forcave tona të Armatosura. /j.p/