Rama në Belsh: Qeveria ka shpenzuar para më shumë nga sa ka ndërtuar rrugë
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama e nis javën me takime në zonën e Elbasanit, duke u ndalur fillimisht në Belsh.
Në fjalën e tij, kryesocialisti Rama akuzoi qeverinë se ka shpenzuar më shumë nga sa ka ndërtuar rrugë.
Sot pas 4 vjetësh ka më shumë gropa në këtë rrugë, ka më shumë zymti në këtë vend ku ka mbetur vetëm shpirti i mirë i njerëzve por nuk ka asgjë tjetër përveç rrënimit, asnjë ndryshim për mirë. Vetëm rrënim nga të katër anët, gropa dhe braktisje. Ky është realiteti. Qeveria thotë kemi bërë rrugë dhe Sali thotë kemi shpenzuar shumë për rrugët dhe këtu fillon arsyeja për ta ndëshkuar këtë qeveri se ka shpenzuar më shumë para se sa kanë shtruar rrugë tha Rama.
Ndërsa u kërkoi votën qytetarëve të Belshit, kryesocialisti Rama theksoi se vota për PS-në në 23 qershor është për t`i hapur rrugë ndryshimit të jetës së tyre.
Unë jam shumë krenar që bashkë me Benin dhe me Qazimin kemi ardhur këtu për të folur me ju duke pasur privilegjin e madh që në emër të PS-së të mbështesim me gjithë zemër një socialist 24 karat dhe një deputet të përkushtuar si Musa Ulqini, si dhe njerëz të zgjedhur këtu prej jush, si Mediun dhe Altinin, që plotësojnë më së miri këtë skuadër të vogël, që do të jetë kontributore e shkëlqyer e PS-së në 23 qershor” tha Rama.
Kryesocialisti Rama theksoi më tej se Partia Socialiste ka në program rilindjen e fshatit I cili sipas tij është mjaft i rëndësishëm për zhvillimin e vendit.