E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama në Luksemburg, nis konferenca e katërt ndërqeveritare Shqipëri-BE

TIRANË, 14 prill /ATSH/ Në Luksemburg ka nisur pasditen e sotme konferenca e katërt ndërqeveritare Shqipëri – BE, ku Shqipëria do të çelë grupkapitullin e dytë të negociatave me Bashkimin Europian – “Tregu i Brendshëm”.

Kryeministri Edi Rama, kryeson delegacionin shqiptar në këto bisedime, i përbërë nga ministra, zëvendësministra dhe drejtues të punës për kapituj përkatës.

Në nisje të konferencës Kryeministri Rama mban fjalën hapëse, në emër të Shqipërisë ndërsa në emër të BE, deklarata do të mbahet nga Radosław Sikorski, ministër i Punëve të Jashtme të Polonisë, e cila mban Presidencën e Këshillit të BE.

Në përfundim të punimeve të konferencës, Kryeministri Edi Rama, ministri i Punëve të Jashtme të Polonisë Radosław Sikorski dhe Komisionerja e BE-së për Zgjerimin Marta Kos do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Grupkapitulli i II-të I negociatave përmban kapitullin 1 (Lëvizja e lirë e mallrave), kapitullin 2 (Lëvizja e Lirë e Punëtorëve), kapitulli 3 (E drejta e themelimit dhe liria për të ofruar shërbime), kapitulli 4 (Lëvizja e lirë e kapitalit), kapitulli 6 (Legjislacioni për Shoqëritë Tregtare), kapitulli 7 (E drejta e pronësisë intelektuale), kapitulli 8 (Politika e konkurrencës), kapitulli 9 (Shërbimet Financiare  dhe kapitulli 28 (Mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit). /j.p/

1 nga 5

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›