E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama në Përmet: Kemi gjithçka, përveç shtetit (një falënderim edhe për ish- deputetin Flamur Hoxha)

vladimir kostaKryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ishte në mbrëmje në qytetin e Përmetit, në mitingun e radhës.

Përshëndetje me mirënjohjen më të thellë për këtë mikpritje fantastike në një pjesë kaq të mrekullueshme të Shqipërisë, që i dha këtij kombi Sami Frashërin, Abdyl Frashërin dhe Naim Frashërin. I dha këtij kombi burimin e pashtershëm të një frymëzimi që përçohet gjeneratë pas gjenerate për të ardhur deri këtu sot tek gjenerata jonë për një Rilindje Shqiptare.

Është e vërtetë, edhe unë kam ardhur shumë herë këtu në Përmet, kam pasur edhe fatin të flas nga tribuna, por ju siguroj se një pamje të tillë si ajo që kam tani para syve nuk e kam parë kurrë, tha Rama në krye të fjalës së tij.

Më pas kryetari i PS tha se Shqipëria ka gjithçka, por nuk ka shtet.

Zoti apo Natyra, zgjidheni vet, u treguan shumë bujarë me Shqipërinë, e vizatuan e qëndisën dhe e ngjyrosën Shqipërinë në një mënyrë të mrekullueshme, i dhanë Shqipërisë ujë si askujt tjetër, i dhanë Shqipërisë diell nëntë muaj të vitit, i dhanë Shqipërisë naftë si askund rreth e rrotull nesh. I dhanë Shqipërisë pasuri nëntokësore të mjaftueshme që ky popull të jetë larg, shumë larg varfërisë, i dhanë Shqipërisë det, kodra, male, i dhanë Shqipërisë një hapësirë ku sot varfëria ka vetëm një arsye; Shqipëria nuk ka shtet. Ku sot papunësia ka vetëm një arsye; Shqipëria nuk ka shtet. Ku sot pasiguria dhe krimi që ka dalë jashtë kontrollit ka vetëm një arsye; Shqipëria nuk ka shtet. Por Shqipëria ka një popull me energji të jashtëzakonshme dhe Shqipërisë i duhet vetëm një qeveri që ti rrijë popullit në krah dhe Shqipëria bëhet si në ëndrrat më të bukura të Sami Frashërit, tha Rama.

Shqipëria është populli me moshën më të re në Europë dhe është i vetmi vend në botë që ka një kryeministër 70 vjeç, jo më! Jo më! E dini ju që presidenti Klinton që ka gati 15 vjet që e ka lënë detyrën është më i vogël se ky katragjyshi me antiplumb që vjen vërdallë me 200 roje e me qen që kërkojnë nëpër turmë mos ka ndonjë bombë e snajpera që hipin pallateve ndërsa ky u flet fëmijëve të shkollave? vijoi kryetari i PS.

Pasi bëri të ditura disa nga pikat kryesore të programit të PS, Rama e mbylli fjalimin e tij me falënderime për ish- deputetin e PS, Flamur Hoxha, por edhe për kandidatët aktualë.

Këtu dua të falënderoj një përmetar si ju që duhet të jetë këtu rrotull, quhet Flamur Hoxha. I jam mirënjohës që bashkë me të tjerë po lufton për Rilindjen, siç i jam mirënjohës gjithë këtyre burrave të tjerë Vladimir Kostës, Arben Ahmetajt, Erionit, Anastasit, Klementit e të tjerëve./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›