Berisha i rikthehet akuzave: Rama nuk ka pasur as rini, as burrëri
Kryeministri Sali Berisha, edhe pse premtoi pak ditë më parë se nuk do të merret më me jetën e kundërshtarit të tij politik, shpërtheu në akuza sot në Laç, ndërsa ishte duke zhvilluar mitingun e radhës.
Berisha tha se kryetari i PS, Edi Rama, nuk ka pasur as rini dhe as burrëri.
Prej 3 javësh merret me nipërit e mbesat e mia, dhe Sali Berishën, gjyshin e tyre. Çdo ditë njeriut ia jep Zoti, por më të bekuara mbi tokë janë ato vite kur jeton si gjysh i nipërve dhe mbesave të tu, këtë e ka të qartë çdo njeri, përveç atij që ka pasur vitet e rinisë pa rini, vitet e burrërisë pa burrëri. Kjo nuk është çështja e jonë, tha Berisha.
Alternativa tjetër është ajo që përpiqet të mbjellë dëshpërim dhe zi në çdo skaj të këtij vendi. Për shoferin e autobusit mavi këto vite në Shqipëri nuk ka ndodhur asgjë e mirë dhe kudo që shkon ka vetëm rrënim sepse ky nuk sheh asgjë nga autobusi mavi me xhama të zi. Me lumenjtë e djersës ju keni ngritur Shqipërinë tjetër nga kasolle në vila e pallate dinjitoze, paçka se udhëton nga Hani i Hotit në Konispol në rrugë të reja ai si një personazh i Servantesit vazhdon betejën kundër rrugëve. Iu thotë shqiptarëve se 20 vite ne nuk kemi bërë asgjë se ju jeni robër kjo është Shqipëria që ekziston në mendjen e tij, tha Berisha./ep