Rama në Selanik: Qeveria ka tradhtuar interesat kombëtare për klientët e pushtetit
Kryesocialisti u ka kërkuar emigrantëve të jenë pjesë reale e ndryshimit në Shqipëri
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka qenë në qytetin e Selanikut në Greqi ku ka zhvilluar një takim me emigrantët shqiptarë, të cilëve u ka kërkuar të bëhen pjesë reale dhe e drejtpërdrejtë e ndryshimit në Shqipëri. Gjatë fjalës së tij shefi i opozitës ka akuzuar qeverinë aktuale dhe kryeministrin Berisha se janë shndërruar në një klan që funksionon vetëm për interesa personale të njerëzve pranë tyre.
Një gjë është e sigurt që nuk mund të lihet më qeveria e sotme të vazhdojë të grabisë dhe të mbysë Shqipërinë me argumentin që po këta të tjerët çfarë do të bëjnë?. Në fund të fundit kontratën populli e ka me ata që qeverisin. Janë ata që qeverisin që duhet të japin përgjigje një më një për çdo pikë të shkelur të kontratës. Kjo qeveri e ka grisur kontratën me popullin dhe për këtë arsye populli duhet ta flakë me votë në zgjedhjet e ardhshme. Ndërkohë që pa asnjë dyshim duhet që qeverinë e re ta gjykojë vetëm përmes provave dhe në rast se edhe qeveria tjetër nuk i përmbush pikat e kontratës me popullin, populli përsëri e ndërron. Kjo është edhe ajo që e bën demokracinë të funksionojë, mundësia për ta ndryshuar qeverinë kur qeveria nuk respekton kontratën me popullin u shpreh Rama.
Më tej kryesocialisti e ka vënë theksin tek programi për një Rilindje Shqiptare, i cili sipas tij do të jetë themeli i një politike të re për Shqipërinë e shqiptarët.
13 korrik 2012 (gazeta-Shqip.com)
Rama në Selanik: Qeveria ka tradhtuar interesat kombëtare për klientët e pushtetit burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip