Rama në Selanik: Tani partinë e kemi të pastër”

Nën shembullin e operacioneve “Fshesa”, Edi Rama ka shpallur në qytetin e dytë më të madh të Greqisë, suksesin që pati fshesa e tij më e fundit politike. Arroganca e kryetarit socialist shkonte shumë më sfondin e krizës greke, por edhe me marrëdhëniet e vjetra e të reja dashamirëse që ai ka ndërtuar me klasën politike greke që po pret të dalë nga skena
Dikujt, me të drejtë mund t’i duket se Rama ka filluar një punë të re, si shitës ambulant i librit të tij, ku u vërdallis jo vetëm brenda trojeve shqiptare (Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni) por edhe jashtë tyre, deri në Selanik. Prej andej, bëri edhe deklarata të kobshme, i alarmuar nga kriza ekonomike e fqinjit tonë jugor. Por, axhenda e tij e vërtetë nuk ishte “Kurban”-i apo prekja nga afër e problemeve të emigrantëve shqiptarë atje, vështirësi të cilat sigurisht që lidhen me punësimin, shkollimin e fëmijëve dhe sigurimin e të drejtave brenda atyre rregullave dhe normave ligjore si taksapagues të rregullt. Cilën nga këto përmendi Rama si problem shqetësues, për emigrantët shqiptarë, gjatë dy ditëve në Selanik? Asnjë! Bashkëbisedimin e shkurtër me emigrantët e ktheu në rrëfenjë për gabimet e tij në politikë, humbjet dhe dështimet e kushtueshme elektorale. Me një mesazh në Tëitter, u kujtua të kujtojë problemet e përditshme me të cilat rroken çdo ditë shqiptarët atje; “shqetësim i madh për të ardhmen mes shqiptarëve të Selanikut. Kriza greke ka hyrë thellë në xhepat e tyre”. Dhe si pa të keq, pyetjeve të të pranishmëve në promovimin ambulant të “Kurban”-it, rreth situatës ekonomike dhe vështirësive financiare në Evropë dhe Botë, por edhe impaktin e tyre në ekonominë shqiptare, e cila influencohet lehtë nga qëllimet dashakeqe shpesh herë të opozitës së Edi Ramës, ky i fundit u dha përgjigjen e shpresës dhe të mbijetesës; “të gjitha këto i gjeni në librin tim ‘Kurban’. Nëse keni pyetje për zhvillimet e sotme dhe të nesërmen në politikën shqiptare, përgjigjet do t’i gjeni në librin tim”. Dukshëm, gjithçka është në funksion të rritjes së tirazhit dhe prej tij, fitimet. Dhe pikërisht nga Selaniku, Rama gjeti kohën t’i kthente përgjigje kritikave të ish presidentit Rexhep Meidani, mbi hartimin e programit politik të PS, metodikën e zbatimit të vendimeve të grupit parlamentar, të cilat në pjesën nevralgjike të tyre janë tërësisht vendime eunuke dhe pa bazë të mirëfilltë morale dhe etike. Por po ashtu, çmenduria e Ramës për hapjen e 300 mijë vende pune, nga i gjithë faktori politik por edhe ai i lidhur me sferën ekonomike, shprehu habi për guximin e sajimit të një thagme me përmasa dramatike. Megjithatë, deklaratat e Ramës janë as më shumë e as më pak se sa mutacione krize dhe paqëndrueshmërie politike dhe ekonomike, që ai prej 3 vitesh po tenton të amplifikojë në sistemin e qëndrueshëm politik dhe atë imun ekonomiko-financiar. Qëndrimi i tij dy ditor në Selanik, pa dyshim që s’kishte lidhje vetëm me promovimin e librit me mllefe dhe qëndrime personale me personalitete të politikës vendase, kryesisht ndaj rivalëve të tij, por në vetvete mbartte një axhendë raportimi te lobi i tij, konsulentë privatë apo edhe të lidhur me pushtetin atje, rreth asaj që ndodhi në Partinë Socialiste. Spastrimet e atyshme, paralajmërimet me burgosje politike dhe ekzile s’dihet se ku, për t’i bërë gropën secilit prej të klasifikuarve si të padëshiruar në parti dhe problematikë për rezistencën e propagandës politike. I vetmi problem për momentin është ai me Kastriot Islamin, për të cilin ende ndihet i pafuqishëm nëse do ia dalë ta çrregjistrojë nga PS, apo dhe në rastin më të mirë, do t’i lindë një tjetër front përplasje mes klaneve, që mund të sillte edhe fundin politik të Ramës në krye të PS-së. Gjithsesi, duke u ndalur te vizita e Ramës në Greqi, kujtojmë këtu që demonstrata e dhunshme e 21 janarit, tentativa më e pastër për grusht shteti, ishte një organizim që shtriu ndikimin e tij deri në Selanik, qytetit të dytë më të madh të Greqisë, ku celula të mirë-organizuara, të dhunshme dhe të stërvitura për protesta të përgjakshme kundër institucioneve demokratike dhe cenim të rendit e qetësisë publike, u vërtitën drejt Shqipërisë. Ndaj, jo më kot, Rama vizitën e tij në Selanik nuk e lidh domosdo me bashkëbisedimin me emigrantët, por pikërisht me raportimin e radhës rreth zhvillimeve në PS dhe zhdukjen e klaneve aty, përmes një lufte të paprecedentë të nxitur nga ekstremistë. Megjithatë, vajtje – ardhja Tiranë – Selanik nuk i rezervoi mjaftueshëm rezistencën e ‘Maos’ në krye të kupolës së brezit të dytë të nomeklaturës komuniste në PS. Ngrehina socialiste është akoma më shumë një strukturë e brishtë dhe në prag të shkërmoqjes politike, si pasojë e pamundësisë për t’i rezistuar zemërimit të ithtarëve socialistë.
...