Rama në Vlorë, inspekton Qendrën Multifunksionale të Zhvillimit Rajonal

TIRANË, 23 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet sot në Vlorë, inspektoi edhe Qendrën Multifunksionale të Zhvillimit Rajonal, e cila do të kthehet në një vatër të teknologjisë dhe inovacionit me plot aktivitete sociale e kulturore për të rinj e të reja që kanë prirje digjitale.
Kryeministri Rama u rikthye sërish, pas inspektimit në muajin nëntor të vitit të kaluar, në kantierin ku po punohet intensivisht për finalizimin e këtij projekti.
“Praktikisht ne kemi përfunduar fazën e parë që është gjithë ristrukturimi i godinës, çarjet, fasadat dhe ndarjet e brendshme. Do hyjmë në fazën e dytë që është interiori, instalimet e brendshme, ndërkohë që kemi në kontratë edhe pjesën e parkimit. Parkimi brenda vitit them se do jetë funksional”, shpjegoi drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli.
Nga ana e tij, Kryeministri Rama vlerësoi punën transformuese dhe theksoi se qendra do të jetë unike në pamjen e saj.
“Kjo ishte një kufomë në mes të sheshit. Kanë bërë një punë të jashtëzakonshme. Ky është si një shesh me godinë, nuk është më një tmerr. Kjo do jetë, një qendër spektakolare e teknologjisë, start-up, art, kulturë, zhvillim rajonal. Kjo është shëtitore vertikale që njerëzit mund të lëvizin lart e poshtë dhe u krijon dhe pika qëndrimi, kafe-bar. Nga çfarë kemi folur me disa të huaj, këto do vijnë do vendosen dhe të huaj, start-up të huaja këtu. Kjo godinë do ketë legjislacionin e veçantë, do ketë legjislacionin e techno-park. Kush hyn këtu brenda do ketë një status tjetër”, u shpreh ai.
1 nga 7/r.e/