E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama në Vlorë, inspekton kantierin për rigjenerimin urban të Bulevardit të Palmave dhe Agrumeve

TIRANË, 23 mars /ATSH/ Transformimi urban i Vlorës nuk ndalet, falë një sërë projekteve që po zhvillohen paralelisht në lagje, rrugë dhe sheshe të qytetit.

Hapësira ku shtrihet Bulevardi i Palmave dhe Agrumeve, në hyrje të Vlorës, është një sipërfaqe ku po investohet për rigjenerimin urban, për ta shndërruar nga një vend i lënë në harresë, në një zonë krejtësisht të rehabilituar, me rrugë kalimi për makinat, me pedonale për këmbësorët, me vende parkimi e korsi biçikletash, fasada, fusha sportive, duke i rritur njëkohësisht vlerat edhe bizneseve të zonës.

Kryeministri Rama e vijoi në këtë kantier inspektimin e radhës, i shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha.

“Kjo do jetë dhe rrugë kalimi, dhe rrugë pedonale këmbësorësh, duke qenë se është zgjeruar. Logjika e kësaj është logjikë e bulevardit pratikisht të Vlorës, duke i dhënë më shumë aksesibilitet këmbësorëve.

Kjo ka qenë një zonë komplet e degraduar, ndërkohë që ishte një nga hyrjet kryesore të Vlorës”, shpjegoi drejtori i FSHZH, Dritan Agolli.

Ndërkohë, Kryeministri Rama vlerësoi punën e bërë dhe sugjeroi lidhur me disa detaje të mobilimit urban, në mënyrë që rruga të jetë sa më funksionale. Ai theksoi ndër të tjera se me përfundimin e rrugës do të rritet ndjeshëm vlera bizneseve të asaj zone.

Gjithë projekti është konceptuar i ndarë në 3 bulevarde: Bulevardi i palmave; Bulevardi i jacarandave; Bulevardi i agrumeve, ku secili prej tyre është unik dhe dallon nga gjelbërimi i përdorur në të dhe detajet e mobilimit urban.

Gjithashtu, në këtë projekt parashikohen edhe zona rekreative të cilat janë konceptuar mbi idenë e krijimit të një kopshti me llojshmëri gjelbërimi.

1 nga 4

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›