E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama në konferencën e përbashkët me Stoltenberg: Përshkallëzimi i tensioneve në veri të Kosovës mund të sjellë fund katastrofik

Nga Holanda, ku ishte i pranishëm në konferencën e përbashkët për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s dhe krerë të shteteve të tjera anëtarë të aleancës, kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se përshkallëzimi i mëtejshëm i situatës në veri të Kosovës mund të sjellë një fund katastrofik.

Në fjalën e tij, Rama tha se dialogu i ndërmjetësuar nga BE duhet të arrijë sukses, duke shtuar se përshkallëzimi do të sillte një thyerje në rajon.

“Vullneti për të qenë me Ukrainën deri në fund është i palëkundur dhe kushdo që mund të vërë bast mbi shanset për të thyer këtë solidaritet dhe për të ndarë NATO-n ka humbur dhe do të humbasë deri në fund. Ne mund të diskutojmë edhe mbi situatën shqetësuese në Ballkanin perëndimor në mënyrë më precize në Kosovën veriore ku ushtarët e KFOR u lënduan disa javë më parë dhe shpresojmë që logjika të mbizotërojë dhe që ulja e përshkallëzimit të fillojë sa më shpejt sepse çdo përshkallëzim mund të sjellë fund katastrofik dhe ne nuk duam të shohim një thyerje në rajonin tonë që ka bërë shumë punë të mira deri tani”, tha Rama.

I pyetur nga gazetarja e RTSH-së, Denada Shkodrani se cila mund të jetë zgjidhja për këtë situatë, Rama tha se përshkallëzimi është një kërcënim real dhe se duhet nxitur dialogu nga njëra anë dhe nga ana tjetër të bëhet e qartë që KFOR do vijojë të garantojë stabilitet.

Situatën e krijuar, Rama e konsideroi një “spirale absurditeti” që, sipas tij, duhet ndalur për të mos lejuar që të hedhë poshtë atë që është ndërtuar në rajon me ndihmën e BE.

“Thjesht vetëm për ta bërë të qartë, unë thjeshtë deklarova se perspektiva e krijimit të një Donbas të vogël në mes të Europës për shkak të një përshkallëzimi është një kërcënim real dhe ne duhet të bëjmë atë që duhet të bëjmë për ta parandaluam, duke nxitur nga njëra anë dialogun dhe duke e bërë të qartë nëpërmjet NATO-s që KFOR do jetë aty për të garantuar integritetin dhe stabilitetin në rast të ndonjë ndërprerje që mund të ndodhë për shkak të një përshkallëzimi të papërgjegjshëm. Të gjithë e kuptojmë që është koha për të vepruar dhe për të mos lejuar këtë spirale absurditeti të hedhe poshtë atë që kemi ndërtuar me ndihmën e BE në rajon”, u shpreh kryeministri.

Takimi u zhvillua në vigjilje të Samitit të NATO-s që do të mbahet në Vilnius të Lituanisë më datat 11-12 korrik, ndërsa në fjalën e tij, Stoltenberg e vuri theksin te lufta në Ukrainë. Ai u shpreh se është e rëndësishme që të mos ndërpritet mbështetja ndaj Ukrainës, teksa shtoi se pret që Samiti të dërgojë mesazhin e qartë për përkushtimin e palëkundur të vendeve të perëndimit.

“Ne nuk duhet ta nënvlerësojmë Rusinë dhe është e rëndësishme që ne të vazhdojmë të sigurojmë Ukrainën me mbështetjen tonë dhe pres që Samiti ynë pas disa javësh do dërgojë një mesazh të qartë të përkushtimit tonë. Lufta është e vështirë, por forcat ukrainase po bëjnë progres. Sa më shumë territore që ukrainasit të çlirojnë, aq më i fortë do të jetë dora jonë në tryezë e negociatave”, tha Stoltenberg.

Edhe kryeministri i Holandës, Mark Rutte u ndal te mbështetja e mëtejshme që duhet të jepet për Ukrainën, teksa theksoi se Rusia duhet të dështojë në këtë luftë.

“Sot pata mirësinë të mirëprisja kolegët nga Shqipëria, Norvegjia, Lituania e vende të tjera dhe ky do të jetë një samit thelbësor sa i përket kërcënimeve në rritje në zonën e NATO-s dhe luftës midis Rusisë dhe Ukrainës. Kemi parë edhe shqetësime të tjera dhe ende shumë gjëra mbeten të paqarta, por ne refuzojmë atë që Putin sugjeroi dje që Rusia të binte në kaos të brendshëm, por destabiliteti në Rusi krijon paqëndrueshmëri edhe në Europë. Putin ka shtuar vuajtjet mbi popullin e Ukrainës dhe ne duhet të jemi të përqendruar në objektivin tonë dhe që të sigurohemi që lufta e Putin kundër Ukrainës të dështojë. Është një luftë e padrejtë dhe lufta është një kërcënim i drejtpërdrejtë i sigurisë sonë sepse nëse arrin sukses në Ukrainë, Putin nuk do ndalet aty”, u shpreh ai.

Të pranishëm në konferencën e përbashkët për shtyp ishin edhe Kryeministri i Belgjikës dhe Norvegjisë si dhe Presidenti i Rumanisë, Polonisë dhe Lituanisë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›