“Rama, në pallatin e gruas, ka larë paratë e gjobave që ju vinte ndërtuesve”

Partia Demokratike fton kreun e opozitës të bëjë transparencë
Partia Demokratike nëpërmjet zëdhënëses së saj, Lura Vorpsi i kërkon kreut të PS Edi Rama të bëjë publike origjinën e 1 milion eurove investim, në pallatin-pajë 5 katësh, që sipas PD është i së shoqes. PD akuzon Ramën se po i fshihet kësaj transparence.
“Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, po i fshihet dhe po refuzon prej disa javësh të bëjë transparencën para publikut për disa çështje të tij korruptive personale dhe familjare që kanë të bëjnë me origjinën e mbi 1 milion eurove investim në pallatin-pajë pesëkatësh, 900 metër katrorë, me burimin e 100 milionë lekëve kredi pa interes të zonjës Basha dhe me çmimin qesharak prej 1,3 euro te truallit të rezidencës së tij, me gjatësi themelesh 57 m, në malin e Dajtit”, deklaroi zëdhënësja e PD, Vorpsi.
Gjithashtu PD ftoi kreun e opozitës Ed Rama, që të mos fshihet, por ti paraqesë publikut nëpërmjet mediave, faturat e parave që investitorët e pallatit në pajë, vëllai i bashkëshortes së tij, i vetëpunësuar sipas regjistrit tatimor dhe xhaxhai i saj pensionist, i kane paguar firmës së ndërtimit.
“Zoti Rama, ka dyshime të forta se në pallatin-pajë, ju personalisht keni larë paratë e gjobave qe u keni vënë ndërtuesve, prandaj ju ftojmë që në përputhje me kodin tatimor dhe ligjin e lëvizjes së vlerave monetare, të bëni publike faturat tatimore dhe numrin e llogarisë dhe bankën në të cilën kanë qenë të depozituara paratë e pallatit në paje, në rast se ato nuk janë para të pista gjobash të vendosura nga ju ndërtuesve të Tiranës apo përfitime tuaja nga grupe kriminale”, theksoi Vorpsi.
Më tej zëdhënësja e PD vuri në duke se kryetar i PD nuk mund të qëndrojë mbi ligjet e vendit.
Sipas saj, “qytetarët e dinë se çfarë do të thotë mungesa e faturave në banka dhe organet tatimore të rreth 1 milion eurove të investuara në pallatin e familjes. Edhe roja e selisë së partisë suaj, e di se kjo mbanë erë - larje parash te pista!”, vijoi ajo.
Ndër të tjera, Partia Demokratike i rikujtoi kreut të PS, Edi Rama se, “ligji për deklarimin e pasurive, kërkon nga ju të tregoni çmimin e vërtetë të blerjes së 8 mijë metër katrorë tokë në malin e Dajtit, pasi çmimi qesharak prej 1.3 euro metrin katror apo 200 lekë në një zonë në të cilën toka është blerë nga qytetarë të tjerë sipas dokumenteve zyrtare, jo 2 dollarë siç e deklaroni se e keni blerë ju, por së paku 22 e më shumë dollarë, dëshmon se ju i fshihni para tatimeve të vendit dhe ILDKP-së, shumën e vërtetë të parave të blerjes së truallit te sarajeve tuaja. Dhe kjo vetëm e vetëm se keni frikë nga origjina e parave me të cilat keni blerë truallin e rezidencës suaj verore”, nënvizoi zëdhënësja e PD, Vorpsi.
Në fund u rikujtua se transparenca është detyrim i prerë ligjor.