Rama në panik, tentoi të shtyjë zgjedhjet – 23 qershori beteja e fundit për të

“Rama tentoi të shtynte zgjedhjet, por i them Ramës se beteja e Muhos është e parafundit në jetën e tij politike, se e fundit do të jetë më 23 qershor”. Kështu u shpreh kryeministri Sali Berisha dje nga Shëngjini, duke i kthyer kështu përgjigje përfundimtare Edi Ramës se Ilirjan Muho nuk kthehet në KQZ, ndërkohë që ka premtuar zgjedhje me standarde dhe të qytetëruara. “Çfarë ofron pala tjetër? Së pari, një mal dhjetë herë më të madh sesa ky mal që keni këtu, me mashtrime dhe trillime. Së dyti, shpifje më të zeza se ujërat që përpunohen në këtë impiant. Së treti, taksat e etërve të tyre. Mos harroni se shumë e shumë nga ne jemi rritur në një sistem, i cili na thoshte nga mëngjesi deri në darkë se jemi vendi i vetëm në botë pa taksa. Këtë e thotë edhe zotëria, do t’i heq taksat, përveç se për të pasurit. Ndërkohë, në atë kohë, ne ishim qytetarët e vetëm në botë që 8 muaj mund dhe djersë tonën merreshin indirekt nga qeveria. Ai beson se duke rrënuar të pasurit do të ndihmojë të varfrit. Ai është kontradiktor. E keni dëgjuar kur shkon nëpër salla dhe thotë se për këta (për ne e ka fjalën, mazhorancën) votojnë vetëm të varfrit. Shikoni hartën, - thotë ai-, se ku votohen, në zonat më të varfra. Së pari, dua t’i them se e kam për nder, për mirënjohje të pakufishme votën e çdo shqiptari, të varfër, të papunë, të mëkëmbur, në punë dhe cilido që është ai. Së dyti, dua t’i them se kurrë nuk mund të ndihmohen të varfrit duke shkatërruar të pasurit. Të varfrit ndihmohen me reforma të thella, të cilat krijojnë çdo ditë vende pune; të cilat u japin atyre mundësi kreditimi, u japim atyre mundësi financimi, u japin atyre gjithnjë një shans të dytë, kur shansi i parë nuk ka funksionuar për ta”- u shpreh kryeministri. Duke iu referuar incidentit të Ramës me diplomatin shqiptar në Vjenë, Berisha tha se atë e ka zënë dëshpërimi nga disfata.
“Frikë, tmerr nga disfata e radhës. Kur unë dhjetë ditë më parë i thash publikisht zotit Rama kontrolloje dëshpërimin, kontrolloje tërbimin, kontrollojë frikën dhe tmerrin që të ka pllakosur, pati shumë njerëz që më shihni me habi. Dhe ja çfarë ndodhi. Ndodhi ajo që nuk ka ndodhur kurrë në historinë e një shteti. Shkoi në kryeqytetin e një vendi mik dhe kreu një akt ndër më të dënueshmit, më ordinerët, më poshtëruesit për veten dhe të tjerët.
Ne shkojmë drejt këtyre zgjedhjeve të vendosur për t’i dhënë vendit zgjedhjet më të qytetëruara, të standardeve më të larta, për të lënë me ‘gisht në gojë’ të gjithë ata të cilët përhapin llafe se shqiptarët nuk dinë të votojnë, se shqiptarët nuk mund të votojnë. Unë u them atyre mos përsërisni marrëzisht shpifjet e Edi Ramës, se shqiptarët dinë të votojnë shumë mirë, se shqiptarët dinë të votojnë si qytetarë të vërtetë perëndimorë, se shqiptarët dinë të respektojnë çdo votë, dinë të respektojnë çdo rezultat. Ndaj dhe të ecim të sigurt drejt 23 qershorit. Ai ditën e gjykimit e ka ditën e ferrit. Ai burrë vetëm këtë ditë nuk e duron dot. Pasi tentoi të shtyjë datën e zgjedhjeve, pasi tentoi të vërë në kolaps institucionin e zgjedhjeve, tani bën betejën e Muhos. I them zotit Rama se beteja e Muhos është beteja jote e parafundit e dështuar, sepse beteja e fundit është më 23 qershor. Kur të mendosh se të kthehet Muho në KQZ, të jesh i sigurt se është kthyer Kuqoja dy herë më shpejtë sesa Muhoja. Ndaj harroje atë. Merri Muhon dhe Kuqon e bëji deputetë, por në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nuk do të shkelin më. Ne do të shkojmë drejt zgjedhjeve të shkëlqyera”- deklaroi kryeministri.