Berisha: Mazhoranca, me program që punëson 250 mijë shqiptarë
Kryeministri Berisha inauguron impiantin e trajtimit të ujërave të ndotura në Shëngjin, Lezhë, investim me vlerë 12 milionë euro. “Numri i turistëve do arrijë 7 milionë në vit për katër vitet e ardhshme”
Deklarata e Kryeministrit: “Beteja e Muhos, e parafundit në jetën politike të Ramës – kreu i PS nuk kontrollon dëshpërimin dhe kryen akte ordinere”
Kryeministri Sali Berisha inauguroi dje impiantin e trajtimit të ujërave të ndotura të kanalizimeve të dy zonave, Shëngjinit dhe Lezhës, në zbatim të politikave të mbrojtjes dhe zhvillimit të mjedisit. Impianti, një investim me vlerë 12 milionë euro, bashkëfinancim i qeverisë shqiptare dhe Bashkimit Evropian, ka një kapacitet përpunimi prej 140 l/sek dhe teknologjia e trajtimit është konvencionale, uji i trajtuar shkarkohet në lumin Drin dhe më pas në det, duke garantuar cilësi të ujit pas trajtimit.
Kjo qeveri i ka dhënë prioritet të veçantë shërbimit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve. Në vitet 2005 - 2012 u investuan 55 miliard lekë për të ndërtuar 364 sisteme të reja ujësjellësish dhe 419 sisteme të reja kanalizimesh, ndërkohë që në një kohë rekord kanë përfunduar 9 impiante trajtimi të ujërave të ndotur, si në Kavajë, Pogradec, Korçë, Durrës, Sarandë-Ksamil, Shirokë, Velipoje, Vlore dhe janë në proces Tirana, Kavaja turistike përfshirë Golemin, Orikum, Shkodër, etj.. Mbulimi me shërbimin e furnizimit me ujë në shkalle vendi për vitin 2012 është 81%, kundrejt 63% që ishte në vitin 2005, ku mbulimi për zonat urbane arriti 90% në vitin 2012 kundrejt 75% që ishte në vitin 2005, ndërsa mbulimi në zonat rurale arriti 60% kundrejt 40% që ishte në vitin 2005. Raporti i mbulimit me shërbimin e kanalizimeve në total, në shkallë vendi, është 66% në vitin 2012, kundrejt 40% në vitin 2005. Kryeministri Berisha u shpreh se kjo vepër do të bëjë që potenciali turistik i kësaj zone të shfrytëzohet në shkallën më maksimale. Më tej, Kryeministri Berisha u shpreh se për këtë qeveri ka qenë parësore përmirësimi i infrastrukturës, në çdo cep të vendit dhe shtoi se “impiante të tilla në vitin 2005 nuk ekzistonin, ndërsa sot funksionojnë në Kavajë, në Lezhë, në Durrës, në Pogradec, në Korçë dhe janë në përfundim e sipër 12 të tjera”. Sfidë për kryeministrin Berisha është që katër vitet e ardhshme Shqipëria të vizitohet në vit nga 7 milionë turistë. Ndërsa duke folur për programin e mazhorancës në katër vitet e ardhshme të mandatit të tretë qeverisës, Berisha tha se në thelb të tij është punësimi i 250 mijë shqiptarëve. “Ne po shkojmë drejt zgjedhjeve me një program, i cili do t’i bëjë shqiptarët të harrojnë ato që ne kemi realizuar në këto dy mandate; me një program i cili do të bëjë që në brigjet e Shqipërisë, në Shëngjin , në gjirin e Drinit, në Velipojë dhe kudo të pushojnë në vit 7 milionë turistë nga e mbarë bota; me një program i cili do të krijojë 250 mijë vende pune në turizëm, në qytete, në biznese, në energji, në ferma dhe në sektorë të tjerë. Katër vitet që vijnë, ne që u zotuam për Shqipërinë dixhitale, e cila 5-6 vjet më parë dukej e largët sa hëna për këtë vend dhe sot është realitet, do të bëjmë që Shqipëria të jetë vend lider në rajon për sa i përket teknologjisë më të lartë dhe zhvillimit teknologjik. Katër vitet që vijnë ne do të finalizojmë infrastrukturën moderne në çdo skaj të këtij vendi. Katër vitet që vijnë ne do të trefishojmë grantet për fermerët shqiptarë. Katër vitet që vijnë ne do të bëjmë gjithçka për një cilësi më të lartë të shkollimit, do të bëjmë gjithçka për punësimin e të rinjve, grave dhe burrave të Shqipërisë. Katër vitet që vijnë – Shqipëria, statusin e vendit anëtar të Bashkimit Evropian. Katër vitet që vijnë – Shqipëria, negociatat me BE-në, për vend anëtar në Bashkimin Evropian. Programi ynë është ai i një Shqipërie të zhvilluar; është ai i një Shqipërie që renditet krenare me vendet e zhvilluara; është ai i një Shqipërie që integrohet e sigurt në Bashkimin Europian. Ky është programi ynë”- tha kryeministri.