E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama nga Tokio: Shqipëria ka hyrë natyrshëm në hapësira dialogu dhe partneritetesh

TIRANË, 24 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, në përmbyllje të vizitës zyrtare në Japoni dhe në Korenë e Jugut, theksoi forcimin e marrëdhënieve politike, ekonomike dhe strategjike të Shqipërisë me dy prej vendeve më të zhvilluara të Azisë.

Në komunikimin e tij javor, kryeministri Rama u shpreh se vizitat konfirmuan rritjen e profilit ndërkombëtar të Shqipërisë dhe interesin në rritje për bashkëpunim me vendin tonë.

“Natyrisht, jo në përmasë, por në shkallën e respektit dhe të vlerësimit për dinjitetin me të cilin ndërveprojmë në komunitetin e shteteve”, theksoi Rama.

Sipas tij, në Korenë e Jugut pati takime të rëndësishme me përfaqësues politikë dhe ekonomikë, ku u diskutua zgjerimi i bashkëpunimit në fusha si inteligjenca artificiale, teknologjia dixhitale, industria ushtarake dhe turizmi.

Në kuadër të Konferencës Aziatike të Lidershipit, Rama foli për transformimin e Shqipërisë nga izolimi drejt integrimit europian, ndërsa takimi me kryeministrin koreano-jugor Kim Min-seok u fokusua edhe te 35-vjetori i marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

“Fillimisht, në Korenë e Jugut dhe më pas në Japoni, ishin dy stacione ku gjetëm një interes të shtuar për Shqipërinë, një dëshirë të lexueshme për bashkëpunim dhe për forcim të miqësive të natyrshme mes vendeve demokratike. Në Konferencën Aziatike të Lidershipit pata rastin të flas si i ftuar nderi, me një përfaqësi të gjerë të komunitetit ekonomik të kësaj pjese të zhvilluar të botës.

“Fola për transformimet e mëdha të Shqipërisë, nga izolimi drejt bashkimit me Europën dhe, më pas, në takimin me kryeministrin Kim Min-seok, u ndalëm në mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit në inteligjencë artificiale, teknologji dixhitale, industri ushtarake dhe turizëm, duke cekur po ashtu simbolikën e takimit që përkon me 35-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona. Aty takuam gjithashtu një sërë kompanish të mëdha, prestigjioze, ku konstatuam një interes gjenuin për Shqipërinë, si shembull suksesi dhe si destinacion investimesh të mundshme”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë bëri të ditur se edhe në Japoni pritja ishte në nivel të lartë shtetëror. Ai vlerësoi takimin me kryeministren japoneze Sanae Takaichi, me të cilën diskutoi për bashkëpunimin në ekonomi, teknologji, energji, mbrojtje dhe turizëm.

Rama theksoi se Japonia shprehu mbështetje të qartë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke e konsideruar këtë si një vlerësim për transformimin demokratik dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

“Më pas, këtu në Tokio, vizita e konfirmoi rritjen e nivelit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Japonisë. Ishte vërtet një nder i veçantë pritja me ceremoninë e lartë shtetërore nga kryeministrja Sanae Takaichi, me të cilën krijuam menjëherë një komunikim të drejtpërdrejtë dhe miqësor. Diskutuam zgjerimin e bashkëpunimit në ekonomi, në teknologji, në energji, mbrojtje dhe, po ashtu, edhe këtu, në turizëm.

“Siç u theksua më pas nga kryeministrja në statusin e saj, mbështetja e Japonisë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk ishte thjesht një mesazh formal, por një shprehje e respektit të Japonisë për suksesin tonë në rrugën e transformimit historik të shtetit shqiptar, në një shtet vibrant, demokratik dhe në zhvillim të vazhdueshëm e të qëndrueshëm”, tha Rama.

Gjatë qëndrimit në Tokio, Kryeministri mbajti edhe një fjalim në Universitetin e Kombeve të Bashkuara, ku prezantoi rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së dhe vizionin për të ardhmen europiane.

“Ishte kënaqësi dhe nder më vete edhe ftesa për të folur në Universitetin e Kombeve të Bashkuara në Tokio, ku ndava me studentë, diplomatë dhe akademikë historinë e transformimit të Shqipërisë, fazën ku ndodhet sot procesi i negociatave me Bashkimin Europian, si dhe pikëpamjet tona për të ardhmen e Europës së përbashkët. Të mbushura me energji pozitive ishin edhe takimet me strukturat e parlamentit, kryeparlamentarin e Japonisë, deputetët e Ligës së Miqve të Shqipërisë, si edhe me komunitetin e sipërmarrjes japoneze.

“Por besoj se ajo që ka rëndësi, mbi të gjitha, është fakti se sot Shqipëria ka hyrë krejt natyrshëm në hapësira dialogu dhe partneritetesh, ku deri jo shumë vite më parë do të ishte vërtet e vështirë edhe të imagjinohej respekti që ka sot bota për vendin tonë”, theksoi Rama.

/m.q/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›