E Diel, 1 Nëntor 2026

Bardhi: Për të mbyllur grupkapitullin e Themeloreve, BE-ja i vendosi Shqipërisë 34 kushte

TIRANË, 24 maj /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi sot në lidhje me procesin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Bardhi theksoi se “për të mbyllur negociatat e anëtarësimit vetëm për Grupkapitullin e Themeloreve, BE-ja i vendosi Shqipërisë 34 kushte të rënda”.

“Në 34 kushtet për Shqipërinë, Bashkimi Europian shpreh zyrtarisht keqardhje për vendimin e Parlamentit në mbrojtje të Belinda Ballukut dhe i kërkon Kuvendit të zbatojë standardet europiane për imunitetin”, shkruan Bardhi.

Sipas tij, “me një gjuhë të papërdorur më parë për Shqipërinë, BE-ja e quan korrupsionin “shqetësim vendimtar”, duke e rënduar pozicionin negociues të Shqipërisë”.

Bardhi thekson më tej se për herë të parë në një raport zyrtar publik, BE-ja identifikon sektorin e ndërtimit si kanal pastrimi parash përmes “transaksioneve jofinanciare” dhe e lidh këtë drejtpërdrejt me korrupsionin.

“Për herë të parë në një dokument zyrtar negociues, BE-ja identifikon si problem për zgjedhjet rrjetet e patronazhimit: sistemin me të cilin PS kontrollon votën përmes administratës shtetërore”, shkruan Bardhi.

Sipas tij, për herë të parë, BE-ja kërkon zgjedhje plotësisht në përputhje me standardet e OSBE/ODIHR-it si kusht zyrtar për mbylljen e negociatave.

BE-ja kërkon “mbikëqyrje efektive dhe të papenguar parlamentare, përfshirë komisionet hetimore”; një të drejtë që Rama ia ka mohuar sistematikisht opozitës”.

Bardhi thekson se “BE-ja kërkon edhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, që Rama i ka injoruar, vonuar ose nuk i ka zbatuar fare. Grupkapitulli i Themeloreve hapet i pari dhe mbyllet i fundit. Por pa mbyllur kapitullin e Edi Ramës, Shqipëria nuk i mbyll dot negociatat”.

/m.q/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›