Rama nga godina e djegur e Kolegjit të Evropës: Përgjegjësia para ligjit është e gjithsecilit

Kryeministri Edi Rama ka reaguar nga godina e djegur e Kolegjit të Evropës në Tiranë, duke e cilësuar atë simbol të përplasjes mes protestave të dhunshme dhe rrugës së Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
Rama tha se deri një ditë më parë godina shërbente si zyrë e Kolegjit të Evropës, ndërsa sot është kthyer në rrënojë. Ai akuzoi opozitën për nxitjen e dhunës dhe deklaroi se personat përgjegjës për dëmet do të përballen me ligjin.
Kreu i qeverisë u përpoq të ndante studentët dhe të rinjtë nga personat që, sipas tij, qëndrojnë pas akteve të dhunës, duke theksuar se qeveria është e gatshme të dialogojë me ta dhe të diskutojë për zgjidhjen e problematikave që ngrenë.
“Studentët janë e ardhmja. Studentët janë ata që shohin larg dhe që duan të shkojnë më larg dhe më shpejt. Studentët janë gjithnjë të mirëpritur dhe për ta ne jemi gjithnjë gati të ulemi, të flasim, të diskutojmë dhe të gjejmë zgjidhje për gjërat që kërkojnë zgjidhje”, u shpreh Rama.
Më tej, kryeministri akuzoi opozitën se po përpiqet ta pengojë Shqipërinë në rrugën drejt integrimit evropian.
“Këto janë duart që përpiqen ta ulin poshtë Shqipërinë sa herë që Shqipëria përpiqet të shkojë lart. Këto janë duart e një opozite e cila, me maska të verbërish përpara, me zjarr dhe me hekur, kërkon ta rikthejë Shqipërinë aty ku Shqipëria nuk do të rikthehet kurrë”, deklaroi ai.
Rama theksoi se vendi do të vijojë rrugën drejt Bashkimit Evropian, ndërsa paralajmëroi ndëshkim ligjor për personat që, sipas tij, janë përfshirë në dhunën dhe shkatërrimet e ndodhura gjatë protestave.
Sponsorizuar
“Kushdo që mendon se ligji është larg, gabon. Përgjegjësia para ligjit është e gjithsecilit dhe gjithkush që ka dorë në këtë katrahurë, sigurisht që do të paguajë”, u shpreh kryeministri.
Në përfundim, Rama e cilësoi godinën e dëmtuar si simbol të asaj që po ndodh në kryeqytet, duke deklaruar se e ardhmja e Shqipërisë u përket studentëve dhe brezit të ri.a.b
DEKLARATA E RAMËS/Deri dje kjo ishte zyra e kolegjit të Europës, shkollës së Europëssë bashkuar që e çelëm në Shqipëri së bashku me udhëheqësit europian të pranishëm këtu Tiranë.
Sot, kjo është rrënoja e duarve që nuk janë dhe nuk mund të janë kurrë duart e studentëve. Studentët janë e ardhmja. Studentët janë ata që shohin larg dhe që duan te shkojnë më larg dhe me shpejt. Studentet janë gjithnjë te mirëpritur dhe për ta ne jemi gjithnjë gati të ulemi, të flasim, të diskutojmë dhe të gjejmë zgjidhje për gjërat që kërkojnë zgjidhje.
Këto janë të tjera duar! Këto janë duart që përpiqen ta ulin poshtë Shqipërinë sa herë që Shqipëria përpiqet të shkojë lart. Këto janë duart e një opozite e cila me maska të verbërish përpara, me zjarr dhe me hekur kërkon ta rikthejë Shqipërinë aty ku Shqipëria nuk do te rikthehet kurrë, kërkon ta rikthejë Shqipërine në humnerën nga ku ne te së bashku e nxorëm dhe prej ku po e ngjisim drejt majës historike, drejt ëndrrës së të gjithë shqiptarëve në breza, Bashkimit Europian.
Qëlloi që kjo zyrë e Kolegjit të Europës, e shkollës së gjeneratës së re të europianëve, e shkollës së studentëve europianë, të jetë sot simboli i gjithçkaje që Tirana dhe Shqipëria dhe shqiptarët ku do ndodhen pa anë dhe po shohin në këto orë të vështira. Janë orë të vështira, por janë orë të cilat do t’i kalojmë të gjithë së bashku sepse Shqipëria do të vazhdojë të ngjitet, sepse Shqipëria do të vazhdojë në rrugën e saj për Europën e të gjithë studentëve të saj, e të gjithë vajzave dhe djemve të saj dhe kurrë më nuk do të bjerë ato duar që e ka kanë kapur për fyti dhe e kanë zhytur thellë e më të thellë opozitën shqiptare, por nuk mundet dot ta kapin për fytin Shqipërinë dhe kushdo që mendon se ligji është larg, gabon. Përgjegjësia para ligjit është e gjithsecilit dhe gjithkush që ka dorë ne këtë katrahurë sigurisht qe paguajë. Do të paguaj sepse Shqipëria nuk do të kthehet më kurrë pas. Shqiptarët kurrë më nuk do të jenë pengje të së shkuarës dhe e kaluara që u rikthye me verbërinë e saj këto orë në qendër të Tiranës, si një fantazmë që përpiqet të bëjë atë që ka bërë gjithnjë sa herë shqiptarët kanë dashur të ngrenë kokën, do të mbetet e kaluar. E ardhmja është e studentëve! E ardhmja është e Shqipërisë dhe shqiptarëve!