Xhaferri: Për Kolegjin e Evropës, Rama duhej të ishte thirrur në SPAK!

Deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama nga një kioskë e djegur gjatë protestave të të rinjve, për të cilën kreu i qeverisë u shpreh se i përket Kolegjit të Evropës.
Xhaferri thotë se për çështjen e Kolegjit të Evropës ka bërë kallëzim në SPAK në emër të Partisë Demokratike, duke pretenduar se në këtë rast janë përfshirë 17 milionë euro dhe një sipërfaqe toke shtetërore.
Sipas deputetit demokrat, toka ishte parashikuar prej vitesh për zgjerimin e kampusit të Universitetit të Tiranës, por në vitin 2024, me vendim të Ramës, u orientua drejt ndërtimit të kampusit të Kolegjit të Evropës, ku do të studiojnë 32 studentë.
Xhaferri bëri të ditur se para disa javësh ka dorëzuar prova të reja në SPAK për këtë çështje.
“Për Kolegjin e Evropës duhej të ishe thirrur në SPAK!”, shkruan Xhaferri në reagimin e tij, duke iu drejtuar kryeministrit. a.b