E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, një votë – një e rrafme, ja programi i së Majtës

Gjithmonë kam menduar se të zënit gafil të Edvinit, është mënyra më e mirë për t’i bërë atij opozitë, në sensin që, së pari, e ndjej veten opozitar i thekur i tij, sa kohë që ai është pushtetar i fuqishëm, ndërsa unë jam pozicionuar kundër tij, për shkakun se ndodhemi në atë të kundërt të barrikadës, në raport me pushtetin qendror.
Me zgjedhjen si kryetar i PS në opozitë, Edvin Rama nuk bëri tjetër veçse përforcoi domenet e pushtetit personal, duke pasur nën zotërim dy pushtete, jo diametralisht të kundërta, por thjesht dy nivele të larta të pushtetit: atë të kryepushtetarit vendor të qeveritarit të 1/3 së popullsisë së vendit; dhe atë të shefit të opozitë politike, post ky që në hierarkinë shtetërore të çdo vendi demokratik është pozicioni nr. 4 politik, pas atij të Presidentit-kryetar shteti, kryeministrit dhe kryeparlamentarit.
Në këtë kuptim në Shqipëri, as ka pasur dhe as do të ketë ndonjëherë pushtetar më të fuqishëm se Edvin Rama, dhe këtë të vërtetë nuk e luan as topi!
Edvini i ngjan një “Peradorie politike”, me domene pushteti politiko-administrativ, “brenda e jashtë vendit”.
Në këtë kuptim, pozicionimi politik përballë tij është një kredo të cilën e vlen ta përjetosh e t’i përkushtohesh.
Dhe mendoj se më në fund e gjeta “kazusin” për të bërë sërish kritikun ndaj tij, sa kohë që kronikat televizive më ndihën të shoh barbarinë e policëve të Ramës përballë do grave fatkeqe, në “Gërdecin” e njëmendtë, në mes të kryeqytetit, ku gratë dhe fëmijët, pleqtë dhe burrat fatkeqë nuk i flaku tej si lecka, vala goditëse e barutit të ndezur... Dhe shtëpitë tyre nuk i rrafshoi shpërthimi i padëshiruar nga askush, por ishte bash Edvini ai që u dha urdhër trimoshëve të tij fill pas insistimit për marrjen e kompetencave të zgjeruara për vendimmarrjen dhe policinë e tij bashkiake, që është bërë strukturë mbi strukturë e rendit publik në territorin që administrohet nga Bashkia e Tiranës.
Edvini mund të thotë se po i shemb shtëpitë e hipotekuara të shqiptarëve me zell prej serbi, ngaqë sipas tij do të bëjë ndërtime publike. Por harron të na thotë se gjithmonë në raste te tilla, një pushtet serioz merr masa: sëpari të ndalojë ndërtimet pa leje, sa kohë që bën kryebashkiakun e Tiranës prej 8 vjetësh. Sëdyti, Edvini duhet të tundë xhixhat për dëmshpërblimin kundrejt vlerës reale, të shtëpive të shembura, dhe, s’treti; askush nuk e ka penguar këtë shef të Delijorgjit, (të cilit i dha pafundësisht troje, medemek pa preferencë, vetëm e vetëm se ia paskëshin mbushur mendjen me projekte të forta që ia kanë vënë përpara për t’i firmosur, për fillimin e ndërtimeve, bash mbi tokat e pronarëve legjitimë dhe pronat publike), sa kohë që ky qafir nuk e paskërka ditur se shoku Mihal fadromisti ka rrethuar me llamarina e teneqera afro 2 hektarë tokë për ndërtime, në ish zonën e Yzberishit... Por vetëm pasi mbaroi punë me trojet e Uzinës së shokut Enver, që sillej po ashtu si Edvini, si pronar, me trojet dhe asetet pronësore të shqiptarëve.
Pra askush nuk e pengoi Edvinin që, për 8 vjet, të bënte qoftë edhe 8 apartamente me kosto të ulët për të pastrehët dhe në bashkëpunim me Entin e Banesave, me qëllim që sot të kishte mundësi për të strehuar familjet që i nxjerr në rrugë të madhe pasi ua prish shtëpitë me të njëjtat marka fadromash me të cilat pushtetet serbe prishnin shtëpitë e shqiptarëve, dhe me të njëjtën egërsi me të cilën sllavomaqedonët rrafshonin shtëpitë në Haraçinën shqiptare.
Edvini përmendi togfjalëshin “gjueti shtrigash” para katër ditëve, natyrisht duke përdorur një eufemizëm të bërë bajat në gojën e hajnave majtistë shqiptarë, qysh nga viti 1992. Dhe këtë e bëri natyrisht pasi është siguruar se detanta politike nuk mund të shndërrohet në një flamur të shkyem nga pushteti qendror, çka do t’i jepte material opozitës për të akuzuar dhe penalizuar maxhorancën politikisht tek ndërkombëtarët.
Por ky qëndrim më tepër se prudent i pushtetit qendror, nuk i jep të drejtë Edvinit të sillet kështu me zgjedhësit dhe bashkëqytetarët e tij.
Edvini u premtoi të rinjve të kryeqytetit dhe atyre në mbarë vendin se, po të votojnë pushtetin dhe forcën e tij politike, me “politikën e re” të tij do t’u krijojë kushte normale jetese, pra strehimi dhe punësimi, sa kohë që nevojat për strehime publike do t’ua zgjidhë në vitin 2600... Ndërsa për punësimin i fton që të jenë më modestë në kërkesa, teksa u ka “hapur” dhjetëra mijëra vende pune, porse “këta të rinj dembelë” i kërkojnë atij që t’i punësojë tek entet e tatim-taksave të Bashkisë së Tiranës, sikurse tha para do kohësh, e të cilëve ai u ishte përgjigjur se “në këtë sektor, mundësitë e punësimit” i kishte të limituara.
Por le t’i lëmë të rinjtë që paskërka dashur dhe mundur të punësojë, si edhe faktin se ata nuk i paskërkan pranuar dhe ia kanë refuzuar ofertën e punësimit... Po të paktën tani që i ka shitur me çmime astronomike të gjitha hyrjet e pallateve të ndërtuara nga 4 firmat personale, me anë të urisë së ofertës, le të miratojë Ramë kryebashkiaku qindra kërkesat në mbledhjet e radhës së KRRT të Tiranës. Të cilën e kish bllokuar për afro 18 muaj, dhe kur e zhbllokoi në fund të janarit të këtij viti, miratoi vetëm lejet e reja të ndërtimit për firmat e tij e të miqve. Çka do të thotë se kishte dhe ka mundësi të punësojë apo ripunësojë me këtë rast me mijëra prindër të rioshëve që mashtron, vetëm në Tiranë, duke vënë me këtë rast në lëvizje edhe paratë e bllokuara, por edhe duke realizuar kësisoj “pllanin” e famshëm francez alla “pol miliez”, për të cilin iu dogj barku... Duke realizuar me këtë rast edhe ëndrrën e vjetër tiranase të Armando Barzinit zulmëmadh, të cilin ushtarët e tij nuk lënë rast pa e përmendur, jo thjesht për kulturologji shterpe, por edhe për të na induktuar mendimin se projektet e mëdha e të fjetura të mendjendriturve të huaj për Tiranën tonë, mund t’i realizojë vetëm udhëheqësi i madh e mendjendritur i PS.
Por sërish mendja më shkon tek masakrimi i bashkëqytetarëve të Edvinit prej këtij të fundit. Dhe këtë masakër ai po ua bën shqiptarëve si buqetë për votat e reja që u kërkon për vitin 2009, çka më kujton atë premtimin e famshëm të Gëzim Krujës, për gruan e tij që i kërkonte si dhuratë një palë vëthë për “Shën Valentin”, e së cilës ky iu përgjigj: “Mirë moj grue, ta po ta baj qefin..., simjet ta po të çili birat e veshëve, e manej vitin tjetër ta po t’i blej vath’t, se t’kam shpirt, t’kam zemër...”.
Dhe Edvini prej dashnijet, simjet po ua çil birat n’kry bashkëqytetarëve, tue ua masakrue gratë e fëmijët, si dikur ato të familjes së vet.
Dhe kur ndërmend se këtë bandit që masakron qytetarë të pafajshëm me urrejtje shtazarake gjoja “për interesa publike”, pa na thënë se të cilit “publik...”, më zë tmerri ngaqë më shkon ndërmend mendimi se bash kur kujtova se tashmë që Kosova fitoi Pavarësinë dhe Shqipëria u pranua në paradhoimën e NATO-s, shqiptarët nuk do të guxonte askush t’i prekte edhe në fije të flokut, m’u duk sikur pashë ndonjë serb dymetrosh që ma davariti ëndrrën-shpresë dhe m’i shtriu bashkatdhetarët gratë dhe fëmijët e tyre ndër shkopinj gome policësh të pashpirt, që nuk dihet se nga cilat katunde të Shumadisë i ka rekrutuar!?
“Stoj”, - na tregonte Shute Blushi në “KJ”, gjoja u paskëshin thënë vlonjateve “policët sllavë të Saliut” në vitin 1997, kur filluan protestat e kapuçave të zinj Zani Çaushi dhe Albert Shyti. Po ama në të vërtetë, agjencitë e huaja, nuk bënë tjetër veçse filmuan pamje të trishtueshme që tregonin sesi banditët masakronin policët e strukur shqiptarë me karrige dhe mjete të forta, bash nën muret e një ndërtese me konture rrethore..., ndërsa në darkë Luiza Hoxha, pasi u pinte gjakun ushtarakëve të shtetit, atyre në agoninë e vdekjes u bënte shërbimin e fundit me sopata mbi kokë, dhe me anë të duarve të “studentëve të Drejtësisë së Universitetit të Vlorës ‘Ismail Qemali’”, pamje të cilat janë të fiksuara në sajte interneti, e për të cilat Edvini, Musai, Yllkuqi, Erioni dhe banditë të tjerë nuk kujtohen të flasin, ndonëse ata ishin kolegë dhe vartës të Arben Sefgjinit, që sot kryqëzohet po nga këta vrasës me diplomë juristi, që gëlojnë nëpër gjykatat tona.
Por asokohe Edvini akuzonte për “diktaturë” dhe krime mbi vlonjatët, nga stacionet e huaja.
Ndërsa sot, pa dallime krahinore masakron shqiptarët, ngaqë askush nuk i thotë “ndal”.
Aferim Edvin Millosheviçi. Bravo të qoftë. E gëzofsh pushtetin e “politikës së re” me viktima të reja shqiptare.
Aferim haxhiqamil i kohëve moderne, që djeg e pjek shqiptarë dhe u rrafshon shtëpitë e u masakron gratë dhe fëmijët.
I paç hallall votat e zançaushërisë dhe shytërisë së yllkuqave dhe dobrovodëve, natyrisht edhe me miratimin e Gjinushit.
Një dajak, një votë! Një e masakrueme, mijëra vota, si në 1997-ën dhe 2001-in, dhe të rroftë pushteti or trim...
 Nga Astrit KOLA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›