E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferenca Islamike të braktisë kolonialistët ruso-serbë

Pak popuj në përpjekjet e veta për liri e pavarësi ia kanë dalë të marrin mbeshtetjen politike dhe morale nga shumë vende të botës, siç ndodhi me Kosoven, ndoshta mund të bëhet vetëm një krahasim realist me hebrenjtë e vitit 1948. Në të dyja rastet, fatin e ka drejtuar, mbrojtur dhe përcaktuar Amerika me aleatët e saj të NATO-s. Kosova u bë e pavarur në sajë të përpjekjeve të mëdha shtetformuese të “Kolosit të brishtë” Ibrahim Rugova të luftes heroikë të popullit të saj, të vokacionit të saj shpirtëror e politik perëndimor një trini kjo e vlerësuar dhe premiuar nga SHBA dhe Bota e qytetëruar; së pari me nderhyrjen ushtarake kunder gjenocidit të Milosheviçit, së dyti me ndërtimin e shtetit kosovar sipas modeli të tyre dhe së treti njohja de jure e Kosoves. Njohja diplomatike e shtetit të ri nuk njeh precedentë për nga shpejtësia dhe shtrirja gjeografike. Siç pritej ajo u njoh që në orët e para nga fuqitë demokratike si SHBA, Anglia, Franca, Gjermania, Turqia etj. Në ato momente një tjetër informacion i mirëpritur nga të gjithë shqiptaret u përhap në media, pranimi en-block i Kosovës së Pavarur nga 57 shtete anëtare të Konferences Islamike, por gradualisht ai lajm u fashit e u harrua, saqë për të nuk flitet më. Fatkeqsisht një gjë e tillë nuk ishte e vertetë. Një formulë e tillë e njohjes totale nuk ekziston dhe është e pamundur krijimi i marrëdhënieve diplomatike kolektive. Një tagër të tillë e ka vetëm OKB-ja dhe historia e diplomacisë njeh e pranon vetëm njohjen shtet me shtet. Nga keto 57 vende, ndonëse ka patur premtime individuale nga liderë të disa prej këtyre shteteve dhe një deklaratë të konferencës që e mirëpret Pavarësinë deri më tash na rezulton se vetëm tre vende e kanë njohur Kosoven: Afganistani, Turqia dhe Senegali. Malajzia jeton brenda një ekuivoku, në fillim u deklarua se e njeh atë si shtet sovran e më pas u terhoq dukë thënë se nuk e ka njohur akoma por thjesht e ka mirëpritur. Vonesa e njohjes nga një pjesë e ketyre vendeve duket e pakuptimtë kur vetë ato janë mëvehtësuar pas një historie të gjatë koloniale nga perandori të ndryshme përfshi edhe atë Osmane, ku ata bënin pjesë, bashkë me shqiptarët. Politika e tyre e jashtme në shumë raste është në sintoni me fuqitë perëndimore të cilat i kanë mbrojtur ato nga babëzia e diktatorëve lokalë si Sadam Huseini apo Ajatollah Komneini.
Por një konstatim i tillë nuk vlen për disa vende të tjera islamike që kanë nostalgji për Jugosllavinë e Titos si kryetare e vendeve të paangazhuara apo për ato vende historikisht nën influencën e Bashkimit Sovjetik apo të Rusisë së sotme si Irani, Siria e ndonjë tjetër, të cilat flirtojnë nga mot me Serbinë për të keqperdorur imazhin e myslimanëve shqiptarë në hapësirën ballkanike. Padyshim që është në interes të Serbisë që Islami shqiptar të dalë nga natyra e tij paqësore, të tjetërsojë fytyren e tij europiane dhe mundesisht Kur’ani i tyre të mos shkruhet me germa latine duke nxitur dhe paguar propagandën Vehabiste integraliste, e cila synon të godasë harmoninë e mrekullueshme të shqiptarëve në shekuj. Serbia i lejonte shqiptarët të ndertonin xhami por jo shkolla shqipe dhe kudo ajo përpiqej t’i mbushte mëndjen Europes se kemi të bëjmë me mish të huaj, me aziatikë fondamentalistë. Në këtë sipërmarrje aleatë ka Iranin, Sirinë dhe Rexhep Qosen. Përkatësia Europiane e shqiptarëve, kudo që janë, është vendosur nga vetë ata; është vendosur nga Gjergj Kastrioti, nga Rilindja Kombëtare, kultura, alfabeti - që Kryeministri Berisha e evokoi me forcë vitin 1908, e jo rastësisht Pater Gjergj Fishten dhe Kryemyftiun Vehbi Hoxha, qe e bënë të mundur atë. Të gjithë keto gjëra na kanë mesuar të mos jemi ksenofobë, të duam popujt e tjerë e t’i pranojmë ata siç janë, pa cenuar integritetin tonë kombetar e shpirtëror. Prandaj Kosova u pranua pa vështirësi në bashkësinë e shteteve europiane, pranim të cilin do ta quaja rikthim në shtëpi. Pikërisht këtë shtëpi disa shtete të Konferencës islamike nuk e duan sepse nuk e do as aleatja e tyre e vjeter Serbia. Por shqiptarët mbeten ende të bindur se shpejt, shumë nga vendet e Konferencës Islamike që aspirojnë paqen dhe marrëdhëniet e bashkëpunimit me Europen falë edhe punes së përkushtuar të diplomacisë së Shqipërisë do ta njohin shpejt Kosoven duke mbajtur premtimin e vjetër dhe duke braktisur skemat koloniale Ruso-Serbe. Sigurisht do të jetë një lajm i gëzuar kur nga 3 do të bëhen 57.
 Nga Fahri Balliu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›