“Rama ofendoi të gjitha gratë dhe infermieret shqiptare në 5 sekonda”
Reagon Partia Demokratike
Partia Demokratike ka reaguar pas shprehjes së kreut të PS, Edi Rama se “burrat duhet të marrin gratë me vete në spital për t’i mbrojtur ata nga infermieret”.
Në një konferencë të posaçme për shtyp, Ledina Aliolli, deputete e Partisë Demokratike deklaroi se ,“Edi Rama, kryetari i Partisë Socialiste, ofendon në 5 sekonda çdo grua dhe çdo infermiere shqiptare”.
Deputetja Aliolli duke reaguar ndaj akuzave të lëshuara nga kreu i selisë rozë një ditë më pare, pyeti se, “A mendon seriozisht Rama se infermieret janë më të fokusuara në vjedhjen e burrave, se sa në trajtimin e pacientëve?. A mendon vërtet Rama se infermieret e trajtojnë spitalin si një shërbim për takime e njohje dhe jo si një vend pune?”.
Sipas saj, ky Edi Rama është i njëjti person, që detyroi deputetët e tij të votojnë kundër dyfishimit të pagës së infermiereve. Dhe i njëjti Edi Ramë që i detyroi deputetët e tij të votojnë kundër financimit të ndërtimit dhe riparimit të 400 spitaleve dhe qendrave shëndetësore.
“Dhe tani, shtoi ajo, është krejtësisht e qartë, se Edi Rama nuk e ka idenë fare se çfarë bëjnë infermieret. Ne e dimë se infermieret punojnë shumë çdo ditë për të ofruar kujdes për pacientët e tyre dhe ne jemi të fokusuar të ndihmojmë infermieret për të përmirësuar cilësinë e shërbimit shëndetësor dhe jo t’i përdorim ato si pjesë të një shakaje të keqe elektorale”, përfundoi Ledina Alolli, deputete e Partisë Demokratike.