E Diel, 1 Nëntor 2026

Intervistë me Doktorin e Shkencave Gjeologjike, zotin Isa Haklaj

25-03-2013 / Gazeta 55

Studimet aplikative të gjeologjisë t’i paraprijnë riformatimit të ekonomisë shqiptare

Zoti Isa, ju jeni inxhinier gjeolog me një përvojë 35 vjeçare dhe keni gradën shkencore Doktor. Jeni gjithashtu ndër intelektualët e rrallë që jeni diplomuar prej punëtor ndërtimi dhe që keni arritur të mbroni edhe Doktoraturën. A e keni ëndërruar në atë kohë këtë sukses?
Së pari ju falenderoj për ofrimin e kësaj Interviste në faqet e kësaj gazete të nderuar dhe ju përgëzoj për kontributin tuaj për pasqyrimin e zhvillimeve dhe të ndryshimeve rrënjësore që po bëhen në të gjitha fushat, kudo në Atdheun tonë të dashur.
Duhet të shpjegoj që në fillim se unë kam përjetuar një fëmijëri dhe një adoleshencë të dhimbshme, për disa arsye specifike si: 1 - të vdekjes së prindërve të mi që në moshën time pesëvjeçare; 2- të fukarallëkut ekstrem të kohës; 3- të shtypjes së regjimit antipopullor për arsye “biografie”, (i biri i Selim Musës, që ka qenë i inkuadruar në formacionet e Gani Beg Kryeziut, në luftën çlirimtare kundër pushtimit gjerman dhe nipi i Musë Zenelit, Pari i Gashit, i lidhur që atëherë me Familjen Kryeziu dhe që kishte gradën Kapiten i parë (rezervë), me pagë definitive, në Mbretërinë e Zogut); 4- të mungesës totale të përkrahjes, të edukimit, të dashurisë dhe dhëmbshurisë familjare që janë ushqimi shpirtëror dhe formues i një fëmije, ku fukarallëku nuk është asgjë para këtyre që përmenda; 5- dhe më e keqja dhe më e dënueshmja kur të mungon në maksimum edhe ndjeshmëria dhe përkrahja shoqërore dhe shtetërore.
Mbas mbarimit të 8 vjeçares në vitin 1967, si një nxënës ndër të mirët e një klase të përparuar të shkollës, ku një kontigjent i madh i nxënësve të kësaj klase patën fatin që të shkonin në shkollat e mesme dhe të larta në rrethe të ndryshme të vendit, kurse për mua u kthye nga Komiteti Ekzekutiv i Rrethit, një përgjigje sa e pashpirt aq edhe absurde, se lutja ime nuk merret parasysh për arsye se nuk ka vend, të cilën e ruaj edhe sot si një faksimilje, relike të hidhur dhe drithëruese. Pra “’nuk kishte vend” në asnjë shkollë të Shqipërisë për një jetim pa njeri, (çfarë përgjigje e papërgjegjshme dhe e pashpirt.....).
Kështu që në përgjigje të pyetjes tuaj, se a e keni ëndërruar në atë kohë këtë sukses të sotshëm?, ëndrra ime tashmë ishte sakatuar dhe s’mund ta mendoja unë një mundësi diplomimi, pa le pastaj për të mbrojtur doktoraturë, në një regjim të tillë të pashoq, satrap dhe të papërgjegjshëm (të pashpirt më mirë me thënë sepse nuk mundë të quhet i papërgjegjshëm meqë këto deklasime bëheshin me ndërgjegje dhe strategji të qartë për të mos ju lënë frymëmarrje pinjollëve të familjeve me prejardhje vitale dhe të njohura).
Kjo diktaturë dhe kjo frikë ndaj saj, më ndoqi dhe më ngurtësoi në çdo hap të jetës, edhe mbas mbarimit të shkollës, (si të gjithë ata që kishin ’’biografi të keqe’’), derisa theu qafën më së fundi kjo kaste mizantrope nga degradimi ekstrem i saj, e cila kishte një urrejtje totale dhe mosbesim ndaj qenies njerëzore, që na quanin të rrezikshëm pa qenë në fakt të tillë.

Ç’rrugë ka ndjekur karriera juaj deri në këtë sukses?
Unë pastaj, pas kësaj përgjigjeje shkatërruese që më ktheu Komiteti Ekzekutiv, mora rrugët si i pashpresë, (por për fatin e mirë nga Zoti, jo për tu bërë rrugaç por për të gjetur mundësi të domosdoshme jetese). Kështu 14 vjeç përfundova në Ndërmarrjen e Ndërtimit, të cilët si një fëmijë i pamundur që isha, më dërguan për sevapë, me një kontigjent përgjithësisht të moshuarish, në shkollën e ulët 2 vjeçare të Rezervave të Punës në Shkodër, për murator. Pas mbarimit të saj punova rreth një vit punëtor ndërtimi në Hidrocentralin e Vaut të Dejës dhe në vazhdim, për 5 vite radhazi punova në Ndërmarrjen e Ndërtimit B. Curri, në kushte të mjerueshme page, që shpesh s’na dilte as për bukë, për arsye të pagave tepër të ulta si dhe nga mosrealizimi i normave të ngritura të punës, për shkaqe nga më të ndryshmet, (shpesh me 40 dhe 50% të pagës qesharake të atëhershme), ku megjithatë nuk mjaftoheshin me kaq por ngriheshin normat çdo vit në mënyrë absurde, me iniciativa dhe inicime të kuadrove që kishin siguruar rrogat e tyre bazë (të kënaqshme për kohën), në kurriz të fukarenjve të zhveshur nga çdo lloj prone dhe mundësie per jetën, në emergjencë për bukën e gojës dhe guxo po deshe e hape gojën e uritur, (pra më keq se skllevërit e mesjetës). Për fat (dhunti nga Zoti), kurrë nuk ju kam ndarë mësimit, (me të gjitha aftësitë dhe mundësitë që kam patur, pa m’u mërzitë leximi asnjëherë). Kështu edhe në këto kushte tejet të vështira, vazhdova me dëshirë dhe këmbëngulje gjimnazin, pa shkëputje nga puna, që për hir të së vërtetës, si gjithë arsimi i atëhershëm, ka qenë nën kontroll dhe me një disiplinë të admirueshme si dhe me arsimtarë dhe pedagogë humanë dhe të përkushtuar në dhënien e dijeve, të cilët, që në fëmijëri e në vazhdim më janë ngulitur dhe i kam perceptuar si engjuj, në mendjen dhe ndërgjegjen time. Kështu vetëm nga klasa jonë e natës shkuam atë vit 3 veta në shkolla të larta, (unë në sajë të rrethanave specifike që m’u krijuan për tu futur në këtë treshe, të cilat nuk mundë të shpjegohen në këtë intervistë të shkurtër). Kjo qe një ngjarje që për mua ka qenë gëzimi dhe evenimenti më i madh i jetës time, ku mori kthesë rrënjësore vijimësia e saj si dhe u rrit tashmë besimi dhe vullneti për t’ju përkushtuar me të gjitha energjitë mësimit dhe dijes, edhe pse me defiçite të mëdha. Megjithë këto defiçite të paevitueshme, nga boshllëqet e krijuara tashmë pas shkëputjes shumë vjeçare nga dijet sistematike që merrja në shkollën e rregullt, (që nga 8 vjeçarja), unë arrita që me punë këmbëngulëse të kryeja Fakultetin e Gjeologjisë dhe më vonë të bëja specializimin pasuniversitare dyvjeçar dhe të tjerë më afatshkurtër (me shkëputje nga puna, i ulur përsëri në bankat e Fakultetit), si dhe të realizoja shumë punime shkencore në fusha specifike të shkencave gjeologjike, me pretendime shkencore tashmë në rritje, deri në mbrojtjen e Doktoraturës vitin e kaluar, të cilat shkurtimisht përmblidhen në këtë tabelë :
Kam një vjetërsi pune të përgjithshme 40 vjeçare;  5-6 vjet në Ndërmarrjen e Ndërtimit në B. Curri dhe pastaj, (pas mbarimit të shkollës së lartë), për rreth 35 vjet rradhazi kam punuar dhe vazhdoj të punoj në Shërbimin Gjeologjik Shqiptar, konkretizuar në projektet, relacionet, raportet gjeologjike si dhe në studimet shkencore me tematika të ndryshme të kryera gjatë këtyre viteve.
Në Ndërmarrjen Gjeologjike Tropojë kam punuar inxhinier gjeolog në ekspeditën e Qafë-Prushit, ku jam autor në projektet vjetore të kërkim-zbulimit për mineralin e kromit në vitet 1978-1981. Për 2  vjet kam kryer specializimin pasuniversitar për Gjeokimist në Tiranë, 1981-1983. Pastaj për 30 vjet në vazhdimësi kam punuar në Grupet e Rilevimit Tropojë dhe Tiranë, 1983-2013. Më  janë botuar disa artikuj shkencorë në revista shkencore, brenda dhe jashtë vendit. Aktualisht vitet e fundit kam punuar paralelisht në dy studime : në Studimin nr. III-5, me temë: “Studimi gjeokimik i zonës bregdetare Kavajë - Durrës - Gjiri i Lalzit - Shëngjin - Velipojë, në ndihmë të zhvillimit të Turizmit”, si dhe në Studimin nr. III-1-2, me temë: “Ndërtimi i hartave shumëqëllimore, gjeoinformatizimi dhe baza e të dhënave sipas planshetave të shkallës 1:25 000, për Qarqet dhe Rrethet e Shqipërisë’’. Gjatë kësaj periudhe shumëvjeçare kam punuar me të gjitha forcat e mia fizike dhe  intelektuale për të kryer detyrat që më janë ngarkuar, të cilat gjithnjë më janë vlerësuar.

Cila ishte tema e Doktoraturës suaj dhe çfarë përmban ajo?
Doktoratura titullohet: “Karakteristikat Gjeokimike të Magmatizmit të Zonës Gashi”, e planifikuar dhe e aprovuar në Departamentin e Shkencave të Tokës, pranë Fakultetit të Gjeologjisë dhe të Minierave, të Universitetit Politeknik të Tiranës. Zona “Gashi” shtrihet nga Çeremi, Markofça, Trokuzi, Koshotica, Dobërdoli, Sylbica dhe vazhdon jashtë kufirit, si në pjesën veriore (në Mal të Zi) edhe në lindje (deri në Deçan të Kosovës). Duhet sqaruar për opinionin e gjerë, se emërtimi “Zona Gashi” është emërtim gjeologjik, i vënë nga gjeologët regjionalë shqiptarë që në vitin 1964, duke u bazuar në emrin e njohur të Lumit të Gashit, në të cilin derdhen kryesisht përrenjtë e shumtë të bjeshkëve të fisit të Gashit, duke filluar nga Balçina, Koshotica, Kershi i Kocajve, Livadhi i Çillës, Koritat, Lluzhnicat, Qafa e Livadhit, Prebuji, Tringëllima, Herushta, Radeshet etj, sepse siç e cilësuam më sipër, në Zonën gjeologjike “Gashi” bëjnë pjesë edhe bjeshkë të tjera si Markofça, Rupat, Bollotergu, Lugu i Vocit, Trokuzi, Poligaja, Dobërdoli, Sylbica etj, që janë bjeshkë të fiseve të tjera, si të Krasniqes, Bytyçit, Berishës etj. Qëllimi i marrjes së kësaj Doktorature ka qenë që krahas angazhimit tim në përpilimin, zbatimin dhe realizimin e studimeve shkencore të përvitëshme, të realizoj edhe këtë Doktoraturë sipas një programi të parashikuar 3-4 vjeçar, realizimi i së cilës do të më shërbente jo thjeshtë në formimin e mëtejshëm shkencor bashkëkohor, por edhe për evoluimin e mendimit gjeologo-gjeokimik në sajë të studimit tashmë më të thelluar gjeokimik dhe petrologjik që ju bë formacioneve të Zonës Gashi, si një zonë me shumë diskutime nga studiues të ndryshëm të vendit dhe të huaj. Kjo është arritur nga evidentimi dhe përgjithësimi që ju kam bërë punimeve të shumta të kryera nga autorë të ndryshëm në Zonën Gashi si dhe nga kontributi im me punime të konsiderueshme që kam kryer në këtë Zonë që nga viti 1982 e deri sot, por kryesisht nga sjellja e të dhënave të reja shkencore, esenciale dhe konkrete, të realizuara 4 vitet e fundit, në kuadrin e realizimit të kësaj Doktorature, bazuar në një numër të madh analizash të disa llojeve, të kryera në laboratoret tona dhe në laboratore prestigjioze Europiane, enkas për qëllimet e kësaj Doktorature.Përveç këtyre analizave të mësipërme, janë përpunuar edhe dhjetra rezultate analizash kimike të mineralizimeve dhe llojeve shkëmbore të Zonës Gashi, të punimeve të mëparshme.
Pra këto të dhëna kanë shërbyer si bazë për të arritur në realizimin e Objektivave të Disertacionit, lidhur me studimin gjeokimik të shkëmbinjve magmatikë dhe të mineralizimeve sulfure të Zonës Gashi, objektiva këta të cilët kanë qënë: -     përcaktimi i  moshës absolute të shkëmbinjve granitoide; përcaktimi i tipeve dhe i kushteve të formimit të shkëmbinjve granitoide; përcaktimi i tipeve dhe i kushteve të formimit të shkëmbinjve vullkanikë; përcaktimi i përbërjes izotopike të Squfurit në mineralizimet sulfure të Zonës Gashi; përcaktimi  i  historisë gjeokimike të zhvillimit të magmatizmit në Zonën Gashi etj.
Si Arritje kryesore të kësaj Doktorature janë: 1. Përcaktimi për herë të parë i moshës absolute të formimit të graniteve të Masivit të Trokuz-Deçanit, (në dy kampione, në Majën e Trokuzit dhe në vazhdim të këtij Masivi, në Deçan (Kosovë), që rezultuan të formuara 242 dhe 244 milion vjet më parë, pra kemi një magmatizëm të Triasikut (T21-Anizian). Kjo u përcaktua me anën e izotopeve të U-Pb në Zirkonet e këtyre graniteve, në Universitetin Montpelie II – në Francë; 2. Përcaktimi për herë të parë i moshës absolute të formimit të graniteve të Junikut (Kosovë), (329 milion vjet më parë, C13-Serpukhovian), pra një magmatizëm më i hershëm, (i Karboniferit); 3. Përcaktimi për herë të parë i moshës absolute të graniteve të Masivit të Fierzës, (247 milion vjet më parë (T12-Olenekian), pra edhe ky rezultoi magmatizëm i Triasikut që deri tani njihej si i Jurasikut, (J23-Toarian, rreth 176 milion vjet më parë); 4. U bë gjithashtu klasifikimi gjeokimik i këtyre granitoideve; u bënë dallimet gjeokimike midis tyre; u bë klasifikimi gjeokimik i shkëmbinjve vullkanikë etj; 5. Nga analizat e fazave minerale (mikrosondat) dhe nga ato të përbërjes izotopike të Squfurit në disa mineralizime të Zonës Gashi, mineralizimet e Rupës (në dacite), duhen pranuar në dy faza mineralizimi: një mineralizim kryesisht piritoz me origjinë magmatike dhe një mineralizim ”masiv” i formuar po nga këto hidroterma por në kushte pranë sipërfaqsore, në kontakt me ujin e detit, kurse mineralizimi sulfur (në bazalte) ka origjinë magmatike, mantelore dhe i formuar në kushte pranë sipërfaqsore, ku është ndjerë roli i ujit të detit, por ka raste edhe në kushte më oksiduese, (si mineralizimi i Dobërdolit ku ka edhe magnetit); 6. Përcaktimi i kushteve të formimit të shkëmbinjve vullkanikë, bazuar në interpretimet gjeokimike të raporteve të mikroelementëve në këta shkëmbinj; 7.    Ndërtimi i skemave të evolucionit dhe të zhvillimit gjeodinamik të Zonës Gashi, në periudha të ndryshme gjeologjike; 8. Janë shkruar e botuar këto vite, rreth 10 artikuj dhe referate shkencore, në revista shkencore dhe në konferenca ndërkombëtare, brënda dhe jashtë shtetit, në lidhje me Disertacionin; 9. Rezultatet e analizave të realizuara enkas, duke arritur në disa përfundime të rëndësishme për  problematika të ndryshme të trajtuara në këtë Doktoraturë, të shprehura në tabela, skema, harta etj; 10. Grumbullimi i një materiali faktik të bollshëm, analizimi, përpunimi dhe interpretimi i tij; 11. Deshifrimi më i plotë i pozicionit gjeologo-strukturor i formacioneve shkëmbore të Zonës Gashi, mbështetur në përcaktimin e moshës absolute të granitoideve të Trokuz-Deçanit, të Junikut etj, duke detajuar më saktë prerjen litostratigrafike të kësaj Zone; 12.    Është thelluar njohja mbi formimin e plutonikëve dhe të vullkanikëve të Zonës Gashi, duke i interpretuar me mekanizmin e shkrirjes së pjesshme të mantelit dhe të kores kontinentale, etj.
Mbrojtja e Doktoraturës u bë me një publik të gjërë, para një jurie të nderuar, (të përbërë nga 5 anëtarë me tituj profesor doktor), të cilët në përfundim të referimit që bëra, më dhanë vlersimin maksimal: shumë mirë,  me 50 pikët e plota), të cilët i falenderoj shumë.

Si e shikoni Ju perspektivën e shkencave gjeologjike në vendin tonë?
Dihet që politikat ekonomike të një shteti bazohen kryesisht në shfrytëzimin dhe në menaxhimin e pasurive minerale dhe natyrore që posedon vendi. Meqenëse vendi ynë ka pasuri të konsiderueshme metalore, jometalore, pasuri ujore, energjitike, nafte, gazi, klimë të mrekullueshme, bregdet me plazhe të lakmueshme, male me pyje dhe bjeshkë turistike të mahnitshme etj, që në sajë të politikave largpamëse të shtetit tonë demokratik me Kryeministër Prof. Dr. Berishën, po afrohen çdo vit këto resurse natyrore me njëra tjetrën dhe me komunitetin, nëpërmes ndërtimit të autostradave dhe rrugëve të tjera ndërmjetëse në të katër anët e vendit, për t’u vu në dispozicion të ekonomisë dhe të zhvillimit të Atdheut tonë të shtrenjtë. Kështu që shkencat gjeologjike paraprijnë dhe mbështesin me studime aplikative të fushave të ndryshme gjeologjike dhe gjeologo-ambientale, për shfrytëzimin e këtyre resurseve si dhe për ruajtjen dhe menaxhimin e mjedisit natyror në të cilin jetojmë. Për këtë bëhen projekte dhe realizohen dhe zbatohen studime të mirëfillta gjeologjike për minerale të ndryshme, studime hidrogjeologjike, gjeokimike, gjeologo-inxhinierike, gjeologo-ambientale, studime mbi rreziqet e ndryshme gjeologjike që i kanosen truallit dhe komunitetit etj. Pra nga këto që thamë, kuptohet që shkencat gjeologjike me disiplinat përkatëse të tyre, do të jenë imediate dhe do të kenë prioritete dhe kërkesa gjithnjë në rritje për studime në këto fusha, në dispozicion të shtetit, të bizneseve dhe të shoqërisë civile, falë zhvillimeve të vrullshme që po njeh vëndi ynë këto vite, si në fushat e pasurive minerale, ujore, energjetike, turistike, trojeve ndërtimore, të autostradave, ujësjellësave etj.

Siç më shpjeguat, derisa u transferuat në Tiranë në vitin 2006, për rreth 30 vjet keni kontribuar në rrethin tuaj, në Tropojë, ku Ju dhe kolegët tuaj keni bërë shumë kërkime dhe zbulime mineralesh si: kromite, bokside, polimetale apo dhe mermere e qymyre etj. Pse është kufizuar shfrytëzimi i tyre vetëm me kromin?
Pasuritë minerale në Tropojë përfaqësohen nga kromitet, boksidet, olivinitet, polimetalet, nga argjilat, qymyret, nga pasuritë ujore, nga materialet e ndërtimit etj.
Minerali i kromit (sidomos minerali i pasur), shfrytëzohet shumë për arsye se ka kërkesa të mëdha në tregun ndërkombëtar, për vetë cilësitë fiziko-kimike etj, të tij si dhe për fushat strategjike të përdorimit të këtij minerali në industrinë botërore. Gjithashtu ky lloj minerali nuk ka nevojë as për përpunim paraprak për shitjen e tij, meqë është i pasur.
Për olivinitet dhe për boksidet ka kërkesa dhe besoj që në të ardhmen do të vihen në dispozicion të ekonomisë së vendit. Përsa u përket polimetaleve, përveç se nuk janë shumë atraktive për nga cilësia për tregun aktual, shfrytëzimi i tyre do të sillte ndotje të theksuar të ambjentit, sidomos për një të ardhme turistike me perspektivë, siç janë këto bjeshkë të kësaj zone ku ky mineral gjendet. Argjilat janë cilësore dhe të gatshme për shfrytëzim në çdo moment të ngritjes së industrisë përkatëse, si për çimento, tulla dhe materiale të tjera ndërtimi, kurse përsa u përket qymyreve, ato janë të cilësisë së dobët dhe mundë të kenë interes vetëm për shfrytëzim lokal. Materialet e tjera të ndërtimit si: gurët, rërat dhe zhavorret e llojeve të ndryshme etj, janë resurse me vlera të mëdha në zhvillimin e industrisë së ndërtimit, që gjenden me bollëk dhe pa kosto. Pasuritë ujore që i disponon rrethi ynë, po të menaxhohen me një efiçencë të lartë, mundë të konsiderohen si mundësi të mëdha për energjetikën, për ujëra të pijshëm, për vaditje dhe ujëra industrialë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›