E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama paralajmëron masa drastike ligjore për ata që hedhin plehra në rrugë

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar dënime drastike për të gjithë ata që nuk respektojnë rregullat për hedhjen e mbeturinave.

Shefi i qeverisë ka postuar në rrjetet sociale foto të rrugës se re Kardhiq-Delvinë, pjese të së cilës janë shndërruar në vend depozitime plehrash, duke paralajmëruar se kjo situatë do të rregullohet me ligj dhe nga viti i ardhshëm çdo qytetar apo biznes do të dënohet për hedhjen e mbeturinave buze rruge apo  jashtë koshave te përcaktuar.

EDI RAMA

“Ne s’do të lejojmë që sjellja e egër e një pakice individësh të pacipë, të dëmtojë Shqipërinë e rilindur turistike! Një paketë e re ndëshkimesh drastike ligjore për hedhësit e plehrave rrugëve, do të hyjë në fuqi maksimumi fillimvitin e ardhshëm.”

Shqipëria këtë vit po përballet me një bum turistik. Pastërtia e rrugëve, plazheve dhe qyteteve është një prej kërkesave kryesore që shefi i qeverisë Rama u ka adresuar bashkive në prag të sezonit turistik.

Prej ardhjes në pushtet të socialistëve aksionet për pastrimin e zonave turistike kanë qenë të shpeshta, duke përfshirë në disa raste edhe forcat e ushtrisë për të garantuar një mjedis të pastër veçanërisht për të gjithë ata që zgjedhin Shqipërinë për të pushuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›