E Martë, 3 Nëntor 2026

Turistët italianë gjejnë portofolin dhe e dorëzojnë në Polici, Balla: Borxhi i Restorantit në Berat u shlye

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka vlerësuar veprimin e dy turistëve italianë ku pasi gjetën një portofol me lekë dhe dokumente të tjera personale e dorëzuan atë në Komisariatin e Policisë Lushnjë.

Përmes një postimi në Facebook, teksa ka shpërndarë dhe fotot, Balla shkruan se tashme borxhi u shlye, duke nënkuptuar rastin e restorantit në Berat, ku turistët italianë u larguan pa paguar.

 “Ja dhe borxhi i Restorantit në Berat u shlye. Dy turistë italianë gjejnë portofolin me të holla dhe dokumente të tjera personale të një banori dhe e dorëzojnë menjëherë në Komisariatin e Policisë Lushnjë”, shkruan Balla.

Dy turistët italianë ishin duke udhëtuar me biçikletë kur kanë gjetur në rrugë një portofolin që më pas e kanë dorëzuar në Komisariatin e Policisë Lushnjë.

Shërbimet e Policisë, pasi kanë kryer verifikimet në bazë të kartës ID që ishte në portofol, kanë njoftuar shtetasin që e kishte humbur, i cili është paraqitur në Komisariat për të marrë portofolin me shumën e konsiderueshme të parave, kartat bankare dhe kartën e identitetit. 

Pasi ka marrë portofolin, ai ka falënderuar punonjësit e Policisë dhe dy turistët italianë, për gjestin e tyre.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›