Rama paralajmëron sërish: Operacion të gjerë për pastrimin e bregdetit
Kryeministri i zgjedhur, Edi Rama ka paralajmëruar sërish një aksion të gjerë për prishjen e të gjitha ndërtimeve pa leje në bregdet. Këtë radhë njoftimin për aksionin, Rama e bëri nëpërmjet rrjetit social Twitter. Në postimin e tij, kryeministri i zgjedhur i cilëson ndërtimet në bregdet si një kancer agresiv në veprim.
Njoftimi
Rama shkruan se aksioni do të jetë i gjerë e i thellë ndërsa bën të ditur se Polica e Shtetit do të jetë në krye të këtij aksioni. Ndërtimet abuzive në bregdet, një kancer agresiv në veprim! Duhet një operacion i gjerë e i thellë. Policia e Shtetit në krye!, shkruan Rama në rrjetin social Tëitter. Më tej, Rama shkruan se aksioni do të nis në muajin shtator dhe do të përfundojë deri kur sipas kryeministrit të zgjedhur, ligji të sundojë mbi territorin. Duke ju referuar gjendjes aktuale të ndërtimeve në bregdet, Rama e cilëson atë si një emergjencë kombëtare. Operacioni do jetë gati në shtator e s’do ndalet deri në vendosjen e sundimit të ligjit mbi territorin. Jemi në emergjencë kombëtare!, shkruan më tej, kryeministri i zgjedhur, Edi Rama. Në vijim, Edi Rama fton të gjithë qytetarët që të bëhen pjesë e këtij aksioni duke denoncuar çdo rast që ata janë në dije për ndërtimet pa leje. Ju lutem çdo mbështetje për këtë operacion ose ankese konkrete për abuzues në veprim aty ku banoni apo pushoni shoqëroheni me StopRrënimit, përfundon mesazhin e tij, kryeministri i zgjedhur, Edi Rama. Aksioni për prishjen e të gjitha objekteve pa leje përgjatë bregdetit është njoftuar edhe më herët nga Edi Rama. Gjatë takimeve me banorët në fushatën elektorale, Rama u premtoi banorëve të zonave bregdetare se ai do të bënte një spastrim të bregdetit duke prishur të gjitha ndërtimet pa leje. Për këtë Edi Rama premtoi edhe ngritjen e një Agjencie për bregdetin.