E Shtunë, 31 Tetor 2026

Streha e fundit e horrave

Nga Ismail Kadare

Ismail-Kadare-001

Gjatë gjithë vitit 1999, për herë të parë  në jetën time, për shkak të luftës në Ballkan, kam mbajtur, në mënyrë të vijueshme, shënime. Nën titullin Ra ky mort e u pamë, shënimet, në trajtë ditari, janë botuar si libër më vete në shqip dhe në disa gjuhë europiane.Ditën e 31 majit 1999, në kulmin e bombardimeve të NATO-s, shënimi i ditës merret me një polemikë midis shqiptarësh në gazetën Illyria të Nju-Jorkut. Shkak është shkrimi Skënderbeu e kishte nënën sllave (me autor Fatos Lubonjën), botuar pak ditë më parë në Courrier International të Parisit. Autori shqiptar i shkrimit fajësohet me një gjuhë tejet të ashpër, për qëndrim antishqiptar e njëherësh antieuropian. Pra, është 31 maj i vitit të fundit të mijëvjeçarit të dytë. Shprehja ora e keqe, më shumë se metaforë, është përcaktim i saktë i kohës për Kosovën. Ajo mezi po merr frymë nën masakrën serbe, një nga më të egrat e shekullit. NATO-ja është duke bombarduar Serbinë, për shkak të shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarët po paguajnë taksën. Shkurt, për ndëshkimin e Serbisë, NATO-ja ka vënë aviatorët dhe avionët më modernë të saj, kurse Kosova ka vënë gjënë më të vjetër në botë, në kësi rastesh: gjakun. Liria e kërkon se sbën  këtë karburant të vjetër, dhe shqiptarët e dinë këtë. Hakmarrja serbe është në kulmin e saj: grirje  foshnjash, përdhunime vajzash e grash, djegie shtëpish, vrasje verbazi, shpërngulje, tmerr. E deshët ndërhyrjen e NATO-s! Ja NATO-ja! Gëzojuni asaj! Kosova është me shpirt ndër dhëmbë.  Gati po jep shpirt. Dhe pikërisht mu midis makthit, në një nga revistat më ndikuese europiane, një rimohues shqiptar e boton këtë shkrim, për të cilin ndërgjegjja e tij, sipas fajësuesve, duhej të përgjigjej më pas. Shkrimi do të quhej, as më pak, as më shumë, thikë në shpinë kundër Kosovës.Ishte e ngutur një akuzë e tillë? Ishte ky shkrim një lajthitje e rastit, kapardisje antikombëtare, snobizëm, etje për tu dukur modern? Ishte një përzierje e të gjithave, madje diçka më e rëndë? Shkrimi, para së gjithash, kishte të bënte me një polemikë nga më të ashprat në Shqipërinë paskomuniste. Në qendër të kacafytjes (një fjalë disi më e saktë në këtë rast), ishte Gjergj Kastrioti, por, siç ndodhte shpesh me zotin Gjergj K., kur hynte në skenë, gjithë çështjet madhore të kombit shqiptar, Rilindja, gjuha shqipe, zanafilla ilire e shqiptarëve, raportet e mitit me historinë, vetë çmitizimi dhe mitet e rrejshme shqiptare, do të ndërlikoheshin rreth tij.  Dy grupimet që do të ndesheshin, albanologët e rinj, ose rimohuesit, siç u quajtën shkurt, dhe kombëtaristët, kundërshtarët e tyre, do të përdornin kundër njëri-tjetrit gjithë minierat e gjuhës shqipe, çka do të ishte një festë për përpiluesit e fjalorëve, nëse ende kishte të tillë.Thënia patriotizmi, streha më e fundit e horrave, ishte ajo që, më shumë se çdo tjetër, do të përdorej në kronikën shqiptare. Pavarësisht se  autori i saj herë shpallej Xhefersoni, herë Sokrati, herë Nëna e Çërçillit, Volteri apo Xhon Lenoni, kjo nuk pengonte aspak që të bëhej thënia më e njohur në vend.Fajësimet e të dyja palëve, për nga mizoria, ngjanin si pika uji. Ndërsjelltazi, ashtu siç edhe pritej, u quajtën tradhtarë, reaksionarë parakë, kombëtaristë, antishqiptarë, fashistoidë, nënëterezistë, kanunorë, gjer te llaci-faci, shule, e natyrisht ylberistë, çka dihej çnënkuptonte. Në pranverë të vitit 1999, ndaj autorit të shkrimit të Courrier International do të përdoreshin së paku gjysma e këtyre cilësorëve. Për strehsat, të thoshe se nëna e Skënderbeut ishte serbe, e sidomos ta thoshe këtë pikërisht në maj të vitit 1999, ishte vërtetimi më i saktë se punoje për serbët. Në thelb, akuza tingëllonte groteske. Me nënë jo sllave ose sllave (çka mund të ishte e vërtetë për Vojsava Tribaldën, një sllave, me sa dukej, e martuar me Gjon Kastriotin, të atin e Gjergjit, sipas dokeve mesjetare, kur feudalët në krushqitë e tyre shkërbenin mbretërit), Gjergj Kastrioti mbetej po ai. Madje, edhe të atin ta kishte serb (do ti vinte  radha edhe këtij), përsëri nuk ndryshonte asgjë. Ai ishte heroi i parë i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, i njohur nga gjithë bota si i tillë dhe vetëm si i tillë, dhe kjo nuk mund të ndryshohej kurrë në kurrfarë rrethanash nga kurrkush.

Por strehsat nuk dorëzoheshin lehtë. Ata e kishin kuptuar se do të ishte më mirë të përdornin më pak sharje e më shumë logjikë. Kështu, në vend që të kuptonin se po tronditnin botën, duke shpallur se sa skandaloze ishte amësia ose atësia e rreme e Skënderbeut, u vunë të zhbironin ca dokumente e ca arkiva, aq sa ua lejonte, natyrisht, vrulli i tepërt polemist. Së pari, e kuptuan se duhej tu mbushnin mendjen të tjerëve, se pse ishte i keq shkrimi famëkeq në Courrier International, ditën e fundit të muajit maj, në vitin e fundit të mijëvjeçarit të dytë. Ata zbuluan se çmitizuesi shqiptar nuk ishte aspak origjinal, siç kishin kujtuar. Tezën e prindërve serbë të Skënderbeut, e kishte marrë nga dikush tjetër dhe ky dikush tjetër nuk ishte veçse famëkeqi, sipas tyre, Vuk Drashkoviç, një nga ministrat e Millosheviçit, rrjedhimisht një ndër përgjegjësit për plojën e Kosovës. Së dyti, se kjo tezë ishte botuar në vitin 1987, pra, dymbëdhjetë vjet përpara plojës, në gazetën franceze Le Monde Diplomatique dhe bënte pjesë në tezat që duhej të përgatisnin shpërnguljen e shqiptarëve nga Kosova. Së treti, se as Drashkoviçi nuk ishte origjinal, por përsëriste në shkrimin e tij teza të vjetra serbe, të Radonicit, 1942, e teza edhe më të vjetra të Vladan Gjorgjeviçit, të Grashaninit, të Çubrilloviçit, të Millosheviçit, që flisnin jo vetëm për zanafillën serbe të Skënderbeut, por, kryesorja, e lidhnin këtë zanafillë me këmbënguljen e tyre se Kosova kishte qenë e mbetej djepi i serbizmit, ndaj serbët nuk do ta lëshonin kurrë atë. Së katërti, strehsat zbuluan se shumicën e argumenteve, qoftë për Skënderbeun, qoftë për rrënjësinë e shqiptarëve në Ballkan, mohsat i kishin marrë nga famëkeqja, sipas tyre, Akademia serbe e Shkencave.

 Kthim te Courrier International,

31 maj 1999

Është tmerr në Kosovë. Është kulm i krimit, i shpërnguljes, i përdhunimit të grave e të vajzave, shkurt, i hakmarrjes meskine serbe kundër  shqiptarëve. Propaganda serbe, me frymën e fundit të saj, kërkon të përligjë masakrën, atë për të cilën po ndëshkohet nga Europa dhe Aleanca Atlantike. Ajo kërkon të përligjë sidomos famëkeqin spastrim etnik, sepse ky i fundit i kujton gjithë botës holokaustin kundër hebrenjve. I kanë shpenzuar të gjitha argumentet, ndaj bëjnë çbëjnë i kthehen më të vjetrit, atij prej të cilit kanë pasur gjithmonë fat: Kosova djep i Serbisë e i serbizmit. Kanë shpresë se edhe këtë herë kjo histori nuk do ti lërë në baltë. Në mos i përligjtë plotësisht, së paku për të zbutur disi zemërimin europiano-amerikan, vetëm ajo mund të shërbejë, historia e djepit serb. Ninullat me djepe e me foshnja kanë qenë gjithmonë të përshtatshme për të ndjellë keqardhje. Ato i kujtonin gjithkujt se ishte e lehtë të bombardoje Serbinë, por duhej bërë një përpjekje për të kuptuar shpirtin e saj, brengën shekullore, kujtimet, ahtin e saj. Ishte e vështirë për ballkanasin të ndahej nga djepi historik. E aq më tepër për serbin. Ndaj dhe në ishin bërë gabime, për diçka që quhej e shenjtë ishin bërë, për kujtimet e vjetra, nostalgjinë, ahtin e madh. Dhe historia, e përmendur qindra-mijëra herë, përsëritet: Kosova ishte shpirti i pavdekshëm i serbizmit, kuptimi, simboli, Jerusalemi, dhimbja, triumfi, zia, shkurt, nyja ku gjithçka nis e po ashtu sos. Në shkrimin e tij, Vuk Drashkoviçi, shkrimtar dhe ministër i Jashtëm i Serbisë, flet për të gjitha këto. Autori i këtyre radhëve e ka një kujtesë më tepër për këtë tekst, për arsyen e thjeshtë se teksti I Drashkoviçit është shkruar në trajtë letre të hapur, drejtuar pikërisht kolegut I. Kadare

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›