Rama paraqet sot strukturën e qeverisë së re
Kryeministri i ardhshëm Edi Rama do të paraqesë sot strukturën e re të qeverisë së majtë.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë Rama në rrjetin social Twitter ku ai ka shkruar: Sot në 15.00 live tv paraqes strukturën e qeverisë së re.
Në konferencën për shtyp pritet me interes ndarja e dikastereve ministrore, mes PS-së dhe aleatit të saj Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Ajo që dihet deri më tani është se sipas marrëveshjes mes dy liderëve të majtë, Rama do të jetë kryeministër dhe Ilir Meta kryetar Kuvendi.
Më herët Rama është shprehur se do të ketë ndarje të postit të ministrit nga mandati i deputetit.
Një ditë më parë kreu i PS-së, Edi Rama u takua me aleatin e tij kryesor në qeverinë e re, kreun e LSI, Ilir Metën.
I pyetur në lidhje me krijimin e qeverisë së re, Meta ia kaloi përgjegjësinë Ramës, duke u shprehur se Për këtë mund të pyesni Kryeministrin e zgjedhur.