Thaçi, Bashës: “Zgjedhja juaj me një proces transparent”
Faktori politik shqiptar në Kosovë dhe Maqedoni uron Lulzim Bashën për zgjedhjen në krye të Partisë Demokratike
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi uroi Lulëzim Bashën me rastin e zgjedhjes kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë. “Kam nderin dhe kënaqësinë që në emër të Partisë Demokratike të Kosovës dhe në emrin tim t’ju përgëzoj për zgjedhjen në krye té Partisë Demokratike të Shqipërisë. Zgjedhja juaj kaloi nëpër një proces demokratik, transparent dhe të konkurrencës së lirë, shenjë se kultura demokratike në shoqërinë shqiptare po krijon traditë të mirë edhe në këtë rrafsh të rëndësishëm të konsolidimit të vlerave”, thuhet në deklaratën e PDK-së. “Duke shprehur urimet më te sinqerta Ju sigurojmë për vazhdimin e bashkëpunimit dhe thellimit të marrëdhënieve midis PDK-së dhe PDSH- së në shërbim të forcimit të raporteve midis dy vendeve tona, me synim për promovimin e vlerave të përbashkëta në planin e brendshëm dhe me vizion të integrimeve euroatlantike, në planin global. Partia Demokratike Shqipërisë nën drejtimin tuaj besoj se do ta luaj rolin adekuat në të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon Shqipëria”, thuhet më tej në komunikatë. Kryetari i LKD, Isa Mustafa telegram urimi kreut të ri të PD Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Dr. Isa Mustafa i ka dërguar një telegram urimi z. Lulzim Bashës, me rastin e zgjedhjes së tij Kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë. “Në emër të anëtarësisë së Lidhjes Demokratike e Kosovës, dhe në emrin tim, dua t’ju shpreh urimet më të përzemërta për zgjedhjen tuaj kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë. LDK-ja e çmon lart kontributin e jashtëzakonshëm të PD-së dhe të Kryetarit të deritanishëm të saj, kryeministrit Sali Berisha, për konsolidimin e shtetit shqiptar dhe integrimin e tij në strukturat euroatlantike, si dhe për mbështetjen e përhershme dhënë Kosovës, lirisë dhe pavarësisë së saj”- thuhen ndër të tjera në telegramin përgëzues. Haradinaj uron Bashën: Suksese në konsolidimin e PD Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i përcolli dje urimet e tij kryetarit të sapozgjedhur të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, i cili e pason në krye të PD-së kreun e deritashëm të saj, Sali Berishën. Kryetari Haradinaj i uroi kryetarit Basha punë të mbarë dhe udhëheqje të suksesshme në krye të PD-së, me bindjen se do të vazhdojë bashkëpunimi i deritashëm midis PD-së dhe AAK-së, në kuadër të memorandumit për bashkëpunim, që ekzisotn midis dy subjekteve tona, si përfaqësuese të spektrit të djathtë politik shqiptar. Haradinaj i ka uruar ndër të tjera kryetarit Basha suksese në konsolidimin e mëtejmë të PD-së dhe të së djathtës në Shqipëri, si alternativë e zhvillimit dhe prosperimit kombëtar në familjen madhe të vlerave euro-atlantike. Gjithashtu, Haradinaj e ka falënderuar dhe përgëzuar kreun e deritashëm të PD-së dhe kryeministrin Sali Berisha për punën e madhe dhe me ndikim të jashtëzakonshëm në krye të PD-së dhe të Republikës së Shqipërisë në të gjitha fazat dhe proceset e deritashme të tranzicionit, zhvillimit ekonomik dhe prosperimit demokratik të Shqipërisë, që prej rënies së komunizmit dhe deri sot. Ali Ahmeti: PD-ja fillon një kapitull të ri në historinë e vet të begatë Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, përmes një telegrami ka uruar zgjedhjen e Lulzim Bashës për kryetar të ri të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Ahmeti në urim thekson, se zgjedhja e drejtpërdrejtë nga anëtarësia e partisë në gjithë Shqipërinë dhe me një epërsi të thellë dëshmon për një përkrahje të madhe, por, siç shton, njëkohësisht paraqet edhe përgjegjësi të jashtëzakontë për ta udhëhequr partinë në përputhje me pritjet e anëtarëve dhe qytetarëve. “Kam nderin e veçantë që në emrin e të gjithë anëtarëve dhe përkrahësve të Bashkimit Demokratik për Integrim si dhe në emrin tim personal, t’ju shpreh urimet më të sinqerta për zgjedhjen tuaj për Kryetar të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Partia Demokratike sot po fillon një kapitull të ri në historinë e vet të begatë, për të cilën dua t’i shpreh konsideratën time të lartë Sali Berishës, i cili dha kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e Partisë Demokratike dhe të Shqipërisë deri më sot, dhe jam i sigurt që ju do ta vazhdoni rrugën e shtruar në këto vite me aq shumë përkushtim dhe mundim, për të mirën e të gjithë shqiptarëve”, thotë Ahmeti në urim. Lideri i BDI-së shpreh bindjen për vazhdimin e bashkëpunimit të suksesshëm midis dy partive, për siç shton më tej, të mirën e përbashkët të qytetarëve duke punuar për mirëqenien e tyre si dhe për integrimin sa më të shpejtë të rajonit në familjen Euroatlantike.
...