Rama për “France 24”: “Bullgaria po bëhet pengesë serioze për rrugën evropiane të Shqipërisë”

Kryeministri, Edi Rama gjatë një interviste të dhënë pasditen e kësaj të shtune për televizion “Francë 24”, deklaroi se Bullgaria po bëhet pengesë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, ndonëse vendi ynë ka plotësuar kushtet për çeljen e negociatave. “Jemi në një situatë mjaft absurde, për t’ju thënë të vërtetën, sepse për momentin Shqipëria është si një dëm kolateral i një situate konfliktuale mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, pasi ka marrë dritën jeshile jo vetëm nga Komisioni, por edhe nga Këshilli Evropian, Bullgaria ka nxjerrë nga xhepi kërkesat me karakter historik dhe identitar ndaj Maqedonisë së Veriut dhe procesi mbetet i bllokuar, sepse siç e dini, Këshilli Evropian bllokohet lehtësisht vetëm me një veto të njërit prej anëtarëve të tij” tha kryeministri.
Lidhur me luftën ndaj korrupsionit, Rama theksoi, se dënimi i ish-kryeprokurorit, Adriatik Llalla është një nga shumë treguesit që ndihmojnë për të kuptuar se lufta kundër korrupsionit në Shqipëri ka arritur në një tjetër nivel. “Ju thatë “shumë shumë korrupsion” unë do të thosha se Shqipëria ka një problem me korrupsionin, por shembulli i dënimit të ish-kryeprokurorit, Adriatik Llalla, që ju sapo dhatë dhe ky nuk është i vetmi, tregon se lufta kundër korrupsionit ka shkuar në një nivel tjetër” tha kryeministri shqiptar.
Sa i përket procesit të vaksinimit, Rama tha se Shqipëria tashmë nuk është në luftë për sigurimin e dozave, por ka një betejë të ashpër me teoritë konspirative dhe me absurditetet e internetit, të cilën e cilëson shumë të vështirë.