Rama përmbyll vizitën në Kroaci, takon kryeministrin

Kryetari i PS-së Edi Rama gjatë vizitës së tij në Kroaci është takuar me kryeministrin Zoran Milanoviç. Siç bën të ditur në rrjetin social “Twitter”, lideri i selisë rozë në qëndër të bisedimeve mes tyre ka qenë zhvillimet në rajon dhe nxitja e punësimit
“Me kryeministrin kroat folëm përreth 90 minuta mbi rajonin dhe politikat e reja për nxitjen e zhvillimit, taksimin e ndershëm e punësimin” shkruan Rama.
Ai gjithashtu ka theksuar se së bashku me kryeministrin kroat ka rënë dakort për të bashkëpunuar për detajimin e programit të PS-së mbi turizmin, mbrojtjen e vijës bregdetare dhe zhvillimin portual e peshkimin.
I impresionuar nga pritja e kryeministrit kroat, Rama thekson se largohet nga Zagrebi për në Tiranë shumë të inkurajuar për sot dhe për të ardhmen.
Ndërkohë më herët, kreu i PS-së Edi Rama vizitoi Brukselin, ku çeli ekspozitën "Euro-Albanian Contacts" në mjediset e Parlamentit Europian në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.