Rama peshkon deputetë, që të mos i kërkojnë dorëheqjen pas humbjes

Prurjet e Ramës po shkaktojnë përmbytje në stabilitetin politik të opozitës. PS-së i kanë plasur ujërat dhe eksponentët e lënë jashtë listave po deklarohen publikisht se do të kundërshtojnë vendimet sektare të kryetarit të partisë. Por Edi Ramës aq i bën, i cili s’e ka mendjen tek fushata, por tek emrat që do sponsorizohen, të cilët përveç financave, do i garantojnë edhe mbretërim të qetë në partinë e trashëguar nga nomenklatura bolshevike
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama është përpjekur deri më sot të shmangë çdo lloj diskutimi për listën e kandidatëve për deputet. Në mbledhje, kreu i PS u flet për programin dhe strategjinë e fitores,por deputetët e PS e kanë mendjen tek lista e deputetëve.
Duhet thënë se për programet dhe strategjitë e Edi Ramës për të ardhur në pushtet, deputetët e PS i kanë dëgjuar për tetë vite me radhë dhe sa më afër dita e zgjedhjeve aq më larg duket fitorja. Kuptohet vetiu të ashtuquajturat “prurje” të reja në PS nuk kanë bërë asgjë tjetër veçse kanë shtuar ujin e zi në lumin e pistë të opozitës, çka ka bërë që të shtohen presionet e brendshme duke bërë të afërt një shpërthim të situatës në parti.
Prurja e re në PS, Alfred Peza largoi nga lista e kandidatëve për deputet të PS në qarkun e Elbasanit, Skënder Hasën. Në këtë qark elektoral sinjalet janë që do të kandidojnë edhe Ben Blushi dhe Eduart Shalsi, që cenon kandidimin në pragun e sigurt të listës për deputet të Damian Gjiknurit dhe Valentina Leskajt. Këto të dy deputetë të zgjedhur në qarkun e Elbasanit janë shprehur publikisht disa javë më parë për nevojën për transparencë në bërjen e listës për deputet të Partisë Socialiste. Dalja në media edhe e emrit të Bashkim Finos, si kandidat në listën e Elbasanit vetëm se e ka shtuar edhe më shumë presionin psikologjik të deputetëve të PS kundrejt Ramës.
Padyshim “përjashtimi” nga lista e deputetit Asllan Dogjanit në Kukës ka bërë të mundur të shohim fillimin e një tragjedie politike në radhët e PS. Padyshim me “prurjet” e reja, kreu i PS Edi Rama do të shkaktojë një furtunë në lista për ta pastruar partinë nga elementët dëmprurës për sektin e tij. Arben Malaj apo Marko Bello, Arben Ahmetaj e Alfred Dalipi, si dhe ndonjë deputet në Durrës dhe Vlorë janë të identifikuar si elementë të padëshirueshëm në grupin parlamentar të ri të PS, pas zgjedhjeve të 23 qershorit.
Sido që të jetë qëllimi i primar i prurjeve të reja të Edi Ramës, të cilët do të konvertohet në deputetë në listat e sigurta, kanë prapavijën e besueshmërisë jetike në rast humbjeje. Me pak fjalë, Edi Rama po peshkon deputetë që pas 23 qershorit të mos i kërkojnë dorëheqjen. Paniku i zgjedhjeve parlamentare e detyron të organizojë tërheqjen nga beteja e madhe pa humbur postin e kreut të Partisë Socialiste.
Një gjë është e sigurt, forcat që po bashkon Edi Rama janë të pakta në numra elektoralë dhe aleancat politike do të jenë më të vogla në zgjedhjet paraardhëse. Mungesa e karizmës dhe kthjelltësisë politike po e shtyn kreun e opozitës drejt disfatës më të madhe të karrierës 13 vjeçare politike. Ikja nga ministria apo bashkia nuk do të jetë gjë e madhe në krahasim me ikjen nga partia Socialiste.