Rama po ri-ngre frymën e destabilizimit

Afrimi i testimit presidencial si dhe i vendimmarrjes për koalicionin e ri parazgjedhor po e shtyn jopolitikanin Rama drejt një vale të re destabilizimi. Pa marrë parasysh rrezikimin e statusit të kandidatit, por edhe ndikimet rajonale destabilizuese që mund të ketë vala aktuale anarkiste, Edi Rama ka njoftuar se po shqyrton mundësinë për një sezon të ri përplasjesh e bllokadash politike. Në udhëheqjen e PS duken të frikësuar nga vendimi, por apatridi në krye të saj, duket se s’ka perspektivë tjetër përveç destabilizimit
Partia Socialiste po demonstron haptazi pamundësinë e saj për të funksionuar si spektër konstruktiv në parlament. Të qenurit një opozitë e fortë (66 deputetë në Kuvend), s’i jep aspak kredibilitete të forta një fatkeqësie politike i cili shfrytëzoi rrethanat e rastit për t’u bërë lider i së majtës dhe vazhdon të qëndrojë në të njëjtat pozita, si gjeli në majë të plehut, pavarësisht se rreth e rrotull është i “kapur” nga kotësia dhe budallallëku që vjen si rrjedhojë e dështimeve të panumërta. Një logjikë e ftohtë të thotë se, Edi Rama përveçse është konsumuar si figurant, politikan pa peshë dhe mos njohës i frymës konstruktive, konfirmon gjithnjë e më tepër qëndrimin e tij si celulë bllokimi me qëllim që t’i rrisë vetes kreditet politike. Destruktiviteti i kësaj opozite është dhe arsyeja e madhe se pse Shqipëria edhe sot e kësaj dite s’e ka marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Përgjigja s’është e vështirë për t’u gjetur. Për 2 vite radhazi PS dhe onturazhi i saj propagandistik, organizoi arsenalin e dhunës dhe krimit, rrugëve të Shqipërisë, duke kulmuar me “grushtin e shtetit” në 21 janarin e një viti më parë. U kujtua dhe u mendua se opozita hoqi dorë nga tentativat për rrëzimin e pushtetit me dhunë (pas dështimit të grushtit të shtetit) dhe cenimin e institucioneve demokratike, të dala nga zgjedhjet legjitime të 28 qershorit 2009-ë, por “zjarri” i etjes për pushtet ka qenë gjithmonë i ndezur dhe në prag të shpërthimit vullkanik, në pritje të rastit të brishtësisë së institucioneve ligjore. Që prej kërcënimeve të fillimvitit për bllokimin e ligjeve me 3/5, pavarësisht se ishte arritur një marrëveshje mazhorancë-opozitë në nëntorin e vitit të kaluar, u pa qartë se PS nuk mund të distancohej nga linja e shantazhit dhe kërcënimit të institucioneve kushtetuese. Kërcënoi parlamentin se do ta bllokonte në çdo moment dhe pa një pa dy, do kthente mbrapsht axhendën e reformave. Qëllimi ishte të zvarritej korpusi i ligjeve me 3/5, aq shumë të kërkuara nga Bashkimi Evropian për një mundësi reale të statusit kandidat në progres-raportin e vjeshtës së këtij viti. Reforma Zgjedhore dhe Gjykata Administrative ishin po ashtu të rrezikuara nga tentakulat e paqëndrueshmërisë opozitare si faktor jo i qenësishëm dhe aspak serioz, por presioni i ndërkombëtarëve bëri që PS të paramendonte një aksion konstruktiv me gjasë se do të merrte përsipër detyrat e saj kombëtare, ndaj elektoratit dhe vendit, në rrugën e integrimit. Seanca plenare e ditës së enjte e riktheu këtë opozitë disa vite pas, te opozita e bilbilave dhe daulleve në Kuvend, te opozita e gurëve të bulevardit dhe gomave të Fierit e Lushnjes. Pra, pas miratimit të atyre 4-5 ligjeve me shumicë të cilësuar, Avokatit të Popullit, nisjes së diskutimeve për reformën zgjedhore, rregulloren e parlamentit dhe Gjykatën Administrative, PS paralajmëron bllokadën me qëllim kthimin e 12 rekomandimeve të Brukselit, në “kalë beteje” të interesave politike të Edi Ramës. Dukshëm kandidatura e Elvis Cefës ishte më e favorizuar ndaj asaj të Ardian Vishës për një sërë treguesish maturues dhe profesionalë. Por, shqetësimi i Edvinit s’ishte vetëm humbja, fundja me 71 vota, kundrejt mazhorancës, por i druhej një turpërimi nga ana e deputetëve të tij, të cilët jo pak herë i cilëson si të pabesë. Kësisoj, i shtyrë nga ethet dhe dhimbja e kokës për mospasjen nënkontroll të formacionit të tij politik, Edvini është i destinuar t’i mveshet retorikës së destruktivitetit, duke paramenduar anarshi kombëtare por dhe destabilitet rajonal. Dhe në këtë linjë nuk i mungojnë frymëzimet magjike të “arkitektit të manipulimit”, Skënder Gjinushi, apo deklaratat rrëqethëse të orakullit të viktimave Spartak Ngjela, për 13 mijë të vdekur si simbol i kauzës politike të opozitës dhe Partisë Socialiste, çka kompleton formacionin e apatridëve të shtyrë nga mungesa e alternativave, përveç asaj të destabilizimit.
...