Drita, letrarja më e re që përjetoi mizorinë e diktaturës
Me rastin e emërtimit të shkollës së Cërrikut me emrin e Drita Çomos
9 prilli do të mbahet mend në historinë e demokracisë shqiptare, si një pikë më shumë. Pas emrave që bien era myk mendësie nostalgjike, si “Kongresi i Përmetit”, “Komuna e Parisit”, “Labinoti”, Univeristeti (ndjesë pastë) “Enver Hoxha”, si edhe terroristë dhe atentatorë të tjerë, në funksion të konsolidimit të diktaturës, kemi ogurin e mirë të përkujtimit të “luleve të bardha të demokracisë”, si At Gjergj Fishta, Faik Konica, Ramize Gjebrea, Musine Kokalari, Mustafa Gjinishi, Havzi Nela, Azem Hajdari, Drita Çomo, më së fundi, në një shkollë. 22-vjeçarja Drita Çomo, që vdiq e vetmuar në spitalin onkologjik të Tiranës, - e vetmuar për shkak të shpirtit të zi të Nexhmije Hoxhës, - është autorja e metaforës së bukur të “luleve të bardha”, të cilat “ngrica” i rrëzon përtokë” (mars 1980).
Përballë ngricës ( ngricës pa asnjë cilësor), kemi lulet me mbiemrin “të bardha”. Një antitezë vërtet e fuqishme. Dhe domethënëse, madjé.
Ngrica i rrëzon lulet përtokë
Dhe degët mbeten krejt të zhveshura.
Ç’mund të thuash për lulet e bardha
Të rëna, të shkelura, të përqeshura...
“Ngrica”, në njëjës. “Lulet e bardha”, në shumës. Drita, në altruizmin e saj poetik, nuk mendon vetëm lëngimin e saj nën diktaturë, por edhe fatin e keq të shokëve, shoqeve, të saj – të gjithë atyre që diktatura “i shkel dhe i përqesh”. Një alegorí me një peshë të madhe, përballë shpirtit të vogël të një individi të zvetënuar, që tallet me fatet e popullit. Aluzionet janë të tejdukshme. Është një fat i mbarë që këto vargje kaq të fuqishme për një vajzë të brishtë, me talent të padyshimtë, nuk iu nënshtruan aktekspertizave të neveritshme që kërkonin qimen në përpeq edhe për poezitë e bukura që përmendnin shkretëtirat e Saharasë. Për fat të mirë nuk u gjendën në kohën e përpunimit të hetuesive...
Drita Çomo më shëmbëllen me një poet të cilin francezët e përmendin shpesh me mallëngjim. Ai ra, nën tehun e mprehtë të gijotinës së Robespierit, në vitin 1794. Një talent i vërtetë, që kishte mahnitur dashamirët e poezisë me “Odet”, “Idilet” ... Kishte lindur në vitin 1762. Mund të vërehet sa i ri kishte vdekur. Quhej André Shenié (Chénier). Por Sheniéi, fill pas Revolucionit Francez, u pavdekësua si protagonist operash të kompozitorëve të mëdhenj jo vetëm për fatin e tij tragjik, por edhe për madhështinë e vargjeve të tij, që edhe sot janë antologjike.
Edhe Drita jonë, që vdiq édhe më e ré se André Sheniéi, pas shkrimeve të shumta dhe librave të admiruesve të saj dhe pas kësaj ngjarjeje të hareshme të përurimit të emrit të saj në shkollën 9-vjeçare të Cërrikut, do të vijë përherë duke u njohur gjithmonë e më tepër, jo vetëm për çka hoqi nën një regjim mizor por, sidomos, për vargjet e saj të cilat, si ata gurët e çmuar, koha nuk i zbeh. Përkundrazi.
* * *
Sa herë lexoj vargjet tërë ndjenja të Drita Çomos, më kujtohet vëllai im, Muzaka. Ai ishte një vit më i vogël se unë. Por prindërit e mi e vunë në shkollë 6 vjeç, kur unë isha shtatë. Kemi qenë gjithmonë në një klasë, gjer në vitin 1947, kur klasa jonë e përbashkët shkoi “vullnetarisht” për punimet e hekurudhës. Vëllai im, Zaka, lëngonte nën sëmundjen e pashërueshme të meningjitit tuberkular. Në Golem, ku punonim, më vjen një telegram për rëndimin e gjendjes shëndetësore të Muzakës. S’donin të më jepnin leje as për tri-katër ditë, për t’i qenë pranë, në ditët e fundit të jetës. Ishte muaji i sulmit për shokun Tito. Kudo parulla e banderola. -Në këtë muaj sulmi kërkon të ikësh? – më thoshin në komandën e brigadës. Së fundi nëna ime, motër dëshmori, i tha si e kishtre hallin, dikujt, shokut të Harillës (dëshmor) që punonte në kryesi të BRASH-it. Më dhanë leje vetëm tri ditë. Bëhej nami të mungoja më shumë. Ika i përlotur dhe Zaka, meqë mezi fliste, ma bëri me dorë, në kuptimin e takimit të fundit.
Që të mos zgjatem, kur punoja larg trasesë për shinat, për grumbullim dheu afër detit, më thonë shokët që punonin në trasé se kishte ndaluar një veturë me një arkivol përsipër. Kishin zbritur nëna ime dhe babai dhe u takuan me një pjesë të nxënësve të klasës sime. Nuk priste koha të vija t’i takoja. Në Fier ishte shpallur ora e varrimit.
Kur u kthyem, i gjej shokët e mi të klasës me sy të skuqur. Disa, me shami në sy, duke qarë. Zakën e kishin shok klase, sikundër më kishin edhe mua. Më thanë, duke iu dridhur goja, se prindërve u kishte dalë fleta e internimit, tamam kur kishte ndodhur vdekja e Zakës. Qé e pamundur të shtyhej afati i shpërnguljes, qoftë edhe për tri ditë. Ishte caktuar edhe ai që duhej të zinte shtëpinë... (Të tjerat i ka përshkruar Kastriot Dervishi në një shkrim me titullin “I mituri në arkivol, mbi veturë”, me okielon “Nga ngjarjet e kohës së diktaturës” dhe me nëntitull: “Internimi i të vdekurit”).
* * *
Në faqen 43 të Ditarit të Dritës, lexojmë: “Në qoftë se arrin ta kuptosh jetën tënde, të pashkëputur nga historia dhe nga koha, ke fituar mbi të, mbi ashpërsinë e jetës”. „Kur ti vuan shumë, shikoje dhimbjen burrërisht, se atëherë do të ngushëllohesh vetë dhe ajo do të të mësojë diçka. Duhet ta shohësh jetën drejt e në sy,- kjo është e tëra. Të urresh dhe të duash. Dhe të mos kesh iluzione”. Një frazë kjo, si shprehje ngushëllimi për ata që rrota e fatit të keq i ka zënë nën vete. Zakonisht këto shprehje stoicizmi për të përballuar jetën I japin njerëz të zgjuar, të rrahur nga përvoja jetësore e vrazhdë. Përgjithësisht të moshuarit. Në vendin tonë, veçanërisht, njerëz të pafajshëm që nëpërkëmbeshin nga një regjim tiranik dhe nga një despot në krye të këtij regjimi, ishin të shumtë. Por në rastin tonë, këtë mendim lapidar për qëndresë, na i jep një çupëz, në fillim të jetës! Vërtet mbresëlënëse.
Pra, nuk është e tepërt të thuhet për Dritën se është e talentuar në artin e letrave, por është, gjithashtu, një person me një personalitet të jashtëzakonshëm. Shkolla 9-vjeçare e Cërrikut ka të drejtë të mburret me emrin e pazakontë që mban. Skulptori i dashuruar pas këtij personaliteti, me siguri do të frymëzohet t’i bëjë bustin që meriton kësaj vajze të rrallë, mbase me mbishkrimin: “Kokën lart!”.
Më sipër, faqja e ditarit ka përsiatje për jetën, tragjeditë dhe shpresën . Këto ndërthuren në këto faqe. Përmenden Homeri, Dantja, Balzaku dhe Pushkini. Kësisoj nuk dimë se nga cili prej tyre është frymëzuar Drita për atë sentencë të paharrueshme. Por e rëndësishme është urrejtja, si një binom njerëzor i ngërthyer me dashurinë, në kuptimin e përgjithësuar të saj. Miku im, të cilin e çmoj shumë, Luan Myftiu, në punën e përbashkët që kemi pasur për shumë kohë, më thoshte shpesh se urrejtja është njerëzore, falja është sublime. Komunistët urrejtjen e vënë në shërbim të krimit, në funksion të pushtetit monist. Dhe, duke e vazhduar këtë sindromë, që u është bërë natyrë e dytë, édhe kur konvertohen me një kameleonizëm të pashoq për mbijetesë, apo edhe për uzurpim, e vënë në leksikun e fjalëve të ndaluara nocionin urrejtje. Nuk janë veçse hipokritë. Sepse sot flasin kundër dënimit me vdekje dhe kundër urrejtjes; por përligjin të gjitha krimet e E. Hoxhës, pa harruar edhe ato të nëntëdhjetë e shtatës së dhunshme.
Po nuk e urreve komunizmin, nuk e do demokracinë! Komunizmi është vrastar, demokracia nuk është e tillë.
Janë mjaft të pakët ata që kanë bërë pendesë publike për krimet politike të diktaturës. Falja, në këtë rast do të mund të përligjej dhe do të ishte sublime, siç thotë L. Myftiu, për vendosjen e themeleve të Pajtimit Kombëtar. Por ky pajtim, pati një precedent të njëmendët vetëm në regjimin e A. Zogut I , kur as që mund të mendohej për luftë klasash, përderisa ka pasur vetëm një gjyq politik, me dënime deri në tre vjet. Kundërshtarë të atij regjimi janë bërë ministrat më me prestigj. Përmendim Mirash Ivanajn, ndër shumë të tjerë. Në atë regjim do të ishte e pakonceptueshme që një vajzë që sapo kishte dalë nga mituria, në grahmat e fundit të jetës së saj në spital, të mos shihej nga e ëma gjer në fund të jetës...
Drita Çomo, në përsiatjet e saj, është e besueshme në çdo fjali të Ditarit të saj, édhe kur flet për urrejtjen, si një koncept njerëzor, që paraqitet i pandashëm në bashkësinë binare (me dy elemente) mizorì-urrejtje. E para pjell të dytën. Fytyra dhe shëmbëllimi i saj, në fizikë dhe në matematikë, nuk mund të merren të pandërlidhura. Është tjetër gjë, pastaj, se kontrollet e njëpasnjëshme të diktaturës, shtypja e egër për çdo fjalë të dyshimtë, i bënë edhe trimëresha si Drita (e cila u doli përballë krenarisht kancerit dhe komunizmit), që të jenë të matura, të rezervuara, të vetëpërmbajtura. Sigurimi i shtetit kontrollonte edhe ditarët. Njëra ndër akuzat e Havzi Nelës kanë qenë poezitë dhe ditari. Vilson Blloshmi dhe Genc Leka u ekzekutuan edhe për poezitë e tyre. Enverizmi nuk i duronte dot poetët me vargje të dyshimta. Dritën nuk e vrau, se Zoti kishte vendosur ta merrte pranë tij. Edhe për moshën e vogël, natyrisht. Drita ishte vërtet më e vogël se bashkëshpirtërorët e saj të artit poetik. Por çuditërisht ajo ishte më e matur, më e përkorë. Në ditarin e saj personat që kishin simpati për të, ajo i shënonte me simbole. Dhe, ndonëse dorëshkrimet e saj përfunduan në skedat e Sigurimit, ky nuk kishte ç’t’i bënte, sepse tashmë ajo nuk i përkiste më kësaj bote të shthurur.
Por botuesi i ka deshifruar të gjithë emrat dhe ka bërë mirë, sepse libri do të dilte i zbehtë, si me personazhe të sajuara. Totalitarizmi ynë i kuq ka qenë kurdoherë ekstrem me autodafé-të e tij. Ky zjarr antikulturë, ka rrëmbyer edhe fletore të tëra shënimesh në prozë e në poezi të Drita Çomos. Është një dhimbje e madhe për të gjithë né për një sakrilegj, që i është bërë një pene kaq të spikatur. Nuk mjaftoi vetëm vdekja, që e rrëmbeu në moshën 22-vjeçare dhe e la të saponisur një veprimtari të kulturës me premtime të jashtëzakonshme, por duhej që edhe prodhimtaria e shkruar të përgjysmohej. Është një nga krimet e panumërta të diktaturës. Është një dramë më vete, pastaj, që shumë intelektualë të sotëm, të cilët lufta i kishte rrëmbyer për t‘iu kundërvënë okupatorit, u indokrinuan aq marrëzisht sa, edhe kur vuajtën nga diktatura, sot bëjnë politikën e nostalgjikëve të saj. Një ish-kandidat i Byrosë Politike, një nga njerëzit me kulturë të diktaturës, tepër lart në këtë pikëpamje në krahasim me mediokritete si Pali, Lenka, Muho e të tjerë, e harroi, megjithatë, Llakatundin dhe fjala e tij e shfaqur publikisht, është e mendësive enveriste. Një tjetër, i akuzuar për liberal. i harroi burgjet e veta dhe të djalit të tij dhe vajti e i dha dorën në gjyq Ramizit në shenjë solidariteti, pavarësisht se “gjynahet” për të cilat ai u përgjigj në fushën e art-kulturës, i përkisnin Ramizit, në radhë të parë. Një ish-gjeneral, të cilit diktatura i ndërhyri gjer në familje për t’ia shpërbërë atë dhe i shkaktoi edhe disa gërvishtje, sot është bërë eksponent i „lavdisë“ së dikurshme, në „Kushtrim Brezash“. Për disa nga këta, që edhe në burgje bënin hipokrizi komuniste, një i njohuri im shprehet ndaj Enver Hoxhës: - Kur s’i rropi të gjallë! Njerëz të tillë i dhanë krahë enverizmit të shkërmoqur të 20 marsit të ‘91-shit gjersa më vonë, pas “frymëzimit” të dhunës së ’97-s, ia shohim fytyrën rrënimtarit të fateve të kombit tonë, në institucionet zyrtare! Nexhmija, nga ana e saj, na flet për humanizmin(!). Por nuk flet dot për ato që patën edhe armiqësinë e spitaleve, si Drita, Musineja e shumë të tjerë e të tjera.
***
Disa apologjetë të neodiktaturës, që do të kishin edhe një të qindtën e ndjenjave njerëzore të Drita Çomos, le të ulin kokën përpara këtyre vargjeve të mahnitshme!