Rama prezanton kandidatët në Shkodër: Përballë kemi BE-në, kundërshtarët i kemi pas

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar listën e kandidatëve të Partisë Socialiste për qarkun e Shkodrës, duke e cilësuar këtë skuadër si përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse, e cila mbulon të gjitha kategoritë e shoqërisë. Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se synimi i tij për zgjedhjet e 11 majit është integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Kemi një skuadër shumë përfaqësuese që mbulon të gjitha kategoritë dhe ju flet të gjithëve. Përballë kemi vetëm horizontin e BE, ne nuk kemi kundërshtarë përballë, por i kemi pas”, tha Rama.
Lidhur me investimet në Shkodër, Rama tha se projekte të mëdha janë parashikuar për kryeqendrën e veriut, ndërsa kërkoi votën e socialistëve dhe demokratëve që të mendojnë për të ardhmen e vendit dhe përtej llogoreve partiake.
“Unë besoj shumë që ajo që filluam me Benetin që rezultoi histori suksesi, duke i dhënë Shkodrës mundësinë të zgjedhë, përtej llogoreve partiake. Ne duam të bëjmë shumë për Shkodrës sepse është lënë shumë mbrapa. Jemi në një betejë me një prapambetje të madhe. Kemi ndryshuar Malësinë e Madhe, Pukën, Fushë Arrëz, Vaun e Dejës. Duke vendosur Shkodrën në qendër do të ndryshojnë të gjitha. Do e mbështesim Shkodrën me projekte madhore të qeverisë deri tek hekurudha Durrës-Prishtinë që do prek Shkodrën si një domosdoshmëri. Por na duhet mbështetja e popullit të Shkodrës, socialistëve dhe demokratëve të Shkodrës që janë rikthyer sërish tek disa personazhe që të vjen zor t’i përmendësh emrin që i kanë vënë atje në listën e këneta”, tha Rama.
/rtsh.al/