E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vangjel Dule për “Ekspres”: Ja roli i eurodeputetit Fredi Beleri në zgjedhjet e 11 majit

Kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule, foli sot në emisionin “Ekspres” në RTSH 1 lidhur me takimin e zhvilluar në Athinë me shqiptarët e Greqisë, rolin e eurodeputetit Fredi Beleri në zgjedhjet e 11 majit, si dhe pritshmëritë që ka opozita për qarkun e Vlorës.

“Kandidatura ime në qarkun e Vlorës është e natyrshme,” u shpreh Dule.

“Vlora është zona më e natyrshme, ku PBDNJ ka mbështetjen më të lartë dhe më të fuqishme, por në të njëjtën kohë ka dhe komunitetet dhe interesat që përfaqëson dhe është më afër tyre. Qarku i Vlorës ndoshta është zona me gjatësinë më të madhe gjeografike, ku ka komunitete të ndryshme afër PBDNJ-së”.

Ai theksoi se motorët e fushatës politike të PBDNJ-së duhet të përqendrohen tek Himara.

“Ne do të vazhdojmë të jemi shumë afër Himarës për të gjitha ato problematika të cilat janë evidentuar. Për këtë arsye ne do të jemi aty, por edhe në bashkinë e Finiqit, ku jeton një pjesë e madhe e pjesëtarëve të komunitetit etnik grek. Kemi komunitetet tona në qytetin e Sarandës, Delvinës apo në Konispol dhe Selenicë. PBDNJ është një parti multi-selektive dhe nuk është një parti e njëanshme.”

Duke u ndalur tek vota e diasporës, që voton për herë të parë në 11 maj, Dule tha se “duke ardhur me një frymë tjetër, nga realitete të tjera, ata do të përpiqen t’i infuzojnë realitetin dhe frymën e vendeve të tyre pritëse, si në shoqëri, edhe në realitetet tona politike”.

“Kjo do të jetë shumë pozitive. Gjatë takimeve të zhvilluar me diasporën mund të them se pritja kishte përmbajtje, kishte shqetësime të shprehura. Shqetësimi i tyre ishte jetik dhe pyesnin se çfarë po bëhet me të moshuarit tanë në Shqipëri dhe çfarë do të bëhet me fëmijët tanë?”

Duke u ndalur më tej në këto takime, Dule u ndal dhe të takimet e zhvilluar me Diasporën në Greqi ku shoqërohej dhe nga eurodeputeti i grek, Fredi Beleri, ai theksoi se ai është eurodeputet, por nuk pushon së punuari për PBDNJ-në dhe OMONIA.

“Në takimet që kemi zhvilluar dhe i pranishëm ka qenë dhe z. Beleri me emigrantët shqiptarë apo dhe me emigrantët e minoritetit etnik grek nga Shqipëria. Mund të them se ata na kanë kapërcyer në mentalitetin e tyre. Ata e ndiejnë Greqinë atdheun e tyre, sikurse dhe Shqipërinë. Është krijuar një brez. Këtë e shikon dhe në rrjetet sociale, ku krahas flamurit grek ndodhet dhe ai shqiptar“.

Sipas tij, eurodeputeti Beleri është një viktimë e një hakmarrje brutale dhe banale politike.

“Çështja Beleri ka për të mbetur në histori, por ai si eurodeputet nuk mund të luajë dot atë rol që ne do të donim të luante, sepse duhet t’i qëndrojë parimeve të grupit të tij parlamentar në PE.”

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›