Rama “pro” Lana Nusseibeh për kreun e OKB-së

Kryeministri Edi Rama ka shprehur mbështetjen e plotë të Shqipërisë për kandidaturën e Lana Nusseibeh, të nominuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe për postin e Sekretares së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Në një postim në platformën X, Rama e cilësoi kandidaturën e diplomates si një mundësi të re për OKB-në, në një kohë kur organizata përballet me sfida të mëdha dhe pikëpyetje mbi aftësinë e saj për të përmbushur misionin ndërkombëtar.
Kreu i qeverisë shqiptare bëri të ditur se e njeh personalisht Nusseibeh dhe ka pasur mundësinë të vlerësojë aftësitë e saj gjatë periudhës kur Shqipëria ishte anëtare e zgjedhur e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Sipas Ramës, ajo dallohet për njohuritë e thella mbi politikën ndërkombëtare, modestinë intelektuale dhe aftësinë për të afruar qëndrime të ndryshme mes kulturave dhe perspektivave të ndryshme.
“Emërimi i Lana Nusseibeh nga Emiratet e Bashkuara Arabe për postin e Sekretares së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ofron një fillim të ri që komuniteti i OKB-së nuk mund të përballojë ta humbasë, dhe Shqipëria është e nderuar të mbështesë plotësisht kandidaturën e saj”, shkruan Rama.
Kryeministri theksoi se, në një periudhë kur besimi te Kombet e Bashkuara po vihet në pikëpyetje, Nusseibeh përfaqëson një mundësi për të rikthyer shpresën dhe energjinë pozitive në organizatë.
Ai vlerësoi përvojën, inteligjencën dhe angazhimin e saj për t’i shërbyer njerëzimit pa paragjykime, duke e konsideruar profilin e diplomates të përshtatshëm për sfidat me të cilat përballet OKB-ja.
Në fund të mesazhit të tij, Rama vuri theksin edhe te mundësia që organizata të drejtohet nga një grua, pas shumë drejtuesve.