E Enjte, 5 Nëntor 2026

Rama publikon pamje nga plazhi i Velipojës që pret çdo vit mijëra pushues

TIRANË, 2 korrik/ATSH/- Plazhi i Velipojës i cili shtrihet në një gjatësi prej rreth 14 kilometrash nga grykëderdhja e Bunës dhe arrin deri tek “Rana e Hedhun” në afërsi të Shëngjinit, është një ndër destinacionet me tërheqëse në veriperëndim të vendit.

Vetëm rreth 30 minuta nga qyteti i Shkodrës, Velipoja është kthyer vitet e fundit një qendër turistike e frekuentuar kryesisht nga familjarë.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga ky plazh me rërën kurative dhe i rrethuar nga gjelbërimi i pishave.

Plazhi i Velipojës karakterizohet nga një peizazh i pasur dhe i larmishëm, deti i pastër, rëra e imët e errët dhe e pasur me jod si një nga përbërësit me veti kurative, me laguna dhe fusha.

Qindra dhe mijëra pushues nga Kosova dhe vendet e tjera e zgjedhin fshatin turistik të Velipojës për pushimet e tyre verore.

Velipoja është e përfshirë në zonën që quhet Peizazhi Ujor-Tokësor i Mbrojtur dhe Bashkia e Shkodrës po harton një projekt për zhvillimin ekonomik të kësaj zone.

E cilësuar “Porta e Alpeve”, nëpërmjet këtij projekti Bashkia synon të krijojë një infrastrukturë të përshtatshme që do të mundësojë një turizëm dhe shfrytëzim të territorit të qëndrueshëm gjatë gjithë vitit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›