E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama qetëson grupin parlamentar: Të punojmë si skuadër për fushatën sepse do qeverisim të gjithë

edi_rama_1Kryetari i PS u kërkon falje grupit parlamentar, duke thënë se mund të ketë gabuar, por u kërkon të punojnë fort në fushatë, duke u kujtuar se ekzekutivi do ndahet nga legjislativi nëse ata fitojnë, duke u dhënë më shumë hapësira atyre për të qenë në detyrë. Rama premton drejtësi për 21 janarin dhe thotë se Berisha nuk është i gatshëm të lërë pushtetin

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi në fjalimin e tij përpara grupit parlamentar të PS se ata duhet të punojnë së bashku si një skuadër në këtë fushatë zgjedhore, pasi të gjithë do jenë pjesë e skuadrës qeverisëse.

Keni rezistuar përballë një kundërshtari primitiv dhe gjakatar, i cili i ka humbur dy dekada Shqipërisë dhe sot i rri vendit mbi kokë si kërcënim për tia humbur edhe një dekadë të tretë, ndërkohë që ditët e pushtetit të tij janë të numëruara, tha Rama.

Dhe duke folur për një kryeministër gjakatar, Rama premtoi se 21 janari është amaneti i madh.

21 janari mbetet amaneti i madh i këtij katërvjeçari në opozitë dhe një prej synimeve tona madhore për drejtësi gjatë katërvjeçarit tonë në qeveri, tha Rama.

Kryetari i PS komentoi edhe komisionin hetimor për ngjarjen e Vjenës.

Ky komision hetimor është një tjetër vulë turpi. Ata nuk janë të gatshëm të lënë pushtetin, sepse nuk përballojnë dot hijet që kanë pas vetes. I ndjekin hijet e 21 janarit, i ndjekin hijet e Gërdecit, hijet e atyre të vrarëve në një vend ku krimi ka marrë kontrollin, ku policia është tërhequr e tradhtuar nga një kupolë në Ministrinë e Brendshme, tha Rama.

Më pas Rama u kërkoi falje anëtarëve të grupit parlamentar, duke thënë se ai mund të ketë gabuar.

Kemi pasur keqkuptimet dhe rivalitetet tona në këtë parti, që nga shkalla e lirisë është e pakrahasueshme me nivelin e mungesës së lirisë në partinë e kundërshtarit, që është kthyer në një oxhak familjar dhe klanor, tha Rama.

Nëse ka ndodhur që kam gabuar, dhe me siguri kam gabuar, është dita për tju thënë se ju kërkon sinqerisht ndjesë. Për mua të gjithë pjesëtarët e këtij grupi mbeten bashkëpunëtorët e afërt që vazhdon me zgjedhjet dhe qeverisjen e vendit, vijoi kryetari i PS.

Këto janë zgjedhjet më të rëndësishme pas atyre të vitit 1992. Këto zgjedhje do vendosin nëse Shqipëria do rilindë apo do të vazhdojë tatëpjetën, theksoi Rama.

Kryetari i PS përsëriti premtimin e tij se legjislativi do të ndahet nga ekzekutivi. Por kësaj here e bëri për tu treguar deputetëve se kështu do ketë më shumë mundësi për të pasur një detyrë a një post të rëndësishëm.

Ky grup ka treguar në këto vite se askush nuk është i paaftë dhe i papërgatitur për të marrë përsipër përgjegjësi të mëdha. Nga ky grup do të dalë skuadra fituese e 23 qershorit.

Askush nuk do mbetet jashtë rrugës tonë pas 23 qershorit. Gjithsecili do marrë përgjegjësitë e mëdha për të garantuar suksesin e mandatit tonë qeverisës, tha Rama.

Zgjedhjet e 23 qershorit duhet të bëhen të pacenueshme, e paprekshme, të pamanipulueshme. E vetmja garanci që rotacioni të ndodhi është paprekshmëria e zgjedhjeve përmes pjesëmarrjes sa më të madhe të njerëzve në votim.

Këto zgjedhje nuk do i fitojmë me 10 vota, por do i fitojmë me një plebishit kombëtar. Kjo kërkon që secili prej nesh, çdokush nga anëtarët e këtij grupi që ka investuar për të çuar përpara një betejë të vështirë, sot të jetë zëdhënësi i domosdoshmërisë për një pjesëmarrje sa më të madhe në zgjedhje, vijoi kryetari socialist.

Edhe në fund të fjalës së tij, Rama përsëriti sërish: Në këtë fazë shumë të rëndësishme, delikate dhe vendimtare, ne duhet të funksionojmë si një skuadër kompakte, me gjithë përvojën tonë. Skuadra jonë është më e madhe se një grup parlamentar dhe duhet të bëjë fushatën në të gjithë territorin./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›