Rama qetëson të larguarit nga listat: Do të jenë në qeverisjen e ardhshme
Kreu i PS-së: Ndjesë nëse kam gabuar me ndonjë deputet
Fatjona Mejdini
Kryesocialisti Edi Rama drejtoi dje sipas gjasave, mbledhjen e fundit të grupit parlamentar të PS-së për këtë legjislaturë, duke shprehur vlerësimin për deputetët socialistë të katër viteve të fundit. Rama u siguroi atyre vijimin e bashkëpunimit, jo vetëm në Parlament, por dhe në pjesë të tjera të qeverisjes së ardhshme. Duke mos harruar të kërkojë ndjesë në rast se ka gabuar me ndonjërin nga deputetët e grupit të tij parlamentar, Rama dha lajmin se një pjesë e tyre nuk do të jenë më në skuadrën parlamentare socialiste. Pavarësisht kësaj, ai theksoi se skema e re që do të ndiqet nga qeveria e ardhshme për ndarjen e pushtetit legjislativ nga ai ekzekutiv, u jep të gjithëve mundësi të angazhohen. Por sipas Ramës, përpara se të mbërrijë ky moment, deputetët socialistë duhet të bëjnë një punë të madhe për fitoren e zgjedhjeve, e cila duhet të jetë e thellë për tiu shpëtuar manipulimeve. Rama i paralajmëroi se Berisha nuk ishte i gatshëm ta lërë pushtetin dhe se do të përdorë mekanizmat për ta mbajtur atë, ndaj PS duhet të jetë vigjilente dhe e fortë që pas 23 qershorit të arrijë të qeverisë vendin. Rama përcaktoi dhe 21 janarin si amanetin e madh të 4-vjeçarit në opozitë, dhe një nga synimet më madhore për drejtësi gjatë 4-vjeçarit tjetër, kësaj here në qeverisje.
Grupi
Në mënyrë të qartë, Rama theksoi përpara deputetëve se një pjesë të tyre nuk do ti shihte më në këtë tryezë pas 23 qershorit. Por lideri i opozitës i shpalli të gjithë bashkëpunëtorë të së ardhmes së afërt, nisur dhe nga mundësitë e mëdha që ofrohen si pasojë e ndarjes së qartë mes pushtetit legjislativ dhe atij ekzekutiv që ka ndër mend të zbatojë PS. Pikërisht në këtë çast, kur mbyllet një kapitull dhe hapet një i ri, kur mbaron misioni i një grupi parlamentar dhe fillon misioni i një tjetër grupi parlamentar, që sigurisht në përbërjen e vet do të ketë ndryshime se ne jemi mbi çdo interes vetjak, mbi çdo klithmë të brendshme për të vendosur vetveten mbi aspiratat dhe mbi interesat që mbron kjo forcë e madhe politike, duke qenë të vetëdijshëm se gjithkush nga ne që është sot protagonist, padyshim do të jetë edhe nesër protagonist, theksoi Rama. Duke i quajtur katër vitet e shkuara si tepër të vështira për opozitën dhe duke kulmuar 21 janarin si ngjarje që kishte tronditur opozitën, Rama kërkoi ndjesë në rast se kishte gabuar me ndonjërin prej tyre gjatë këtyre kohëve. Sot është dita për tju thënë të gjithëve, nëse ka ndodhur, dhe me siguri ka ndodhur, që pa dashje të kem gabuar edhe unë, me këdo prej jush, në rrugën e vështirë e plot mundime që kemi përshkuar deri këtu, se ju kërkoj sinqerisht ndjesë. Për mua të gjithë pjesëtarët e këtij grupi kanë qenë dhe do të mbeten bashkëpunëtorët më të afërt të rrugës së përbashkët, që vazhdon me fitoren e 23 qershorit dhe me qeverisjen e vendit për 4 vitet që vijnë, deklaroi Rama, duke i ftuar të gjithë për bashkëpunim.
Zgjedhjet
Kreu i PS-së i konsideroi zgjedhjet e ardhshme si më të rëndësishmet, pas atyre të vitit 1992. Në këtë kuadër, ai theksoi se zgjedhjet e 23 qershorit duhet të bëhen të pacenueshme, të paprekshme, të pamanipulueshme. E vetmja garanci që ndryshimi i madh të ndodhë, që rotacioni të ndodhë, që Rilindja të ndodhë, është paprekshmëria e zgjedhjeve përmes pjesëmarrjes sa më të madhe të njerëzve në votime. Sa më shumë shqiptarë të votojnë, aq më shumë siguri do të këtë çdo votues se rezultati do të jetë i qartë, i thellë, i paprekshëm. Këto zgjedhje nuk mund dhe nuk do ti fitojmë me 10 vota, deklaroi Rama, duke shtuar se këto zgjedhje mund dhe do ti fitojmë me një plebishit kombëtar.
Pjesëmarrja - E vetmja garanci që ndryshimi i madh të ndodhë, është paprekshmëria e zgjedhjeve përmes pjesëmarrjes sa më të madhe të njerëzve në votime
Replikat
Pas publikimit të lajmit mbi mundësinë e moskandidimit në Tiranë të kreut të PS-së, Edi Rama, nënkryetarja e bashkisë së kryeqytetit, Jorida Tabaku, e sulmoi ashpër kreun e PS-së duke theksuar se Rama ka frikë të përballet në Tiranë. Por Rama, i është përgjigjur: Më 23 qershor të shpëtojmë dhe laureshat që këndojnë me pahir marritë e Saliut sa në foltoren e partisë, sa në foltoren e bashkisë.
Presidenti
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, gjatë një takimi me drejtuesit e botës universitare bëri thirrje për uljen e toneve agresive në fushatë. Dozat e tepruara, retorika agresive vetëm prodhojnë fanatikë dhe fanatizëm, që mund të kthehen në problem për të gjithë. Zgjedhjet janë momenti i qytetarit që ushtron parimin e tij themelor për të përcaktuar si do qeveriset në mandatin e ardhshëm, kë beson më tepër, kush përfaqëson interesat e tij, deklaroi Nishani.
Rama qetëson të larguarit nga listat: Do të jenë në qeverisjen e ardhshme burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email