E Diel, 1 Nëntor 2026

Misioni i ODIHR mbërrin më 10 maj. Kreu mund të jetë nga Sllovenia

Ylli Pata

Ndërkombëtarët

Kreu i Prezencës së OSBE-së, Eugen Wollfarth, i kërkon qeverisë të tërhiqet për KQZ-në

Wollfarth: Është shumë e rëndësishme që qeveria, pra shumica, të bëjë përpara për të krijuar një atmosferë që lejon për hapa të mëtejshëm, ashtu sikurse është e rëndësishme që opozita të paraqesë pjesë konstruktive të këtij dialogu

Sequi: Mbas zgjedhjeve do t’i hyjmë menjëherë punës për të vlerësuar rrugën e Shqipërisë për rinjohjen e statusit kandidat. Kjo do të thotë që puna për këtë rinjohje do të marrë po aq energji sa realizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme

Ylli Pata

vezhguesit e OSBEVëzhguesit e parë afatgjatë të Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut (ODIHR), pritet të mbërrijnë në Tiranë javën e ardhshme. Një grup i vogël i drejtuar nga kreu i misionit pritet të instalohet në 12 qarqet për të verifikuar në terren përgatitjet e zgjedhjeve të 23 qershorit. Siç mësohet, nuk është vendosur ende se kush do ta drejtojë misionin vëzhgues të OSBE-ODIHR-it, por burime diplomatike bënë të ditur se shefi i vëzhguesve mund të jetë një personalitet i njohur nga një vend i Bashkimit Europian brenda Ballkanit. Burimi bëri të ditur për Shqip se ka mundësi që kreu i ODIHR-it të jetë një slloven, por gjithsesi vendimi pritet të bëhet publik në tri ditët e ardhshme.

Siç mësohet këdo ditë në zyrat e OSBE-së në Vjenë është zhvilluar një diskutim i madh në lidhje me natyrën dhe përbërjen e misionit vëzhgues, i cili ka dy pjesë, misionin afatgjatë dhe misionin afatshkurtër. Misioni afatgjatë do të përbëhet nga rreth 35 persona, ndërsa afatshkurtri që është shumë i rëndësishëm, do të ketë numrin më të madh të monitorëve, rreth 400 të tillë. Por specifike është se bashkë me misionin afatshkurtër të ODIHR do të bashkëngjiten edhe grupet e tjera të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës e organizatave të tjera. Nuk dihet ende nëse do të përdoret skema e vitit 2009, pra kur kreu i misionit afatgjatë dhe ai i misionit afatshkurtër do të jenë të ndryshëm, apo skema e vitit 2011 kur diplomati amerikan, Jonathan Stonestreet drejtoi en block të gjithë ekipin e ODIHR-it. Sipas rregullit, vëzhguesit e parë duhet të mbërrijnë në Tiranë 6-8 javë para 23 qershorit. Burime nga zyra e ODIHR-it në Varshavë bënë të ditur se misioni do të jetë i gatshëm të vijë në Shqipëri, të premten e javës së ardhshme, pra më 10 maj. Në fakt, ngërçi i KQZ-së ka krijuar një situatë të jashtëzakonshme edhe për çështjen e misionit, i cili pritet të vijë me një përgatitje më të fortë në lidhje me praktikën ligjore të funksionimit të këtij institucioni, duke u furnizuar edhe me precedentët dhe lojërat e politikës shqiptare. Ndërkaq, pritet edhe një qëndrim ligjor nga Brukseli në lidhje me funksionin e KQZ-së, i cili ka gjasa të jepet para se të mbërrijë misioni vëzhgues i ODIHR-it.

Wollfarth

Ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth, kërkoi legjitimitet të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Duke komentuar situatën e krijuar, ambasadori Wollfarth tha se zgjidhja e kësaj situate duhet të jetë pika kryesore e çdo force politike ndërsa për këtë duhet bashkëpunim mes palëve. Është shumë e rëndësishme që qeveria, pra shumica, të bëjë përpara për të krijuar një atmosferë që lejon për hapa të mëtejshëm, ashtu sikurse është e rëndësishme që opozita të paraqesë pjesë konstruktive të këtij dialogu, për të plotësuar anëtarësinë e KQZ-së. Ky ndërveprim është shumë i nevojshëm. Pra, më lejoni të ritheksoj: duhet të punohet për të rritur besueshmërinë dhe ligjshmërinë e KQZ-së. Ajo mund të funksionojë siç është tani, por duhet bërë më shumë dhe për këtë nevojitet ndërveprimi pozitiv i partive politike, deklaroi Wollfarth.

Sequi

Ndërkaq, ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Ettore Sequi, i kujtoi politikës lidhjen e fortë mes zgjedhjeve dhe statusit kandidat për Bashkimin Europian. Sipas tij, çështjes së statusit BE do t’i rikthehet menjëherë pas 23 qershorit. Po ndjek me vëmendje situatën. Zgjedhjet janë një moment thelbësor për jetën demokratike të çdo vendi. Kemi besim që procesi zgjedhor do të jetë ai që meritojnë shqiptarët. Ne besojmë që Shqipëria ka potencial për të qenë anëtare e BE-së. Mbas zgjedhjeve do t’i hyjmë menjëherë punës për të vlerësuar rrugën e Shqipërisë për rinjohjen e statusit kandidat. Kjo do të thotë që puna për këtë rinjohje do të marrë po aq energji sa realizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ai që quhet proces elektoral ka të bëjë me atë që ndodh para, gjatë dhe pas ditës së votimit, u shpreh Sequi. Pas dorëheqjes së tre anëtarëve të KQZ-së, Partia Socialiste refuzon propozimin e emrave të rinj me argumentin se ky institucion ka humbur legjitimitetin e tij.

Etapat

Vëzhguesit e huaj

10 maj - Mbërritja në Shqipëri e misionit vëzhgues afatgjatë të OSBE-ODIHR-it dhe shpërndarje në 12 qarqet e vendit për monitorim

20 maj - Pritet të dalë raporti i parë i ndërmjetëm i vëzhguesve të ODIHR mbi përgatitjen e zgjedhjeve, hartimin e listave dhe infrastrukturës

10 qershor - Pritet të dalë raporti i dytë i ndërmjetëm i misionit afatgjatë të ODIHR-it, i cili do të plotësojë kuadrin e përgatitjes së zgjedhjeve

25 qershor - Pritet të dalë raporti i parë paraprak i të gjithë misionit vëzhgues të OSBE-ODIHR, por edhe i grupeve të tjera ndërkombëtare

Misioni i ODIHR mbërrin më 10 maj. Kreu mund të jetë nga Sllovenia burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›