Rama-qytetarëve: Denonconi ndërtimet në bregdet, fund kancerit të abuzimit
Tiranë- Kryeministri i zgjedhur, Edi Rama, u ka bërë thirrje qytetarëve që të denoncojnë të gjitha rastet e abuzimit me ndërtimet pa leje në bregdetin shqiptar.
Përmes një njoftimi në rrjetet sociale ai shprehet se Partia Socialsite ka hapur një portal, StopRrenimit.com, në të cilin mund të dërgohen foto dhe video për të kontribuuar në ruajtjen e pasurisë së përbashkët.
StopRrenimit.com është hapësira ku secili prej jush mund të kontribuojë në betejën jetike kundër kancerit të abuzimit me territorin në bregdet – po edhe në qytetin tuaj. Celulari juaj mund të bëhet një armë e pazëvendësueshme në këtë betejë mes inercisë së rrënimit dhe ëndrrës së Rilindjes Shqiptare. Fotot apo videot e marra në vendin e një krimi ndaj pasurisë sonë të përbashkët, të postuara në këtë hapësirë jo vetëm do na ndihmojnë me informacion në kohë reale nga territori por edhe do dekurajojnë ndjeshëm abuzuesit. Kjo betejë nuk është thjesht e qeverisë së re, po e gjithë shoqërisë dhe e çdo qytetari që jeton e punon për të ndërtuar të ardhmen në Shqipëri,- shprehet Rama.
Më taj ai shkruan se ky kancer agresiv rrezikon të shkatërrojë potencialin e madh të zhvillimit turistik të vendit dhe bashkë me të vetë të ardhmen e Shqipërisë.
Prandaj unë ju ftoj që këtë betejë fisnike ta bëjmë së bashku dhe ta fitojmë së bashku. Për dinjitetin tonë qytetar e shoqëror. Për interesin tonë kombëtar e publik. Për Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër!,- vijon ai.