E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza tek Tirana, tifozët protesta para bashkisë: Ndaloni përfitimet personale

tirana8Kriza financiare duket se po sjell shkatërrimin e ekipit të Tiranës, ku lojtarët prej muajsh nuk kanë marrë pagat, ndërsa shumë prej tyre po largohen drejt skuadrave të tjera. Kjo ka bërë që me dhjetra tifozë të ekipit kryeqytetas të protestojnë para Bashkisë së Tiranës, duke i kërkuar kreut të saj të paguajë futbollistët.

Me pankarta në duar dhe me thirrje Tirona nuk është vetëm ata kanë qëndruar para godinës së bashkisë duke kërkuar marrjen e masave për ringritjen e ekipit, pasi edhe bashkia është pjesë e stafit drejtues.

Gjithashtu tifozët kanë bërë thirrje që drejtuesit e pushtetit vendor të ndalojnë talljet me ekipin dhe të gjejnë një zgjidhje para nisjes së sezonit të ri. Madje ata i kanë drejtuar një kërkesë dhe zoti Basha ku shprehen se klubi është kthyer në një institucion përfitimesh personale.

Para pak ditësh ishin vetë lojtarët ata që protestuan para zyrës së Lulzim Bashës, duke thënë se pagat që ata duhet të merrnin klubi po i ruan për merkaton e kësaj vere. Futbollistët  tentuan të takojnë vetë kryebashkiakun për ti kërkuar shlyerjen e detyrimeve, por nuk u lejuan ta bëjnë një gjë të tillë.

Shkresa e plotë drejtuar bashkisë:

DEKLARATË E TIFO-GRUPIT “TIRONA-FANATICS”

Drejtuar: Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, zotit Lulëzim Basha
(në cilësinë e titullarit të KF Tirana)
Këshilltarëve të Këshillit Bashkiak, Tiranë
Opinionit publik

I Nderuar Z. Basha,
Të Nderuar Zotërinj Këshilltarë

Mbas disa vjet menaxhimi të K.F. Tirana, dhe premtimeve të pafundme për institucionalizimin e klubit dhe vënien e tij në themele të shëndosha bashkëkohore, me dëshpërim të thellë dhe indinjatë konstatojmë se ndodhemi në situatën më të dëshpëruar dhe kaotike që ky klub ka përjetuar ndonjëherë.

Bëhet fjalë për klubin nën administrimin tuaj zotërinj të nderuar, klubin më të titulluar në vend, klubin simbol të qëndresës në vitet e errëta të diktaturës, por njëkohesisht edhe pjesën e identitetit të qytetit tonë, të krenarisë sonë, të qënies sonë. Për klubin e themeluar nga Toptanasit dhe gjithë paria Tiranase, që lulëzoi nën drejtimin dhe financimin e Stërmasit të madh, klubin e Lushtës, Kryeziut, Karapicit, Zajmit, Gurrashit, Frashërit, Kasmit, Hykës, Memave, Dibrës, Baçit, Kolës, Mingës e sa e sa të tjerëve.

Pasiviteti, mosdëshira, veprimet e gabuara dhe kryesisht mosveprimet Tuaja kanë sjellë klubin në gjendjen aktuale. Ju kemi pritur pafund të realizoni premtimet e bëra në mënyre periodike, kemi pritur rikthimin e dinjitetit, të shpirtit karakteristik dhe të titujve.
Në vend të kësaj po shohm venitjen e vlerave, papërgjshmërinë absurde dhe rënien aktuale. Klubi u kthye ne vatër vegjetuesish dhe përfituesish interesash personale, pa lidhje me Tironën e Modhe, të shpirtit tonë. Sinqerisht nuk mund ti japim përgjijge pyetjes: NUK DINI apo NUK DONI?!

Për sa më sipër, kërkojmë nga Ju, në mënyrë urgjente të gjeni zgjidhjen për funksionimin e klubit siç e meriton. Nuk na intereson kush e jep zgjidhjen dhe as nga çfushë e biznesit është apo kujt krahu i përket. Ne duam dinjitetin e Tirones tonë, në vendin ku i takon. Ne duam që klubi të gjejë qëndrueshmëri dhe rregull në funksionimin e tij, në mënyrë që pas një viti, në 94 vjetorin e klubit të mos gjendemi përsëri këtu, me të njejtat kërkesa.

Këta njerëz të mbledhur sot, në 93 vjetorin e themelimit të klubit, janë këtu për tju kujtuar se :
TIRONA ËSHTË SHUMË MË TEPËR SE NJE EKIP!
TIRONA ËSHTË HISTORI, TRADITË, PASION, IDE,SAKRIFICË, QËNDRESË!
TIRONA ËSHTË JETA DHE SHPIRTI JONË !

Mos e shpërfillni atë!

◄ Pas Para ► Foto    1 / 6

Protesta për Tiranën

◄ Pas Para ►
Foto 1 / 6

Protesta për Tiranën

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›