E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama refuzon hetimin, tmerrohet nga zbulimi i skemës kriminale të korrupsionit me lejet

Bashkia e Tiranës refuzon që të depozitojë dokumentacionin e kërkuar nga komisioni hetimor parlamentar, pasi mund të nisë zbardhja e skemës së përfitimeve klienteliste me më shumë se 10 milionë dollarë në vit, nga zgjatja e procesit të dhënies së lejes deri në 330 ditë.

Drejtoresha e Agjencisë së Prokurimeve Publike, Klodiana Cenkaj, tha dje në komisionin hetimor se gjatë vitit 2008 procedura e përzgjedhur për projektimet kishte qenë në kundërshtim me ligjet. Komisioni hetimor parlamentar për kryetarin e bashksië së Tiranës, ka vazhduar punën e tij, për verifikimin e fakteve. Me gjithë pengesat e shfaqura nga mosbashkëpunimi i kryebashkiakut të Tiranës, Komisioni shprehet i vendosur për vazhdimin e punës brenda mandatit të tij. 

Dje radha ka qenë e ekspertëve të prokurimeve dhe urbanistikës, të cilët kanë raportuar pr shkeljet e Edi Ramës me lejet e ndërtimit.

Komisioni hetimor për procedurat e dhënies së lejeve të ndërtimit u ngrit pas një vendimi të Kuvendit më 23 prill. Ai ka objekt hetimin e mënyrave abuzive, klienteliste e në konflikt interesi në bashkinë e Tiranës, duke krijuar një kartel të paligjshëm ndërtimi. Kjo është hera e dytë që për kryetarin e bashkisë së Tiranës, Edi Rama, kërkohet një hetim parlamentar. Në vitin 2003, kryebashkiaku u hetua nga një komision hetimor, i kryesuar nga Sokol Olldashi, me akuzën për shpërdorime me detyrën dhe fondet publike.

Komisioni

Komisioni Hetimor i ngritur për të zbardhur veprimtarinë abuzive të bashkisë së Tiranës dhe kryebashkiakut Rama ka zhvilluar dje mbledhjen e tij të radhës ku të pranishëm kanë qenë dhe përfaqësues  të Agjencisë së Prokurimeve Publike dhe Këshillit të Rregullimit të Territorit të Bashkisë. Përfaqësuesit e këtyre dy institucioneve ishin thirrur nga komisioni në një seancë dëgjimore ku dhe dhanë shpjegimet e tyre lidhur me respektimin e praktikave të dhënies së lejeve të ndërtimit nga bashkia. Edhe pse Komisioni Hetimor kishte kërkuar nga bashkia dokumentacionin e nevojshëm për të shqyrtuar veprimtarinë, kjo e fundit nuk i është përgjigjur kërkesës së komisionit, duke bllokuar pjesën më të rëndësishme të këtij dokumentacioni. 

Kryetari i Komisionit Hetimor, Ferdinant Xhaferri tha gjatë mbledhjes së djeshme se “në adresë të kryetarit të bashkisë, Edi Rama kemi nisur kërkesën që brenda datës 30 prill 2009 ky institucion të depozitojë pranë Kuvendit praktikat e plota të lejeve të ndërtimit të dhëna nga KRT-ja, në periudhën 1 janar 2007 e në vazhdim. Por, nga ana e bashkisë sot kemi marrë një përgjigje, të firmosur nga kryebashkiaku Rama, ku thuhet se ‘bashkia nuk kthen përgjigje, sepse i është drejtuar tashmë Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar antikushtetueshmërinë e këtij komisioni dhe shfuqizuar vendimin e Kuvendit’”, tha Xhaferri. 

Referuar përgjigjes së bashkisë së kryeqytetit, Xhaferri e cilësoi atë si “një marrëzi ligjore, pasi një individ nuk mund të pengojë vendimin e sovranit. Vetëm Gjykata Kushtetuese mund të pezullojë veprimtarinë e komisionit hetimor”. 

Duke iu referuar Kushtetuës, Xhaferri saktësoi se “Neni 23 i Kushtetutës thotë se e drejta e informimit është e garantuar dhe kushdo ka të drejtë të marrë informacion mbi veprimtarinë e organeve shtetërore dhe personave që i drejtojnë ato”.  

Ekspertët

Përfaqësues të Agjencisë së Prokurimeve Publike dhe të Këshillit të Rregullimit të Territorit (KRRT) të pranishëm gjatë mbledhjes së djeshme të komisionit hetimor, evidentuan shkeljet ligjore në tendera, procedurat e prokurimeve publike dhe praktikat e dhënies së lejeve të ndërtimit nga bashkia e Tiranës. 

Drejtoresha e Agjencisë së Prokurimeve Publike, Klodiana Cenkaj, referuar hetimeve informoi komisionin mbi ligjshmërinë e procedurave të tenderave publike në projektet e këtij institucioni, ku nga hetimet paraprake rezulton se procedura e tenderimit e përzgjedhur nga bashkia e Tiranës është e gabuar. 

“Nga një hetim i përciptë evidentojmë se në vitin 2008 procedura e përzgjedhur nga bashkia është e gabuar për të gjitha rastet e projektimeve dhe jo vetëm të ndërtimit të objekteve. Bashkia e Tiranës operon me procedurë të hapur, që është procedura e gabuar në këtë rast, pasi ligji detyron procedurën e shërbimit të konsulencës”, tha Cenkaj. 

Drejtoresha e Prokurimeve Publike, ka shpjeguar më tej detaje që kishin të bënin me dokumentacionin e bashkisë, për të cilat është shprehur se “Po t’u referohemi dokumenteve të bashkisë në këtë rast ajo ka gjetur një formë pikëzimi, sepse e ka pasur të pamundur ta aplikojë këtë procedurë të hapur. Për këtë bashkia ka bërë një adoptim të dokumenteve të tenderit, duke shkelur ligjin e prokurimeve”, tha Cenkaj. 

Duke argumentuar shkeljet në dokumentacion, Cenkaj nënvizoi se “Askush nuk mund të bëjë ndërhyrje në dokumentet standarde të tenderit dhe mënyra e pikëzimit e aplikuar nga bashkia është në kundërshtim me ligjin”.

Ndërsa sekretari i përgjithshëm i KRRT-së së Tiranës, Marin Biçoku, duke folur mbi praktikat që ndiqen në dhënien e lejeve të ndërtimit, tha se “përpunimi i dosjeve, përgjegjësia e hartimit të politikave dhe kontrolli ligjor për to i takon bashkisë së Tiranës”. 

Duke njohur mirë procedurat e punës, dhe pasojat që sjell mos miratimi i planit rregullues të kryeqytetit, Biçoku tha se “KRRT-ja po i shqyrton dosjet pa ligjet vendore dhe kjo e vështirëson punën. Por, ne  nuk mund të rrimë në pritje të planit rregullues dhe të bllokojmë vendimmarrjen e qytetit”. 

Duke fajësuar bashkinë e Tiranës, Biçoku tha se “KRRT-së i mungojnë rregullat e lojës, pasi bashkia nuk ka dashur asnjëherë t'i hartojë këto rregulla loje”. 

Aktualisht ky mund të cilësohet, komisioni i dytë hetimor për kryebashkiakun e Tiranës. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›