E Diel, 1 Nëntor 2026

Edi Rama refuzon që të bashkëpunojë


Objekt hetimi, procedura prej 330 ditësh për marrjen e një leje ndërtimi në Tiranë


Kryetari i bashkisë Edi Rama ka refuzuar të sjellë informacionin dhe të jetë i pranishëm duke e argumentuar këtë nëpërmjet një shkrese. 


“Bashkia e Tiranës i është drejtuar gjykatës kushtetuese për të shqyrtuar antikushtetueshmërinë e këtij komisioni hetimor dhe shfuqizuar vendimin e Kuvendit”, thuhet në shkresën e dërguar dje nga kryebashkiaku Rama komisionit hetimor parlamentar.


Burime të Komsionit Hetimor Parlamentar, e kanë lidhur dje refuzimin e Edi Ramës për të bashkëpunuar me frikën e tij për përballjen me faktet që e komprometojnë atë, për sa i përket dhënieve të lejeve të ndërtimit.


Të njëjtat burime saktësojnë se, Edi Rama ka frikë të përballet me procedurat e lejeve të ndërtimit. Sipas këtyre burimeve, mësohet se objekt i hetimit do të jetë fakti që për marrjen e një leje ndërtimi, procedurat në bashkinë e Tiranës, shkojnë deri në 330 ditë, ndërsa Edi Rama, vetëm 10 minuta harxhon për miratimin e çdo njërës prej tyre në mbledhjen e KRRT-së. Të njëjtat burime, saktësojnë se objekt hetimi do të jetë pjesa tjetër e kohës, të cilën Edi Rama e harxhon për “pazaret” e tij, me ndërtuesit, artificë që mendohet se çon në xhepat privatë të kryebashkiakut interesa në vlerën e 10 milionë dollarëve, vetëm nga studiot e projektimit.


Për Komisionin Hetimor, mësohet se brenda mandatit të tij, objekt hetimi janë dëmet afatshkurtra të Edi Ramës, që lidhen me periudhën 2-vjeçare, objekt i hetimit të këtij komisioni. 


Ndërkohë, sqarojnë të njëjtat burime të Komisionit Hetimor, dëmi afatgjatë, i shkaktuar nga mungesa e një Plani Rregullues, është edhe më i madh.


Pengmarrjen e Planit Rregullues të Tiranës, e ka denoncuar sërish dje edhe Kryeministri Sali Berisha në takimin e tij në Shijak. “Ai e mban peng projektin si plaçkën e shtëpisë së tij, sikur është personale dhe jo e qytetarëve. Pra, kjo alternativë është alternativa e bllokimit. Ne i kërkojmë projektin e unazës që ta bëjmë atë. Tirana është qyteti më i dashur për shqiptarët dhe ne jemi gati ta 10-fishojmë grantin për të”, u shpreh Berisha midis të tjerave dje në Shijak.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›