Mbyllet dosja “Fazlliç”, prokuroria bëhet lolo e “Edil Ramës”, i cili s’mundej të konkurronte në Porto-Romano

E kishim thënë, “dosja Fazlliç, pesë me hiç”
Vetë Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet e nisura, pas shpikjeve të Edi Ramës dhe kompanisë së tij ndërtimore, e cila s’mundej të konkurronte dot për projektet industriale në Porto-Romano, por mbetet pa përgjigje se kush duhet të mbajë përgjegjësi për dëmtimin e imazhit të vendit, por edhe për dëmet personale që iu shkaktuan shumë bizneseve të huaja
Prokuroria e Tiranës ka mbyllur dje hetimet për Damir Fazlliç, dhe bashkë me këtë ka nënshkruar edhe dështimin saj të radhës.
Ndërsa Prokuroria ka bërë zgjedhjen më “të zgjuar”, si rrallë ndonjëherë, mbyllja e kësaj dosje, ka mbyllur edhe zhurmën e kampit ideues që starton nga “Edil-Rama”, kompania që ka frikë nga konkurrenca në Porto Romano, atje ku edhe ajo, sikurse Damir Fazlliç, është pronare me të njëjtat kushte e disa hektarëve të tjerë toke.
Por mbyllja e dosjes hetimore ndaj Damir Fazlliç, mbart mbi vete edhe disa kosto, që nuk dihet nga kush do të paguhen. Kostos pas mbylljes së kësaj dosje, lidhen jo aq me përbaltjen e përdhosjen e imazhit të dhjetëra personave, pas çdo lidhje të aluduar të tyre me Damir Fazlliç, por këto kosto lidhen edhe me imazhin e vendit tonë, qeverisë dhe projekteve të mundshme të saj, që u nëpërkëmbën nga media të tipit “Edil-Rama”.
Përpos kësaj, dje, në limitet e fundit të skadimit të afateve të hetimit, Prokuroria e Rrethit të Tiranës, është treguar “racionale”, kur duke shmangur koston e një vendimi gjykate që do e detyronte organin e akuzës, të mbyllte hetimet për dosjen “Fazlliç”, ka bërë zgjedhjen e saj, duke i paraprirë një vendimi të tillë të mundshëm.
Burime të Prokurorisë së Rrethit të Tiranës, e motivuan mbylljen e dosjes me mungesën e rrethanave rënduese ndaj Damir Fazlliç edhe nga përgjigjet e letër-porosive të mbërritura nga Zvicra e Qipro, që duket se ishin shpresa e vetme e Prokurorisë së Rrethit të Tiranës. Kur edhe pas këtyre shkresave u mësua se mbi Damir Fazlliç, shtetasin britaniko-boshnjak, nuk kishte asnjë provë që të mbante në këmbë akuzat për “Pastrim parash”, Prokuroria e Rrethit të Tiranës vendosi mbylljen e hetimeve, pasi edhe “provat” e pretenduara se i kishte siguruar nga hetimi në llogaritë bankare të Fazlliç, në Shqipëri, rezultuan se nuk ekzistoni.
Ndërsa ndaj shtetasit britaniko-boshnjak Damir Fazlliç, nisën shtatë muaj më parë, nën dyshimet mediatike se ai kishte pastruar para në vendin tonë. Akuzat që ngriheshin ndaj Damir Fazlliç nga ana e Prokurorisë ishin pastrim parash në Shqipëri, duke iu referuar blerjes së pronave në Porto Romano nëpërmjet kompanive të tij.
Në funksion të këtij hetimi, Prokuroria vendosi sekuestron mbi pasuritë e biznesmenit boshnjak, ndër të tjera edhe disa troje në qytetin e Durrësit.
Ndërkohë, pala mbrojtëse, duke kundërshtuar si të pabazë vendimin e prokurorisë së Tiranës, bëri ankimim në Gjykatën e Shkallës së Parë. Në muajin nëntor avokatët mbrojtës të Damir Fazlliç iu drejtuan Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës për heqjen e sekuestrove mbi shoqëritë e klientit të tyre.
Në bazë të këtij ankimimi, në 31 dhjetor 2008, gjyqtari Dritan Broci, i Gjykatës së Shkallës së Parë ët Rrethit të Tiranës rrëzoi vendimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Tiranës, e cila kishte vendosur sekuestrimin e llogarive bankare dhe pasurive të Damir Fazlliç. Sipas vendimit të kësaj gjykate, mësohet se Damir Fazlliç nuk ka kryer vepër penale në Shqipëri.
Në përfundim të procesit në fjalë, kjo Gjykatë vendosi shfuqizimin e masës së sekuestros për pasuritë e Fazlliç, vendim i cili është lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit.
Gjatë ballafaqimit me prokurorinë e Tiranës, biznesmeni Damir Fazlliç mësohet se ka hedhur poshtë dyshimet e ngritura ndaj tij për pastrim parash në vendin tonë.
Ndërsa, një muaj më parë, skaduan afatet zyrtare të këtyre hetimeve, Prokuroria e Rrethit të Tiranës vendosi për shtyrjen edhe për një muaj të këtij afati, duke shpresuar në përgjigjet e letër-porosive, nga Anglia, Zvicra, Qipro, Kroacia, Bosnja Hercegovina etj., nëpërmjet të cilave është kërkuar inf
ormacion për transaksionet bankare dhe veprimtarinë e kompanive të Damir Fazlliç.
Ndërkohë, jo më larg se data 17 prill e këtij viti, Gjykata e Apelit e Tiranës, vendos heqjen e sekuestrove ndaj llogarive bankare
dhe pasurive të Damir Fazlliç. Trupi gjykues i Gjykatës së Apelit të Tiranës, i kryesuar nga gjyqtari Alaudin Malaj dhe me anëtarë gjyqtarët Zeqine Sollaku dhe Fatos Qato, la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për heqjen e sekuestrimeve të pronave të Damir Fazlliç. Me vendimin e saj, Gjykata e Apelit, Tiranë i ka cilësuar provat e paraqitura nga prokuroria të paargumentuara në prova të forta.
Kalendari i dështimeve të dosjes “Fazlliç”
08 tetor 2008
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, regjistron procedimin penal me nr. 3258, për veprën penale të ‘Pastrimit të produkteve të veprës penale’, parashikuar nga neni 287, i Kodit Penal në ngarkim të shtetasit boshnjak-britanik Damir Fazlliç.
08 tetor 2008
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, nëpërmjet një urdhri verbal kërkon nga policia bllokimin e Damir Fazlliç në aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit, ndërsa ai largohej pas një vizite private në Shqipëri.
09 tetor 2008
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, bazuar në nenin 210 paragrafi i dytë i Kodit të Procedurës Penale, ka vendosur sekuestrimin e llogarive bankare edhe të shoqërive “Global Construction” sh.a., dhe “Reno Albania” sh.p.k.
17 tetor 2008
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në bazë të nenit 217 të Kodit të Procedurës Penale, hoqi sekuestrot për llogaritë bankare, depozitat, letrat me vlerë, dokumenteve dhe shoqërive “Global Construction” sh.a., dhe “Reno Albania” sh.p.k.
21 tetor 2009
Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave i ka thyer Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Tiranës përgjigje zyrtare, sipas së cilës transaksionet financiare nëpërmjet bankave shqiptare të Damir Fazlliç, rezultojnë të kryera kundrejt të gjitha rregullave dhe ligjeve shqiptare.
31 dhjetor 2009
Gjyqtari Dritan Broci, i Gjykatës së Shkallës së Parë ët Rrethit të Tiranës rrëzoi vendimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Tiranës, e cila kishte vendosur sekuestrimin e llogarive bankare dhe pasurive të Damir Fazlliç.
16 shkurt 2009
Damir Fazlliç mbërriti në Tiranë dhe dëshmoi në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor të kryeqytetit. Sipas avokatëve të tij, u mësua se klientit të tyre nuk ju komunikua asnjë akuzë por ishte thirrur në cilësinë e personit për të dhënë deklarimet e tij.
17 shkurt 2009
Damir Fazlliç, paraqitet sërish për të dëshmuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor të kryeqytetit. Qëllimi i thirrjes së dytë në organin e akuzës së kryeqytetit shqiptar ishte që të merreshin deklarime të tjera lidhur me dyshimet për “pastrim të produkteve që përbëjnë vepër penale”.
17 prill 2009
Trupi gjykues i Gjykatës së Apelit të Tiranës, i kryesuar nga gjyqtari Alaudin Malaj dhe me anëtarë gjyqtarët Zeqine Sollaku dhe Fatos Qato, la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për heqjen e sekuestrimeve të pronave të Damir Fazlliç.
07 maj 2009
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor të Tiranës, vendosi mbylljen e dosjes dhe pushimin e çështjes ndaj Damir Fazlliç. Ky vendim u muar pasi edhe letër-porositë e mbërritura, nuk provonin akuzat ndaj shtetasit britaniko-boshnjak, Damir Fazlliç.
...